Kulturë

Përparim Rama: Prishtina, pikturë abstrakte përballë asaj realiste

“Unë e definoj Prishtinën si pikturë abstrakte përballë asaj realiste, ku abstraktja mund të krijojë historinë e saj apo të ndërlidhë me eksperienca të ndryshme”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në cilësinë e arkitektit. Ai ka qenë njëri nga tre ligjëruesit në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë. Joni Baboci ka folur për Tiranën e arkitekti arab, Hussan Dakkak, i ka “zhvendosur” pjesëmarrësit në Mekë

Përparim Rama e ka përshkruar Prishtinën si “piktura abstrakte përballë asaj realiste”. Një definicion të tillë kryetari i Prishtinës e ka bërë në cilësinë e arkitektit. Ka qenë njëri prej tre ligjëruesve në të parën ligjeratë në kuadër të serisë së tyre në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë.

“Unë e definoj Prishtinën si pikturë abstrakte përballë asaj realiste, ku abstraktja mund të krijojë historinë e saj apo të ndërlidhë me eksperienca të ndryshme”, ka thënë Rama, i cili si arkitekt ka bërë emër kryesisht në Londër. Në ligjëratën e tij ka thënë se si student ka vërejtur se secili qytet ka impaktin e veçantë emocional brenda tij. Është shprehur se secili nga qytetet evropiane e ka bërë të ndihej ndryshe, por ka numëruar edhe veçantinë e kryeqytetit të Kosovës.

“Prishtina është qyteti ku njerëzit bien në dashuri me ndjenjën e saj, si për nga aspekti arkitektural dhe urbanistik. Marrë parasysh se rritemi, zhvillohemi, ashtu edhe tentojmë t’i ikim kaosit dhe trafikut me të cilin ballafaqohemi çdo ditë”, ka thënë ai.

Festivalin, i cili sivjet shënon edicionin e dhjetë, e që nisi me punëtori më 4 korrik, e ka vlerësuar të rëndësishëm për kontributin që po bëhet për studentët e Kosovës që synojnë profesionin arkitektit. Ligjërata e Ramës i ka kontribuar kryesisht kureshtjes së studentëve. Ai ka ndarë edhe eksperiencat e tij me arkitekturën e metropoleve evropiane dhe me ndjesitë që i kanë reflektuar si ndërlidhje e perceptimit të arkitekturës me personalitetin.

Por, nuk ka qenë vetëm Prishtina “pikë referente” në diskutimin për arkitekturën dhe jo vetëm, të enjten mbrëma në “Kino Armata”.

Joni Baboci ka folur për Tiranën e arkitekti arab, Hussan Dakkak, i ka “zhvendosur” pjesëmarrësit në Mekë.

Nata e katërt e edicionit të dhjetë të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë u është kushtuar aspekteve të ndryshme arkitekturore të këtyre tri qyteteve.

Arkitekti Baboci, ish-drejtor i Urbanizmit në Tiranë, para studentëve është shprehur se ajo që të gjithë e ndiejnë është jeta në një botë që është e pandryshueshme, e paqartë dhe komplekse. Ndër të tjera, ka shpalosur edhe arkitekturën e mëhershme të qyteteve në Shqipëri.

“Një nga gjërat interesante që i ngjasojnë të menduarit e një projekti si ekosistem do të thosha se është projekti për sheshin në vitin 1989. Një tentativë për të pasur një shesh të pasur, i cili në vitin 1999 informalisht po transformohej në një rrethrrotullim, ndërsa që në vitin 2010 zyrtarisht kthehet në rrethrrotullim”, ka thënë Baboci, derisa është shprehur se si njësi individuale, e gjitha ka të bëjë me atë se si i qasemi planifikimit të qytetit. Ai ka vlerësuar se Tirana i ngjason pak a shumë asaj që është “Ballkoni i Ballkanit”, si qytet në mesin e shteteve të rajonit që janë të ngjashme.

Hussan Dakkak kryefjalë të prezantimit të tij ka pasur zhvillimin urbanistik të Mekës, si njëri prej qyteteve më të frekuentuara të botës islame. Si pjesë e bordit për planifikimin e Mekës dhe Medinës, ka shpalosur punën e tij pesëvjeçare me shkollën verore dhe ka bërë analizën e shtresave të paanalizuara më parë. Kjo e fundit i ka shërbyer si bazë për vizualizimin e së ardhmes së qytetit të Mekës, videoincizimi i së cilës është shfaqur në “Kino Armatë”. Ka vlerësuar se është e rëndësishme të kuptohet se objektet e shembura të kultit fetar mund të rivendosen në lokacione të reja dhe kjo do të ishte në të mirë të banorëve rezidentë në Mekë.

“Të kuptosh zhvillimin e Mekës dhe të gjithë pjesës duhet të kuptosh në thelb vendosjen e secilit objekt që kryesisht është në përbërje të gjithsej 390 xhamive. Pjesa qendrore e qytetit është e ndriçuar teksa ato më periferike janë të ndriçuara aty-këtu. Nëse vazhdoni më përtej kësaj zone do të shihni se e gjithë kjo pjesë nuk ka fare ndriçim publik”, ka thënë ai.

Edhe në këtë edicion jubilar, sikurse gjatë viteve të tjera, Festivali i Arkitekturës mëton të sjellë para studentëve dhe arkitektëve të rinj metodologji e qasje bashkëkohore.

Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku, ka thënë se punëtoritë po zhvillohen me vegla ende të papërdorura në fushën e arkitekturës në Kosovë. Ai e ka vlerësuar të dyanshëm qëllimin e “Architecture Festival”: si kontribut ndaj studentëve dhe si model për arkitekturën në Prishtinë.

“Qëllimi ynë është t’i inspirojmë studentët, ka qenë nga fillimi, njëjtë edhe sivjet kemi ftuar njerëz që mund të tregojnë perspektiva interesante. E patëm ish-drejtorin e Urbanizmit në Tiranë, Joni Baboshi, i cili tregoi një historik shumë interesant se si kanë qasje në Tiranë në krijimin e hapësirave publike. Si një model shumë i mirë që mund të shërbejë edhe për Prishtinën”, ka thënë Ramku.

Studentë të arkitekturës e pasionantë të saj janë kryesisht pjesa dominuese që ndjekin ligjëratat.

“Për mendimin tim është shumë me rëndësi të shohim se çfarë ka jashtë Kosovës, se si krijohet arkitektura në vendet e tjera. Secili person që vjen në podium ka shumë më shumë eksperiencë sesa ne studentët dhe është mirë të mësojmë nga ta. Është mirë të shohim çka bëjnë arkitektët botërorë që ne të mësojmë nga përvojat e tyre”, ka thënë Rona Kasabaqi, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës. Të dobishme i ka konsideruar ligjëratat edhe Aranit Krasniqi, student i degës së Arkivistikës në nivelin master, por që pasion e ka arkitekturën.

“Mendoj se Prishtina mund të marrë shumë mësim nga kjo se si mund të gjejë zgjidhjet në ato që kryeqyteti aktualisht po përballet. Më bëri përshtypje se si edhe Tirana, edhe Meka kanë pasur plane shumë ambicioze për të ndryshuar situatën në terren e që mendoj se Prishtina nuk e ka një të tillë”, ka thënë ai.

Festivali, pjesa e parë e të cilit që do të zgjasë deri më 10 korrik, për t’u rikthyer prej 12 shtatorit deri më 1 tetor, këtë vit nuk ka pasur një temë specifike. Të gjitha ligjëratat e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë janë të hapura për publikun dhe mbahen kryesisht në “Kino Armata”.