Pas skenarit se si e kishin gërmuar e përgatitur për ta tërhequr pitosin e lënë në ara prej tetorit të kaluar, për autoritetet policore është i qartë edhe skenari i dytë: ai i kontrabandimit. Destinacion kishte Serbinë. Banori i Kamenicës do t’ia dorëzonte artefaktin shtetasit të Serbisë. Në krejt këtë rast i përfshirë dyshohet të jetë familjari i shfrytëzuesve të arës ku u gjet eksponati. Për Institutin Arkeologjik të Kosovës, kjo ngjarje ilustron edhe pafuqinë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe nxit gërmuesit ilegalë
Një shtetas i Kosovës me banim në Komunën e Kamenicës dhe një shtetas i Serbisë ishin marrë vesh që të bënin kontrabandë. “Mall” i tyre do të ishte pitosi 1 mijë e 700 vjet i vjetër në fshatin Bllatë të Komunës së Kamenicës. Por, lajmërimi i autoriteteve nga banorët e zonës ka bërë që Policia t’i kapë në flagrancë kontrabanduesit në tentativë. Këto janë detajet që autoritetet policore dhe dëshmitarët i kanë dhënë KOHËS, të enjten.
Gërmuesit ilegalë kishin shfrytëzuar mosveprimet e shtetit. Prej fillimit të tetorit të vitit të kaluar, siç ka raportuar KOHA, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk kishte mundur ta marrë pitosin antik të gjetur rastësisht gjatë punës në ara. Pamundësia e shfrytëzimit të buxhetit kishte bërë që për 450 euro, pitosi të ngelet aty ku u gjet.
Gërmuesit ilegalë gjatë fundjavës kishin gërmuar rreth artefaktit. Banorëve të zonës iu kishin rënë në sy lëvizje të veturave me targa të Serbisë. Më pas kishin parë persona duke gërmuar. Menjëherë kishin lajmëruar zyrtarët komunalë e informacioni kishte shkuar edhe në stacionin policor të Komunës së Kamenicës.
Në bazë të dëshmive të mbledhura dhe intervistimit të të ndaluarit, Policia kishte ardhur në përfundim se destinacion i pitosit do të ishte Serbia.
“Dyshohet se ky objekt me vlera arkeologjike është tentuar të kontrabandohet dhe të qitet jashtë shtetit, më konkretisht në Republikën e Serbisë”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.
KOHA nëpërmjet burimeve në institucionet e drejtësisë ka mësuar se shtetasi i Kosovës që ishte marrë vesh me shtetasin Serbisë, është banor i Komunës së Kamenicës me inicialet N.TH. i lindur më 1947. Dyshohet se ai është anëtar i familjes, e cila ka në shfrytëzim parcelën ku ishte hasur në pitos gjatë korrjeve në vjeshtën e kaluar. Shtetasi i Serbisë, që kishte synuar ta blinte artefaktin, është shqiptar me banim në Komunën e Preshevës.
Për autoritetet policore, skenari i dyshes, por edhe i bashkëpunëtorëve të tjerë për ta nxjerrë e kontrabanduar artefaktin tash është edhe më i qartë.
Të hënën policia ishte pozicionuar krahas pitosit, në kodrinën ku shkohet nëpërmjet një rruge të ngushtë e gjarpërore. Dy veta po i prinin në këmbë kamionit me të cilin do të bëhej bartja. Me të parë policët kishin tentuar të ikin. Por shkaku i rrugës së vështirë nuk ia kishin dalë.
“Policia e Kosovës në flagrancë ka hasur në të dyshimtin që ka dashur ta marrë dhe ndaj tij është ngritur rast ‘përvetësim i objekteve me vlera arkeologjike’. Prokurori i shtetit ka urdhëruar që rasti të shkojë me procedurë të rregullt në Gjykatë me kallëzim penal”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Në fillim të javës kur edhe i ishte prerë rruga kontrabandës, pitosi është tërhequr nga zyrtarët e Komunës së Kamenicës dhe është vendosur në Shtëpinë e Kulturës. Instituti Arkeologjik prapë nuk ia ka dalë të bëjë tërheqjen shkaku i pamundësisë vepruese.
“Ne nuk kemi makinë për të udhëtuar e as për të bartur një artefakt të tillë”, ka thënë të enjten Enver Rexha, drejtor i IAK-ut. Ai ka treguar se kanë autorizuar zyrtarët komunalë që ta bëjnë tërheqjen e artefaktit të kohës romake. Por, Rexha e ka pranuar se një rast si ky, e ilustron jo pak pafuqinë e institucioneve të trashëgimisë kulturore.
“Kur e lëmë një artefakt gjashtë a shtatë muaj atje dhe tregojmë se nuk mund ta marrin, është sikur t’u themi gërmuesve ilegalë: ‘Ja ku është eksponati’”, ka thënë ai. Rexha ka thënë se mungesa e xhirollogarive bankare prej qershorit të vitit 2018, ua ka paralizuar punën.
“Ne nuk mund të zhvillojmë aktivitet as kur na duhen 450 euro sikurse në rastin e pitosit për të cilin po flasim”, ka thënë ai.
Me Ligjin për trashëgimi kulturore, gërmimet arkeologjike mund të bëhen vetëm me leje të veçantë të institucionit kompetent. Sipas këtij ligji, “cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre pronësore me të dënohet ose sanksionohet nё bazë të Kodit Penal të Kosovës, Ligjit për Kundërvajtje…”.
Sipas raportit të punës së IAK-së, gjetja e rastit ka vlera arkeologjike për pjesën lindore të Kosovës.
“Pitosi antik u evidentua nga IAK-u si gjetje rasti më datë 5.10.2020 dhe ishte zbuluar rastësisht gjatë korrjes së misrit për silazhe të bagëtive, ku gjatë lëvizjes me traktor është thyer kapaku i pitosit dhe u takon pitosave të mëdhenj me përmasa relative 1.3 X 1.2 metra dhe mendohet se mund të ketë mbajtur rreth 500 kilogramë drithë. Pjesa fundore e pitosit është e shkëputur dhe mund të restaurohet, ndërsa buzët e saj janë dëmtuar, por mund të rikonstruktohen. Rekomandohen restaurimi, vlerësimi shkencor dhe dokumentimi-kartelizimi”, shkruhet në fund të raportit.
Krejt kjo histori do të shmangej sikur institucionet të funksiononin. Në tetor të vitit të kaluar, Komuna e Kamenicës kishte bërë përpjekje të mëdha që artefakti të tërhiqet. Komuna ia kishte ndarë IAK-së 450 eurot e nevojshme për tërheqjen e artefaktit, por IAK-ja thoshte se s’mund t’i shfrytëzonte. Ndryshe e paraqiste këtë situatë Ministria e Kulturës.
“Ne i kemi ndarë mjetet. Kemi kërkuar mundësi që t’ia japim IAK-ut. Ata na kanë thënë se nuk kanë si t’i pranojnë. Të them të drejtën, më duket situatë absurde”, kishte thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Kamenicë, Arianit Ibrahimi.
Qysh prej qershorit të vitit 2018 institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës u janë bllokuar llogaritë në bankat komerciale pasi, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ishin të paautorizuara nga Thesari.
