Kulturë

Petrit Çeku i jashtëzakonshëm ngjall Bachun në Mitrovicë

“Gjashtë suitat për violonçel” të Johann Sebastian Bach, të transkriptuara për kitarë nga violonçelisti Valter Deshpali, janë ngjallur mjeshtërisht nga Petrit Çeku. Në Muzeun e Mitrovicës ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm, ashtu siç e kishte paralajmëruar vetë Çeku koncertin. “Pa ju këto suita nuk do të ishin të gjalla. Prandaj për tash e 300 vjet janë të gjalla, për shkak të njerëzve si ju. Faleminderit!”, ka thënë Çeku para se të vazhdonte me sutën e fundit në koncertin i cili për të ka qenë i pari në Mitrovicë

Është jo fort e zakontë edhe për skenat më të mëdha botërore të tingëllojnë “Gjashtë suitat për violonçel” nga Johann Sebastian Bach. Edhe më, të luhen në kitarë. E jashtë krejt kufijve të zakonshmes ishte nata e së enjtes në sallën e Muzeut të Mitrovicës, kur në skenë u ngjit kitaristi shqiptar i njohur botërisht, Petrit Çeku.

Suitat e Bachut janë të njohura për kompleksitetin e tyre teknik dhe thellësinë emocionale. Shfaqin kuptimin e tij të thellë të formave muzikore dhe aftësinë për të ngjallur një larmi emocionesh. Interpretimi i tyre në kitarë nga Petrit Çeku e çoi publikun në një udhëtim që nis me momente të gjalla dhe plot hare e deri tek pasazhet introspektive dhe melankolike duke kapur thelbin e emocionit dhe përvojës njerëzore. Në njëfarë forme, koncerti ka qenë edhe homazh për maestron Valter Deshpali që ka i ka transkriptuar për kitarë suitat e Bachut. Pa punën e violonçelistit e muzikantit të shquar me rrënjë arbëreshe, i cili vdiq muajin e kaluar në moshën 76-vjeçare, zor se Bachu do të përkthehej në kitarë. Për Çekun qe koncerti i parë në Mitrovicë.

Çdo suitë përbëhet nga një sërë lëvizjesh, secila me karakterin dhe strukturën e vet unike. Janë të punuara me përpikëri, me melodi të ndërlikuara, harmoni dhe linja kontrapunktike që krijojnë një përvojë të pasur dhe zhytje në botën e mirëfilltë muzikore. Interpretimi i Çekut i ofroi audiencës mundësi të pafundme për eksplorim muzikor. Në interpretim i duhet përqendrim i skajshëm dhe secila zhurmë i bëhet pengesë. Në Mitrovicë i ka dalë punë edhe me mediat, kur e ka ndërprerë për pak koncertin, duke kërkuar që të hiqen kamerat.

Petrit Çeku konsiderohet si një nga kitaristët më të mëdhenj të gjeneratës së tij. Ekspresiviteti i tij ka tërhequr audiencën në mbarë botën. Suitat për violonçel të Bachut janë kthyer në monument dhe shpesh “vizitohen” nga violonçelistë e kitaristë. Çeku jep një interpretim të mahnitshëm të tyre.

Në paralajmërimin e tij për koncertet në Kosovë ai kishte thënë se e kishte dëshirë të kamotshme që projektin e tij shumëvjeçar ta sillte edhe në Kosovë.

Me po aq dëshirë edhe u organizua pritja e Çekut në Komunën e Mitrovicës.

“Natyrisht që, siç po vërehet, jam akoma me shumë emocione. Me të vërtetë ishte natë magjike dhe që nga fillimi kur kam kontaktuar me Dardanin (Selimajn v.j.) kemi folur për ta sjellë Petrit Çekun në Mitrovicë. Kemi bërë çmos si komunë që kjo natë të ndodhë. Sonte veç u pa edhe nga audienca, edhe nga e tërë magjia që na e dhuroi, gjithë ato emocione”, ka thënë Valdete Idrizi, drejtoreshë e Kulturës në Mitrovicë. Ka thënë se ka kohë që nuk është ndier më e emocionuar sesa mbrëmja e koncertit. “I jam jashtëzakonisht mirënjohëse vetë Petritit dhe gjithë atyre që kanë ndihmuar që të organizohet ky koncert sonte”, ka thënë Idrizi. Inspirim për çdonjërin e vlerësoi interpretimin e tij.

