Kulturë

Rinis restaurimi në “Eminxhik”, kritikohet për ndërhyrje me çimento e hekur

Projekti për restaurim e konservim të asaj që njihet si Shtëpia e familjes është zvarritur tash e tre vjet, e tash kur ka rinisur po kritikohet për ndërhyrje joadekuate. Përderisa për Ministrinë e Kulturës gjithçka është në rregull, punonjësit e Muzeut më të vizituar të Kosovës nuk janë të kënaqur me punën që po bëhet aty, pasi po përdoret çimento e hekur

Tre vjet pasi ishin ndërprerë, kanë rifilluar punimet për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë kryesore të Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Por për dallim prej vitit 2017, në vend të institucioneve të trashëgimisë kulturore tash punët po i kryen një kompani private. Janë dashur të kalojnë dy muaj pas nënshkrimit të kontratës prej 52 mijë eurosh që të nisin punimet. Përderisa për Ministrinë e Kulturës gjithçka është në rregull, punonjësit e Muzeut më të vizituar të Kosovës nuk janë të kënaqur me punën që po bëhet aty. Sipas tyre, është duke u ndërhyrë me materiale joadekuate.

Projekti është përgatitur nga arkitekti Bekim Çeko dhe është miratuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Më 2017, Muzeu i Kosovës kishte nisur vetë restaurimin, e tash janë duke u përdorur edhe materiale të tjera. Kompania punëkryerëse ka nisur që të vendosë shtylla betoni në themelet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës. Ato janë forcuar me armatura.

Etnologu Ilir Sopjani ka thënë se ndërtesa ka tri materiale përbërëse: drurin, lloçin tradicional dhe kashtën. Sipas tij, ndërhyrjet sikur kjo që ka nisur para dhjetë ditësh nuk janë profesionale.

“Para tre vjetësh ne kemi pasur restaurues e konservues të cilët kanë punuar në vendet e rajonit në projekte të tilla. Puna kishte nisur që restaurimi të bëhej duke ruajtur vlerat e ndërtesës. Tash po përdoren materiale të tjera që nuk kanë të bëjnë me ndërtesën dhe atë që paraqet ajo”, ka thënë Sopjani.

Ngjashëm me Sopjanin mendon edhe kolegu i tij, Bekim Xhemili. Ai punon në Muze qysh prej vitit 2006. Thotë se asnjëherë nuk është ndërhyrë me çimento e me hekur.

“Tash në vitin 2020 dhe duke hyrë në vitin 2021 të përdoren këto materiale mendoj që është gjë e gabuar”, ka thënë ai. Ka treguar se as në ndërhyrjet e paraluftës e as në ato të pasluftës nuk janë përdorur materiale të tilla. Dyshja ka frikë se ndërtesa do të humbasë vlerat dhe do të bëhet sikurse Hamami i Madh i Prishtinës. Në Hamam shteti ka investuar rreth 800 mijë euro dhe ndërtesa ka humbur vlerat duke u betonizuar. Për vitin e ardhshëm është planifikuar që të investohen edhe rreth 1 milion euro në mënyrë që t’i kthehen vlerat monumentit.

Muzeu Etnologjik deri në nisjen e restaurimit të shtëpisë kryesore ishte vendi i vetëm ku ekspozoheshin vlerat etnografike në nivelin e institucioneve qendrore. Sapo kishte nisur ndërhyrja, më 2017, qe konstatuar se ky objekt rrezikonte të shembej. Dritaret, dyert, vitrinat ekspozuese, ashtu sikurse eksponatet e drunjta e ato të tekstilit, po ashtu planifikohet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit. Trajtimi i tyre për herë të fundit ishte bërë më 2006.

Por në Ministrinë e Kulturës thonë se projekti për restaurim ka kaluar në të gjitha fazat institucionale.

“Ka mbikëqyrje nga institucioni kompetent, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Gjithsesi ka mbikëqyrje edhe nga Ministria dhe ne jemi të interesuar që projekti, ashtu siç është miratuar, edhe të zbatohet”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Ndërtesa e shekullit XIX në kompleksin “Eminxhiku”, e njohur si Shtëpia e familjes, në fund të tetorit ka hyrë në vitin e tretë prej kur kanë nisur konservimi e restaurimi. Muret i kanë mbetur të zhveshura prej fasadës, pa shumicën e dritareve, ekspozuar ndaj kushteve atmosferike e një gjendje e tillë e rrezikon edhe më. Prej atëherë Muzeu Etnologjik vepron vetëm me njërën shtëpi, atë që njihet si Shtëpia e zjarrit.

Kur u ndërprenë punimet, si një prej arsyeve u përmenden kushtet meteorologjike. Plotësimi i projektit ishte arsye tjetër.

Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet e gjysmë që të fillojnë me procedurat e prokurimit për këtë kompleks të trashëgimisë kulturore, më të vizituarin në vend e po ashtu më të rekomanduarin nëpër guidat e agjencive që merren me turizëm.

Kontrata e nënshkruar më 5 tetor të këtij viti midis Ministrisë së Kulturës dhe “Albi Company” me seli në Rahovec për punimet në “Eminxhik” peshon 52 mijë e 308 euro. Me projekt parashihen punime qysh prej shkallëve e derës hyrëse.

Image
Kompania punëkryerëse ka nisur që të vendosë shtylla betoni në themelet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës. Ato janë forcuar me armaturë

“Te dritaret, pjesët e mbetura, do të gërryhen, do të shtohen pjesët e dëmtuara, si dhe pjesët e qelqit. Do të lyhen me ngjyrë, e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi. Tavanet do të lyhen me ngjyrë, që përcaktohet nga mbikëqyrësi. Tek elementet e drurit pjesët e munguara dekoruese në mure do të zëvendësohen me të reja, po ashtu pjesët e drurit në hyrjen e hollit do të gërryhen dhe ngjyrosen me ngjyrë e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi”, shkruhet në dosjen e tenderit. Sipas dosjes, do të rregullohen dyshemetë, muret do të përforcohen nga strukturat mbajtëse me elemente druri dhe do të bëhet mbushja me qerpiçë.

“Gilinderët ose rrethojat do të gërryhen dhe do të lyhen me ngjyrë, e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi. Sipas projektit të statikës, kulmi nuk do të largohet, por do të përforcohet me trarë dhe shtylla të çelikut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Aty sqarohet se në muret e jashtme mbështjellja me kashtë do të konservohet dhe mbi atë do të vendoset shtresa e suvasë me bazë gëlqereje në atë të shtresës së vrazhdë.

I gjithë kompleksi i “Eminxhikut” përbëhet nga katër objekte. Dy shfrytëzohen nga Muzeu. Ai i shekullit XVII pritet të restaurohet pas atij ku tre vjet u zvarritën punimet.

Por restaurimi i dy prej katër objekteve të “Eminxhikut” nuk është problemi i vetëm sa i përket ansamblit arkitekturor. Prej majit të vitit 2017 kompania, që ishte duke bërë ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks, nuk ka pasur ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës ende s’ka zgjidhje me qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 nuk kanë leje për shfrytëzimin e objektit. Kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar.