Kulturë

“Prishtina Music Conference” rikthen narracionin për tingujt e dikurshëm

Arti i guximshëm, domethënës e avantgard i viteve ’90 është rikthyer në kuadër të programit të galerisë “Shtatëmbëdhjetë” në kryeqytet që është prezantuar në ditën hapëse të “Prishtina Music Conference”. Kurse arkivimi i historisë kulturore ka qenë tjetër temë e muzika si mjet i ndotjes akustike tjetër etapë e ditës së parë të ngjarjes që u kushtohet krejtësisht zhanreve të ndryshme të muzikës e që sivjet ngrit shumë tema

“Prishtina Music Conference” e ka vënë muzikën në qendër me programin e tyre. Të paktën për dy ditë sa zgjat ky edicion. Të premten në hapje, ndër të tjera, janë vënë në qendër praktikat e artit bashkëkohor, kapërcimi i kufijve dhe thyerja e barrierave artistike. Arti i guximshëm, domethënës e avantgard i viteve ’90 është rikthyer në kuadër të programit të galerisë “Shtatëmbëdhjetë” në kryeqytet. Arkivimi i historisë kulturore ka qenë tjetër temë e muzika si mjet i ndotjes akustike tjetër etapë e ditës së parë të ngjarjes që u kushtohet krejtësisht zhanreve të ndryshme të muzikës e që sivjet ngrit shumë tema.

Arti tingullor i kohëve të vështira

Konferenca edhe në këtë edicion vjen edhe me adresë e frymë të njëjtë. Por me më shumë tema kreative. Në “Kino Armata” në kryeqytet, aktivitetin e hapi me prezantimin “Sound and different practices of contemporary art” me folës nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”. Drejtoresha artistike, Fitore Isufi-Shukriu, dhe menaxherja e komunikimit, Sihana Klisurica, kanë sjellë etapat e zhvillimit të galerisë “Shtatëmbëdhjetë”, nëpërmjet programit të së cilës arti bashkëkohor, me theks në atë tingullor, është zhvilluar.

Para publikut të mbledhur ato kanë thënë se kanë shkëputur sekuenca nga periudha dyvjeçare e punës së Galerisë.

“Jemi munduar të zgjedhim disa prej ekspozitave që kanë pasur tingullin, thjesht sa për të parë se si tingulli ka zënë vend qendror dhe e ka përmbysur aspektin estetik, vizual dhe përmbajtjesor të ekspozitave në programin tonë”, ka thënë drejtoresha artistike në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, Fitore Isufi-Shukriu.

Një historik i shkurtër i prezantuar në fillim të prezantimit për Galerinë e hapur në nëntor të vitit 2021, e përkufizon hapësirën ekspozuese si galeri më ndryshe, që sjell ekspozita të guximshme dhe me një formë më të ndryshme të shprehjes artistike.

Programi vjetor i Galerisë ndërtohet mbi katër tema: “Archiving transition”, “Scanning the region”, “Techne” dhe “Queer ecology”. Për të parën, Isufi-Shukriu ka thënë se me të mundohen të thellohen dhe të sjellin historinë nëpërmjet arkivave në formën e dokumentimit.

“‘Archiving transition’ është një temë që e kemi konsideruar me interes më shumë për historinë tonë kulturore marrë parasysh se këto vitet e fundit kemi pësuar ndryshime drastike politike, sociale e kulturore. Në pamundësi për t’u ndalur në ngjarjet tona të rëndësishme kulturore na ka bërë që shumë ngjarje të kalojnë pa u kushtuar shumë vëmendje”, ka thënë Isufi-Shukriu.

Sipas saj, me “Queer ecology” trajtojnë çështjet e mjedisit por nga një perspektivë “queer”, me “Techne” shpalosin format se si arti flet me teknologjinë ndërsa me “Scanning the region” “mundohen të skanojmë regjionin duke iu kundërvënë stigmave që i bëhen Ballkanit nga Evropa Perëndimore dhe thjesht nga të tjerët”.

Klisurica dhe Isufi-Shukriu e kanë ndërtuar prezantimin në atë formë që të ilustrojnë artin tingullor të shtrirë në të katër temat e galerisë “Shtatëmbëdhjetë”. Në “Scanning the region” është shpalosur ekspozita “Make me coffee, make me a sandwich” që përfshin edhe darkë festive e ritual vallëzimi. Ekspozita e hapur me 16 nëntor të 2021-s përfshinte veprat artistike të Eljesa Beka, Azize Ferizi, Laureta Hajrullahu, Lori Lako, Milica Mijajloviq dhe Barbara Prenka, të kuruara nga malaziasja Natalija Vujoseviq.

