Veshjet, gjestet, armët, besimet, doket, zakonet e besëtytnitë e ndryshme shtjellohen në faqet e këtij libri.
I titulluar “Etnologji – rite, doke e zakone shqiptare” botimi më i ri i studiuesit Bashkim Lajçi zbërthen tema të ndryshme nga trashëgimia materiale e shpirtërore shqiptare.
Si i tillë, libri ia mundëson lexuesit të njihet dhe të eksplorojë tema dhe fenomene të ndryshme etnologjike.
“Ky libër ka të bëjë me disa tema nga fusha e etnologjisë, që janë të trajtuara në aspektin teorik, pastaj janë disa tema që kanë të bëjnë me armët e shqiptarëve qoftë të personave të caktuar, bie fjala për armët dhe veshjen e Skënderbeut, pastaj me armët dhe veshjen e Isa Boletinit, si dy figura kombëtare tonat. Pastaj libri ka të bëjë me dasmat, me përshëndetjet, me besimet dhe besëtytnitë e ndryshme, me transportin në Pejë dhe përgjithësi. Është një libër që trajton tema të shumta dhe si i tillë shpresoj që do të jetë interesant për lexuesin”, ka treguar Lajçi.
“Kam marrë materiale nga tereni dhe ambiente të ndryshme tonat dhe është bërë një lloj komparacioni dhe përpilimi mes të dhënave nga tereni dhe aspekti teorik duke bërë krahasime me krahina të tjera shqiptare”, ka thënë tutje ai.
Në perspektivë historike, studiuesi, nëpërmjet këtij libri, tregon se sa shumë gjëra kanë ndryshuar nga e kaluara, që nga përshëndetja, besëtytnitë, tabutë, veshja e deri te transporti.
Libri, po ashtu, është i ilustruar me pamje të dokeve e riteve të ndryshme shqiptare. Autori vë përballë edhe ndryshimet që kanë ndodhur në ceremonitë shqiptare.
“Është interesant në kuadër të martesës, dasma është si të thuash akti i fundit. Dhe normalisht sikur kultura në përgjithësi edhe doket e zakonet kanë pësuar ndryshime. Në këtë aspekt, kur bëhet fjalë për dasmat, ka pasur ndryshime, ka pasur edhe dasma një rrugëtim varësisht nga ambientet dhe koha ku është zhvilluar. Pra janë disa veprime që më herët janë bërë me ardhjen e nuses në shtëpi, me shkuarjen e dhëndrit, pasi që në të kaluarën nuk kanë shkuar më herët ta marrin nusen. Dasmat tani zhvillohen në restorante dhe hotele, pra në ambiente publike ku marrin pjesë edhe të tjerët. Më herët ka qenë më ndryshe, duke u nisur edhe nga marrja e nuses me qerre, e sot nusja merret me makina”, ka shpjeguar tutje studiuesi Lajçi.
Lajçi, etnolog në Institutin Albanologjik të Prishtinës, deri tani ka botuar edhe veprat: “Armët Shqiptare gjatë mesjetës”, “Gjurmime etnologjike”, “Syri i keq në besimet shqiptare” dhe “Tabu në entokulturën shqiptare”.