“Ne sot në audiencë kishim edhe shumë të rinj, Petrita të ardhshëm, kështu që ata kanë gjetur inspirim sonte dhe jo vetëm ata, por edhe mua dhe gjithë të pranishmit. Edhe ky është një kontribut drejt synimit që ne duam ta arrijmë. Jemi duke punuar çdo ditë që të mundemi t’i zhvillojmë kushtet për të gjitha këto talente”, ka thënë Idrizi.

Organizimi i këtij koncerti në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve u kthye në një rastësi të bukur për stafin e Muzeut të Mitrovicës. Udhëheqësja e sektorit të etnologjisë në Muze, Nora Prekazi, ka thënë se ky është edhe misioni i tyre, që t’i ofrojnë publikut të Mitrovicës ngjarje të tilla.

Image

“Ka qenë një ditë me ndjenja të përziera, me streset e një organizimi të përmasave më të mëdha, për një artist të përmasave botërore, e në anën tjetër, me atë ngazëllimin që po e festojmë Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në kësi versioni të madh. Ka pasur streset e veta organizimi po edhe kënaqësitë e veta, e pamë dhe e dëgjuam vetë se më çfarë duartrokitjesh u përmbyll. Ky është edhe mision i yni. T’i ofrojmë audiencës kënaqësi dhe mundësi për të bashkëjetuar me trashëgiminë, kështu që qe një mbrëmje e bukur”, ka thënë Prekazi.

E për sallën e Muzeut ka thënë se ka magji më vete, dy herë më shumë nën tingujt e kitarës së Petrit Çekut.

“Shumë e ngazëllyer personalisht dhe shumë të gëzuar si staf i institucionit. Ne e kemi këtë sallë që është një perlë e llojit të vet. E ka akustikën e vet, e ka sharmin e vet, e mban memorien kolektive të qytetit dhe është e pajisur me tërë këtë trashëgimi. Do të thotë këtu dy herë ka magji më vete. Unë po besoj që kjo e ka shtyrë organizatorin e artistit tonë të madh me e sjellë këtu po për ne ka qenë dy herë kënaqësi: ta festojmë festën tonë dhe njëkohësisht me e shiju një artist”, ka thënë Prekazi.

Deri te suita e fundit Çeku me publikun komunikoi nëpërmjet tingujve të kitarës së tij. Pa nisur më të fundit iu drejtua të pranishmëve me fjalë.

“Tash kemi mbërri të suita e fundit dhe më e vështira. Para se të vazhdoj desha ta falënderoj secilin nga ju për ardhjen tuaj sonte. Pa ju këto suita nuk do të ishin të gjalla. Prandaj për tash e 300 vjet janë të gjalla, për shkak të njerëzve si ju. Faleminderit!”, ka thënë Çeku.

Mbrëmja përfundoi me duartrokitje frenetike, të cilat e kthyen Çekun disa herë në skenë. Ka qenë një koncert që vetë kitaristi e kishte pritur gjatë.

“Interpretimi i këtij cikli të suitave të Bachut në tërësi përfaqëson një sfidë të veçantë për çdo instrumentist, por edhe një përjetim të jashtëzakonshëm për publikun. Ka kohë që më ka kapluar një dëshirë që ta ndaj këtë eksperiencë me publikun kosovar, prandaj jam shumë i gëzuar që, falë organizatorëve kulturorë që treguan gatishmëri që të më ndihmojnë me logjistikë, kjo ide do të realizohet”, kishte thënë Çeku, ku u bë i ditur rikthimi i tij në Kosovë me dy koncerte. “Jam posaçërisht i kënaqur që koncertet do të jenë në Mitrovicë, ku po shkoj për herë të parë edhe në Prizren, vendlindjen time, ku paraqitjen e fundit e kam pasur para rreth 7 vjetësh”, kishte thënë ai.

Koncerti në Prizren do të mbahet të shtunën në katedralen “Zoja Ndihmëtare”. Para publikut në Kosovë ai kishte interpretuar në janarin e sivjetmë, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës në koncertin simfonik, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Risi për publikun ishte premiera botërore e “Koncertit për kitarë” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, e cila erdhi në interpretim mjeshtëror të Çekut, nën drejtimin e dirigjentit izraelito-gjerman Maayan Franco. Po aty u interpretuan edhe “Koncerti i Aranjuezit” nga Joaquín Rodrigo për të vazhduar me simfoninë e nëntë të Antonín Dvořák, “Nga bota e re”.

Ditë me parë Çeku u shpall fitues i çmimit “Porin” në Kroaci, në kategorinë “Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin e ‘Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17’ nga Goran Listeš”, botuar nga “Croatia Records”.