“Ajo të gjithë konceptin e ka ndërtuar duke marrë shkas nga garazhi, punëtoria e automekanikut dhe që ne si gra kemi marrë përsipër ta pushtojmë, t’ia ndërrojmë destinimin. Kështu që ajo niset nga kujtimet e saja që ndërlidhen me këto stereotipa për rajonin, duke marrë shkak pikërisht nga kalendari. Sipas kujtesës së saj, çdo automekanik do të duhej ta kishte një kalendar me një pop star të bukur të ish-Jugosllavisë”, ka thënë Isufi-Shukriu për ekspozitën.

Image
“Preserving music, then and now – with Festakordet” ka qenë eksplorimi i arkivimit të muzikës që ka buruar në një prej ngjarjeve më të vjetra e më me bujë në vend dhe jo vetëm. Enis Bytyqi dhe Tringa Sefedini, studentë të Antropologjisë kanë shpalosur të dhënat e arkivuara në ueb-faqen “festakordet.com”

Ndërkohë, publiku është njoftuar edhe me audiot që ishin kompozuar enkas për krejt ekspozitat. Atë të “Make me coffee...” e kishte bërë artistja Eljesa Beka me tekst nga Astrit Ismaili, Driton Selmani, Rozafa Maliqi dhe të tjerëve.

Ekspozita kolektive “Përtej” është prezantuar si pjesë e temës “Archiving transition” të “Galerisë 17”. Ishte qershori i vitit 1997, kur artistët e Kosovës me “Përtej” do t’i shfaqeshin publikut në Beograd në Qendrën për Dekontaminim Kulturor. “Fondacioni 17” e kishte risjellë ekspozitën me copëzat që kanë mbetur prej saj, me dëshmitë e asaj kohe dhe me reflektimet e sotme të “personazheve” të asaj ngjarjeje. Duke pasur si qëllim rikthimin e një ekspozite, e cila kishte bërë jo pak bujë në Kosovë e në Serbi, Galeria, në kuadër të bienales nomade “Manifesta 14” kishte vendosur që të sjellë së paku disa pjesë të ekspozitës.

Fitore Isufi-Shukriu, e cila bashkë me Blerta Hoçian e kishin kuruar ekspozitën, në sesionin e parë të “Prishtina Music Conference” ka thënë se pjesët e mbetura të ekspozitës i kishin trajtuar si artefakte.

“E rëndësishme që e kemi konsideruar bashkë me Blerta Hoçian është se jemi marrë me mbetjet, punimet, që shumica janë djegur, shkaku i luftës dhe ne i kemi trajtuar si artefakte vetëm mbetjet e punimeve, kështu edhe skicat e Maksut Vezgishit, të Mehmet Behlulit disa mbetje të librave të lyera me zift, e vetmja vepër që ka mbijetuar ka qenë muzika”, ka thënë ajo.

Para hyrjes në ekspozitë, takimi i parë ishte ai me tingujt e muzikës, e cila rikthente njëzetepesë vjet më parë, në një kohë lufte dhe në ditën kur ekspozita u hap në Beograd. Kjo muzikë ishte kompozuar nga jazz-muzikanti Ilir Bajri.

Sihana Klisurica ka thënë se me muzikën e Bajrit, në Beograd ishte dërguar mesazhi për paqe. E vetë krijimtarinë e muzikantit e ka cilësuar avantgarde.

“Ka pasur si inspirim poezinë që flet për vdekjen, për masakrën, për luftën dhe mesazhi që është dërguar në një formë në Beograd në atë kohë ka qenë thirrje për paqen dhe ato vepra rezonojnë edhe sot me realitetin botëror. Ideja e Ilirit dhe përfshirja e tij në këtë ekspozitë ka qenë shumë e rëndësishme për karrierën artistike të tij, krahas asaj që ne e njohim si pianist, si jazz pianist dhe si kompozitor, por çfarë vlen të përmendet është se vepra që Iliri e ka krijuar është shumë avantgarde”, ka thënë ajo.

