Kulturë

Rrobaqepësi i dy kohëve

I ka mbushur 65 vjet, por kjo s’e pengon për ta vazhduar punën. Madje edhe të dielave. Që kur ishte 13-vjeçar, Shefqet Lahu kishte nisur ta marrë zanatin e rrobaqepësit. Nuk i është ndarë kurrë kësaj pune, ani pse gjatë jetës ka bërë edhe punë të tjera. Zanatin e kishte nisur nga nevoja për të fituar para në kohën kur familja e tij nuk ishte në gjendje aq të mirë ekonomike. Lahu është prej atyre zanatlinjve që u takon dy kohëve. Krahasimet e paralelet i nxjerr vetë. Dikur, thotë ai, mjeshtri kishte nam në qytet e puna e dorës çmohej më shumë. Një setër që ai e ka bërë për vete fillim e mbarim është më tepër se një veshje, është artefakt që ngjall mall e nostalgji kur mjeshtëria vlerësohej. Por blerjet e lira prishën gjithçka. Me humor që përmban edhe trishtim, ai thotë se sot paguan një rrip e me të të vijnë edhe pantallonat. 

Setra që ngjall mall e nostalgji

Shefaqet Lahu ka lindur më 24 mars të vitit 1955 në fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës. Aty ka kryer shkollën deri në klasën e dytë të fillores, kur në vitin 1962 është zhvendosur në Prishtinë, në lagjen ku sot ndodhet medreseja “Alaudin”. Krahas shkollës ai është orientuar edhe drejt zanatit të rrobaqepësit, punë që do ta përcillte gjatë gjithë jetës. Zgjedhjen e kishte bërë për një arsye. “E kam zgjedhur shkaku i kushteve të rënda ekonomike të familjes, në mënyrë që të ndihmoja edhe unë sadopak”, thotë Lahu, që këtë zanat e kishte nisur në rininë e tij të hershme. “Këtë zanat e kam filluar si ndihmës në moshën 13-14-vjeçare te mjeshtri Mustafë Raci, i cili dyqanin e ka pasur ku është tash hyrja te Tregu i Gjelbër, në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’”, thotë Lahu, teksa kthehet pas në kohë. Kujton se aty ka qëndruar deri në moshën 18-vjeçare. “Pastaj kam kaluar me pagesë, në vitin 1972 deri në vitin 1975 te mjeshtri Smaja Oloviq, i cili dyqanin e ka pasur te ish-Çarshia, ku sot është ndërtesa e Qeverisë”, tregon Lahu. Si çdo fillestar tjetër në secilën zeje, Lahu tregon se edhe ai në fillimet e tij e ka pasur si detyrë vetëm të përcjell se si bëhen punët. “Pastaj kam filluar me qepjen e pantallonave”, thotë Lahu, që ngre një paralele me sot. “Në atë kohë nuk kishte pantallona për të blerë në masë sikurse sot dhe duhej që të priteshin pantallonat për secilin person nga fillimi”, thotë Lahu. E titullin mjeshtër nuk ishte lehtë për ta marrë. “Dikur ishte shumë vështirë që të quheshe mjeshtër dhe lypej një kohë e gjatë dhe shumë mundim që të konsideroheshe i tillë”, thotë ai. Në mesin e gjërave që ai i ka qepur për vete, e të cilat i ruan ende është edhe një setër, të cilën thotë ta ketë punuar vetë fillim e mbarim. “Ende kur e shoh me ngjall mall për kohën kur së paku puna e dorës dhe mjeshtëria çmoheshin më shumë dhe kur me qenë mjeshtër ngjallte respekt tek të tjerë”, thotë Lahu. Në vitin 1976 jeta e tij do të merrte një tjetër kah. “Në këtë vit kam filluar që të punoj në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por çdo ditë pas punës shkoja për të punuar edhe si rrobaqepës”, thotë Lahu.

