Shembja e fundit e një pjese të murit në pjesën jugperëndimore të Kalasë së Prizrenit është pasojë e një problemi të trashëguar tash e shtatë dekada. Bëhet fjalë për rezervuarin e ujit i cili u finalizua më 1953. Por gjendja është rënduar kur aty u kryen disa punime për rregullimin e gypave më 2003 e 2004. Për ta zhvendosur duhen çerek milioni euro e të gjithë akterët e trashëgimisë kulturore pajtohen se duhet gjetur zgjidhje për monumentin në të cilin prej vitit 2009 e deri më tash u investuan 1.5 milion euro
Institucionet shtetërore bashkë me ndihmën e fondeve të shteteve të tjera, prej vitit 2009 deri më tash kanë investuar mbi 1.5 milion euro në Kalanë e Prizrenit. Por pavarësisht kësaj qasjeje që e ka shndërruar Kalanë e Prizrenit në një ambient goxha atraktiv të përballjes me trashëgiminë kulturore e historinë, nuk është bërë një hap që rrezikon fort Kalanë: largimi i rezervuarit të ujit.
Pasojë e prekshme e rezervuarit me kapacitet prej 360 metrash kub dhe gypave përreth është shembja e një pjese të murit në anën jugperëndimore të monumentit. Përderisa për arkeologët rezervuari është “tumor” i Kalasë që gjendet në kodrinën perëndimore të qytetit, kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” nuk merr përgjegjësi për gjendjen e krijuar.
Rezervuari i ujit zë një hapësirë të konsiderueshme brenda mureve rrethuese të Kalasë. Bile, është zonë që nuk është gërmuar nga arkeologët. Puna që rezervuari të vendosej aty kishte nisur në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, për t’u finalizuar më 1953. Kurse tash e shtatë dekada mbetet kërcenim real për monumentin.
Arkeologu Shafi Gashi, i cili ka udhëhequr punimet në Kalanë e Prizrenit, thotë se dëmtimet e para gati dy dekadave kanë dhënë efektet e veta. Sipas tij, reshjet e pandërprera e kanë bërë të veten.
“Por dëmit i kanë paraprirë ndërhyrjet që janë bërë në Kala, e sidomos ndërhyrja e fundit e vitit 2003 dhe 2004 nga kompania e ujësjellësit kur është bërë ndërrimi i gypave të ujit”, ka thënë ai. Në 5 a 6 metrat katrorë ku është shembur muri ka dalë një pah një gyp i ujit.
Sipas Gashit, pas ndërhyrjes së bërë nga ujësjellësi sanimi i gjendjes nuk ishte bërë në mënyrën e duhur.
“Tash pikërisht aty ku është gypi kemi shembje. Nëse rezervuari mbetet aty, dëmet do të rriten. Ky kancer i Kalasë duhet të largohet. Ka rrjedhje enorme të ujit nga ky rezervuar, që sipas asaj që kemi gjetur në arkiva është vendosur më 1953”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, gjatë këtij muaji nuk mund të ndërhyhet në rregullimin e gjendjes shkaku i kushteve meteorologjike. Ka thënë se duhet pritur që të ngrihen temperaturat në mënyrë që të krijohen kushte të përshtatshme.
“Duhet të ketë një diskutim bazik midis institucioneve që ky rezervuar të largohet. Qysh prej vitit 2014 është diskutuar pandërprerë që të largohet rezervuari. Pastaj në pjesën ku është ky rezervuar nuk kemi mundur të bëjmë gërmime e trajtim të hapësirës”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, duket sikur qëllimshëm fryhet kostoja e paramasës për ndërrimin e vendit të rezervuarit.
“Është turp, neglizhencë dhe shkelje ligjore që të na ndodhë kështu. Gjatë muajve të verës kemi deri në një mijë vizitorë në ditë”, ka thënë ai dhe ka treguar se në këtë lokalitet janë investuar mbi 1.5 milion euro.
Por në ndërmarrjen publike “Hidroregjioni Jugor” nuk kanë marrë përgjegjësi për shembjet. Aty nuk ju bën përshtypje fakti se pos rikonsolidimit, gërmimeve e ndërtimit të shtigjeve për vizitorë, hapësira është pasuruar edhe me një muze ku paraqiten gjetjet arkeologjike si dëshmi historike e kësaj ane. Kësisoj, monumenti është shndërruar në një atraksion turistik. Bile, organizatat që merren edhe me turizëm kulturor Kalanë e fusin në top-dhjetëshen e monumenteve të Kosovës.
Zenel Zenelaj ka qenë drejtor teknik në kompaninë e ujësjellësit. Ka tetë muaj që është ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv. Ai ka thënë se ka pasur kërkesa për zhvendosje.
“Rezervuari është dëmtues potencial për Kalanë. Ne kemi bërë paramasën e zhvendosjes. Vlera është rreth 250 mijë euro dhe këtë projekt-propozim e kemi përcjellë në Ministrinë e Kulturës. Ne si kompani jemi të limituar që ta bëjmë këtë investim. Lokaliteti ku mund të vendoset është. Në momentin që sigurohen mjetet, ne jemi të gatshëm ta dislokojmë”, ka thënë ai.
Situata del të mos ketë një epilog të shpejtë. Për këtë çështje, të martën është diskutuar edhe në emisionin “Express” të KTV-së.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se nuk duan t’i ikin përgjegjësisë. Sipas tij, duhet të bëhet një zgjidhje.
“Që të evitohen këto probleme duhet të veprohet. Kur po ndodh po na duhet të veprojmë domosdoshmërisht”, ka thënë ai.
Sali Shoshi që drejton organizatën “CHwB Kosova” ka thënë se gjatë përgatitjes së planit të menaxhimit, që ka pritur katër vjet për t’u miratuar, përmenden rreziqet. Plani i menaxhimit është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.
“Një rrjedhje e ujit dëmton një gur e më pas efekti është zinxhiror”, ka thënë ai. Ka përmendur fatin se gjatë vitit 2020 nuk është punuar në Kala. Ai ka thënë se problem në vete është financimi pasi monumentet nuk gjenerojnë të hyra.
“Besoj që pas kalimit të temperaturave të ulëta mund t’i qasemi problemit dhe do të rregullohet”, ka thënë ai.
Sipas tij, shembja e murit të martën është rasti i fundit.
“Tash e 20 vjet kemi dështuar si shoqëri dhe institucione të organizohemi rreth atij lokaliteti. Organizimi nënkupton që institucionet lokale e ato qendrore të jenë të angazhuara në një strukturë menaxhuese”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, tash e 20 vjet bëhen ceremoni por nuk shihet vullnet në kryerjen e punëve. Ai ka thënë se Kalaja mund të jetë një resurs edhe ekonomik për qytetin e Prizrenit.
Kësisoj ishte planifikuar të bëhej. Më 2014, Ministria e Kulturës, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe organizata “CHwB Kosova” kishin nënshkruar marrëveshjen për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit. Ambasada e ShBA-së në Kosovë, përmes Fondit të ambasadorit për trashëgiminë kulturore, në shtator të vitit 2014 kishte ndarë 700 mijë dollarë, që asokohe kishin vlerën e 549 mijë eurove. Restaurimi i mureve të Kalasë është vetëm njëra pjesë e projektit, derisa aty pos Muzeut janë përgatitur edhe shtigjet për vizitorë, sinjalizimi, e po ashtu edhe tabela shpjeguese.
Prej këtij rezervuari furnizohet me ujë një pjesë e lagjes “Nënkalaja”. Por ekspertë të trashëgimisë kulturore kaherë kanë alarmuar se ai duhet të zhvendoset prej aty