Kësisoj përveç dokumentimit, i cili pasqyron para publikut guximin e artistëve për t’u paraqitur atëherë në Beograd, ekspozita kishte edhe një tjetër qëllim, i cili lidhet me atë se gjeneratat e reja duhet ta dinë se në Kosovë arti bashkëkohor kishte filluar mjaft herët, pavarësisht situatave në të cilën gjendej vendi. Por ekspozita nuk mbaronte në “Galerinë 17”. Intervistat e Shkëlzen Maliqit, Maksut Vezgishit, Mehmet Behlulit e Ilir Bajrit ishin vendosur në katër ekrane në njërën prej hapësirave të hotelit “Grand”.

“Ka qenë një periudhë goxha e vështirë historikisht, politikisht dhe në çdo aspekt tjetër për ne si Kosovë, pasi ka qenë një vit para fillimit të luftës. Vitet ’90 e dimë si periudhë të shtypjes dhe vetë ekspozita në Beograd ka qenë një moment goxha i vështirë në artin bashkëkohor, por edhe në aspektin politik të të dy vendeve. Është vlerësuar si një art i guximshëm dhe këta artistë që kanë marrë pjesë në këtë ekspozitë janë quajtur edhe ‘artistët e rezistencës’, ose artin që e kanë quajtur e kanë quajtur ‘art të rezistencës’ “, ka thënë Klisurica për ekspozitën “Përtej” në përgjithësi.

Ekspozita “In the making” në kuadër të temës “Queer ecology” të “Galerisë 17” ka qenë kapitulli tjetër. Kolektivi “DYVO” dhe artisti Yll Xhaferi, dhjetorin e kaluar kishin zhvilluar aktivitetin “Të ulur rreth një pasoje”, ku për tri javë kishte synuar ndërgjegjësimin ndaj trajtimit të plastikës me synim në reduktimin kreativ të mbetjeve plastike.

Instalacionet aty për aty kishin qenë lloj ilustrimi se sa dëm i shkakton natyrës hedhja e mbeturinave nga vetëm një komunitet minor krahasuar me botën. Të pranishmit ishin mbledhur në formë rrethi, ku si biletë hyrëse kishte qenë sjellja e një shisheje plastike. Fëmijëve pjesëmarrës u ishte kërkuar të lënë testament zërin e tyre duke imituar kafshët, duke menduar një univers ku ato si pasojë e ndotjes do të zhdukeshin.

“Një nga diskutimet ka qenë ‘Na ishte njëherë’ me fëmijë e të tjerë të cilëve u ishte dhënë detyra për të lënë testamentin me imitimin e kafshëve për të ditur pasardhësit se si tingëllojnë kafshët. Nga na ishte njëherë, bëhet më pas një tregim i trishtë”, ka shpjeguar Klisurica në “Kino Armata”.

Ekspozita “Përpara” me ndërmjetësues kreativ Ilir Bajrin kishte qenë ekspozita tjetër ku tingulli ishte në qendër. Artistët pjesëmarrës ishin Viola Rrecaj, Stephanie Rizaj, Laureta Hajrullahu, Armend Xhaferi, Arian Randobrava, Art Lokaj dhe Dren e Ermir Suldashi.

“Iliri i referohet kulturës shqiptare, fjalës ‘përpara’ se si ndryshon perceptimin kohor dhe hapësinor, ku në qoftë se themi përpara në aspektin kohor i bie që është mbrapa shumë kohë më parë. Nëse flasin në perceptimin fizik ajo është përpara. Ai në njëfarë forme i fton artistët pjesëmarrës të reflektojnë mbi të kaluarën me një thirrje mbi të ardhmen”, ka thënë drejtoresha artistike e “Shtatëmbëdhjetë”, Fitore Isufi-Shukriu.

“Akordet...” si ndikim në shijet muzikore

“Preserving music, then and now – with Festakordet” ka qenë eksplorimi i arkivimit të muzikës që ka buruar në një prej ngjarjeve më të vjetra e më me bujë në vend dhe jo vetëm. Në korrik të këtij viti, Enis Bytyqi dhe Tringa Sefedini, studentë të Antropologjisë i kishin mbledhur dëshmitë për “Akordet e Kosovës” në një ueb-faqe.

Sefedini e Bytyqi kishin mbledhur dokumente, rrëfime, materiale arkivore e shumëçka tjetër dhe i kishin vendosur në ueb-faqen “festakordet.com”, e cila ishte lansuar në muajin korrik në Qendrën për Praktika Narrative në Prishtinë. Ueb-faqja ishte projektuar për të qenë e ndarë në pesë pjesë: historiku, netët, matineja për fëmijë, shpërblimet e librat. Aty shfletohen kapitujt e “Akordeve...” fotografi e video.