Etapat e karrierës

E teksa ndalet që të kujtojë kushtet e punës në atë kohë, Lahu flet për vështirësi në raport me të sotmen. “Teknika ka qenë më e vjetër dhe shumë punë duhej të bëheshin me dorë. Ndërsa sot më shumë se 99 për qind e punës bëhet me makinë”, thotë Lahu. Karrierën e tij prej rrobaqepësi ai e ndan në dy etapa. “Karrierën time mund ta ndaj në dy periudha. Para viteve ’90, ku shumica e punës ishte e përshkuar me krijime vetjake, pra nga fillimi deri në fund. Ndërsa gjatë dhe pas viteve ‘90, me ardhjen e rrobave më të lira nga Lindja (Turqia dhe Kina) dhe veçanërisht pas luftës së fundit, thuajse e gjithë puna ka kaluar në përmirësime”, thotë Lahu. Kësisoj, punët që ai vetë i ka krijuar thotë se janë kryesisht të bazuara në dijen e fituar në periudhat e mëhershme. “Rrallë fusim elemente të reja, për shkak se edhe kërkesa për prodhime të reja ka kaluar në një nivel thuajse tjetër. Rrobat janë shumë më të lira, ndërsa ata që i qepin nga fillimi janë një elitë e vogël e cila kryesisht e kërkon këtë shërbim jashtë vendit”, thotë Lahu. Krahasimi i kohëve vlen edhe kur bëhet fjalë për materialet. “Materialin të cilin e sigurojmë sot është kryesisht nga Turqia dhe shitet nga disa importues në Prishtinë. Ndërsa dikur materiali sigurohej nga vetë myshteria apo klienti. Ndërsa mund të them se materiali apo shtofi ka qenë prodhim jugosllav. Edhe ky material ishte i shtrenjtë dhe jo të gjithë mund ta siguronin”, shprehet rrobaqepësi pensionist. Por ajo që s’ka ndryshuar është mjeti i punës, makina e qepjes, ndonëse është sofistikuar dukshëm. “Sikurse sot edhe atëherë mjeti kryesor nga i cili kryhet shumica e punës është makina e qepjes, e cila një periudhë të gjatë ishte mekanike me këmbë, ndërsa me kalimin e kohës u zëvendësua me atë elektrike. Sikurse hekuri për hekurosje, i cili në fillimet e rrugëtimit tim ishte me prush”, kujton ai.

Lahu thotë se është e vështirë që të shpjegohet se sa shumë kanë ndryshuar kohët. “Është thuajse jemi duke jetuar në një botë tjetër”, thotë Lahu. Ai insiston se puna e dorës çmohej shumë më tepër në të kaluarën sesa sot. “Mjeshtri është respektuar nga të gjithë dhe ke fituar nam në gjithë qytetin. Ndërsa sot ky respekt ka kaluar te disenjatorët dhe sa u përket rrobaqepësve ata kryesisht shfrytëzohen vetëm për përmirësime dhe riparime”, thotë Lahu. Kjo e bën zanatliun e moçëm që të mos ketë edhe aq shumë shpresa në të ardhme më të mirë të këtij zanati. E për këtë ka edhe një arsye. “Nuk kam edhe shumë shpresa se ky profesion do të vazhdojë për shumë kohë. Malli i lirë nga Lindja po vjen thuajse i gatshëm ose siç themi ne me shaka ‘bashkë me rryp po vijnë pantallonat’”, thotë Lahu, teksa komikja tingëllon tragjike. “Mendoj se nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të zhduket. Ose do të mbetet, për disa persona të cilët vetëm do të bëjnë riparime minore”, thotë Lahu, porosia e të cilit është e kundërt me këtë trend që e frikëson. “Është mirë që ky zanat të mos harrohet dhe që së paku të mbahet nga disa sa për të mos u zhdukur dhe harruar ekzistenca e tij”, përfundon ai.  

Image