“Jemi munduar të paraqesim një pasqyrë të një festivali që ka filluar në vitin 1963 dhe është përmbyllur veprimtaria e tij në fund të viteve ’90. Ideja është goxha komplekse. Përpos veprimtarisë artistike ka ndikuar shumë në kultivimin e shijes, komplet estetikës në Kosovë”, ka thënë Bytyqi, derisa ka thënë se njohuritë antropologjike i kanë vënë në shërbim të zhvillimit të web-faqes.

“Jemi munduar, duke u bazuar në prapavijën tonë antropologjike, t’i përfshijmë edhe këto elemente të cilat e bëjnë më të gjallë këtë arkiv, duke treguar edhe për ndjesitë e vetë pjesëmarrësve. Ndër pjesëmarrësit kanë qenë për shembull Pranvera Badivuku e Emine Vala”, ka thënë ai.

autorëve të “festakordet.com”, festivali “Akordet e Kosovës” kishte qenë ngjarja më e përshtatshme dhe më e nevojshme për t’u arkivuar materialet e saj në këtë formë.

“Unë dhe Enisi jemi dakorduar që festivali ‘Akordet e Kosovës’ është një temë shumë e qëlluar për këtë tematikë pasi që në festival ka pasur pjesëmarrës të etnive të ndryshme si shqiptarë , turq, serb dhe romë. E kemi filluar hulumtimin për festivalin dhe për gjithçka që ai ka përfaqësuar. Duhet të cek se për shkak të pjesëmarrjes ë artistëve me etni të ndryshme kemi vendosur që ueb-faqen -n ta bëjmë në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Po pretendojmë që vitin e ardhshëm ta përkthejmë edhe në gjuhën turke”, ka thënë Tringa Sefedini.

Sipas Sefedinit, por edhe siç thuhet në njërin prej rreshtave në pjesën tekstuale në web, qëllimi i ngjarjes “Akordet...” kishte qenë pasurimi i fondit muzikor.

“Ka pasur konkurrime të shumta të këngëve, deri në 200, apo edhe më shumë, por zakonisht formacioni ka shkuar me 18 këngë, nga ato rezervoheshin vendet edhe për këngët për gjuhen serbe dhe turke. Vlen të ceket se në vitin 1971, Festivali e fiton statusin e ri si institucion i pavarur me drejtor Krist Lekajn. Pikërisht në atë vit në dispozicion ishin 466 bileta por ka qenë një problem që ende na ndjek, që është vendi, hapësira dhe salla koncertale”, ka thënë ajo më tej.

Ana tjetër e muzikës ka qenë diskutimi për ndotjen akustike, veçmas asaj të kryeqytetit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me prezantuesen Emina Hyseni kanë zhvilluar bisedën me temë “We have to talk about my ears”.

Dinamika e kryeqytetit, kontrasti midis kërkesës në rritje për argëtim dhe asaj për jetesë normale dhe rregullorja e ndotjes akustike kanë qenë temat kryesore në këtë bisedë.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se këto probleme janë munduar t’i zgjidhin me anë të rregullores dhe të censorëve që matin zhurmën.

“Kemi synuar t’i rregullojmë nëpërmjet censorëve të decibelazhës. Është e ndërlidhur me atë se sa emitohet në pjesët ku banorët jetojnë, pra jashtë, jo brenda hapësirës. Duhet të ketë aq sa është e shëndetshme. Gjithmonë po themi të ketë një rregull ku edhe kërkohet trajtimi i hapësirave që emetojnë këto decibelazha në pjesë ku jetojnë njerëzit apo edhe në hapësira të jashtme, të jetë i monitoruar në mënyrë që të ketë një balancë mes argëtimit brenda dhe jetës në rezidenca jashtë”, ka thënë kryetari Rama.

Sipas tij, izolimi i hapësirave ku vendosen baret, restorantet e klubet e natës do të ishin zgjidha efikase për problemin e ndotjes akustike.

“Unë si arkitekt edhe vetë kam pasur rasti të dizajnoj klube të natës në mes të qytetit, për shembull në Zurich, në bodrum, por është dashur ta dizajnoj ashtu që të jetë një kuti, një kuti që në aspekt akustik është i shkëputur totalisht nga një strukturë në strukturën tjetër dhe evitohet transmetimi i valëve të zërit jashtë apo lart”, ka thënë Rama.

Ngjarja dyditore “Prishtina Music Conference” ka ardhur me edicionin e tretë me program të ngjeshur në ditën e parë. Program që ngrit tema interesante edhe sot (e shtunë).