Përderisa “Peaches”, pas mesnate në një ambient të rrethuar ku paguhej hyrje e nuk lejoheshin ata nën 18 vjeç që të jenë brenda, ka bërë thirrje për të drejtat e njeriut nëpërmjet një spektakli, efekti i saj është shënuar në mesditë, në qendër të Prizrenit dhe në ligjëratën e hoxhës në Xhaminë e Sinan Pashës. Fiks një javë pas performancës, që është mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest”, qendra e qytetit të Prizrenit është mbushur me protestues. Sipas organizatorëve të festivalit, reagimi është mbështetur nga ata që nuk janë sa duhet të informuar
“Peaches” e ka arritur ndikimin e vet. Të premten e javës së kaluar, në 00:00 në një qoshe të qytetit Prizrenit, këngëtarja e producentja kanadeze Merrill Nisker, e njohur si “Peaches”, ka interpretuar në stilin e saj dhe për kauzat që lufton. Krejt performancat e saj – tash e tri dekada – kanë një emërues të përbashkët: të drejtat e njeriut.
Përderisa “Peaches”, pas mesnate në një ambient të rrethuar ku paguhej hyrje e nuk lejoheshin ata nën 18 vjeç që të jenë brenda, ka bërë thirrje për të drejtat e njeriut nëpërmjet një spektakli, efekti i saj është shënuar në mesditë, në qendër të Prizrenit dhe në ligjëratën e hoxhës në Xhaminë e Sinan Pashës.
Fiks një javë pas performancës, që është mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest”, qendra e qytetit të Prizrenit është mbushur me protestues. Krejt kësaj i kanë prirë reagimet në rrjete sociale gjatë fundjavës së kaluar. Prej figurave të njohura publike si shkrimtarë e publicistë deri te disa politike, përfshirë deputetë kanë reaguar kundër performancës duke e konsideruar “degjeneruese”. Shumica pa e parë atë fare. Pika që i ka bashkuar janë imazhet me gjokset e “Peaches”. Në ato raste jo rrallë është thënë se “me atë performancë është hapur edicioni i 22-të i festivalit”. Por në realitet ceremonia hapëse ka qenë me krejt tjetër përmbajtje, tjetër lokacion dhe me tjetër orar. Madje, si gjithmonë është transmetuar edhe drejtpërdrejt në KTV.
Thirrja e kryetarit të Këshillit të BIK-ut në Prizren
Por për Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren, “DokuFest” është antivlerë. Ky institucion religjioz ka bërë thirrje për protestë.
“Ftesë kundër ‘DokuFest’. Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore! Të premten, në orën 14:00, në sheshin ‘Shatërvan’, takohemi së bashku për ta ngritur zërin tonë kundër ‘DokuFestit’, pro familjes. Hajde edhe ti, t'i përgjigjemi pozitivisht ftesës së organizatorëve”, ka shkruar në Fascebook kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha.
Protesta është thirrur për në orën 14:00 menjëherë pas ceremonisë së lutjeve që besimtaret myslimanë bëjnë ditën e premte. E në Xhaminë e Sinan Pashës – xhamia qendrore e Prizrenit – imami Orhan Bislimaj në ligjëratën e tij midis lutjeve ka numëruar arsyet se përse duhet luftuar e keqja, duke aluduar në “DokuFest”.
“Qytetarët vigjilentë të qytetit tonë e kanë parë dhe vlerësuar të arsyeshme për ta ngritur zërin kundër një degjenerimi, një festivali me emër unik ‘DokuFest’, që po i servohet qytetit tonë për 22 vjet. Nuk është në pyetje vetëm sivjet që paskan shfaqë pamje apo kulturë antivlerë degjeneruese, perverse e ku ta di. Sinqerisht shumë vjet e për çdo vjet kemi pasur reagime prej qytetarëve. Na kanë thënë se medet çfarë filmash po shfaqen, filma me motive të ulëta, perversë, horror”, ka thënë ai para besimtarëve. E sivjet, sipas imamit, është shënuar kulmi.
“Sivjet ishte kulminacioni i shfaqjes degjeneruese që ndodhi jo larg Xhamisë së Sinan Pashës e jo larg këtyre 40 minareve të qytetit të Prizrenit. Nuk mjafton që kundër këtyre veseve degjeneruese të ngrihen vetëm imamët”, ka thënë ai. Ka bërë thirrje që të ngrihet zëri kundër një të keqeje.
Imami: “Ta luftojmë të keqen, ta luftojmë degjenerimin...”
“Ta luftojmë të keqen, ta luftojmë degjenerimin...”, ka thënë ai. Pavarësisht që është imam dhe paraprakisht ka thënë se degjenerimi po ndodh jo larg 40 minareve, sipas tij, protesta nuk ka ngjyra fetare.
“E kemi obligim prej zotit ta ngremë zërin kundër çdo dukurie negative. Sot qytetarët vigjilentë kanë thirrur protestë në sheshin ‘Shatërvan’. Nuk është protestë fetare, politike e partiake. E ka vetëm një ngjyrim: kundër degjenerimit që e ka sjellë festivali ‘DokuFest’ në Prizren. E kemi përkrahur e do ta përkrahim fuqishëm, se duhet përkrahur qytetarinë aktive kundër të këqijave”, ka thënë ai.
Me të përfunduar ceremonia e lutjeve, një pjesë jo e vogël e besimtarëve i janë bashkuar protestës. Mllefin e kanë pasur aq të lartë saqë nuk kanë duruar në mesin e tyre as gazetarët. Gazetari Vullnet Krasniqi është detyruar fizikisht që të largohet nga turma. Në këtë rast prej ballkonit të Xhamisë së Sinan Pashës është bërë thirrje për protestë paqësore. Nga ajo hapësirë edhe është lexuar deklarata e protestës.
“Festivali viteve të fundit kulmoi me performanca publike perverse e erotike. Si qytetar të Prizrenit, ne deklarojmë se performanca e shfaqur nuk përkon kurrsesi me traditën dhe kulturës tonë. Këto të bëma nuk janë pasqyrë e asnjë qyteti në Kosovë e aq më pak e kryeqytetit të shqiptarisë, Prizrenit”, ka lexuar një prej organizatorëve. Sipas tij, performancat e tilla nuk janë asgjë tjetër veçse degjenerim.
“Jemi të vetëdijshëm për ndikimin turistik që ka një organizim i tillë. Por rreziku i degjenerimit nuk arsyeton asnjë përfitim material. Ftojmë organizatorët që të reflektojnë për vitet në vijim dhe të shmangin organizimet e tilla. Nëse protesta e sotme has në vesh të shurdhër, ne do të qasemi me mjete të tjera demokratike”, ka lexuar një prej organizatorëve. Më pas është bërë thirrje: “Po kulturës, jo degjenerimit”. E pak pas kësaj kanë nisur thirrjet “Allahu akbar”.

Nurkollari: “Festivali angazhohet për të drejtat e njeriut”
Por “DokuFest” shkon përtej “Peaches”. Po ashtu përtej atyre që janë mbledhur për të protestuar kundër festivalit. Është ngjarja më e madhe e këtij lloji në vend e edhe në Ballkan. Është partner zyrtar i festivalit të Cannes. Me 8 kategori sivjet, nën temën që shqyrton inteligjencën artificiale, shfaq filma dokumentarë që sjellin rrëfime nga krejt globi. Të drejtat e njeriut, si gjithmonë janë në qendër. Titujt e mediave prestigjioze të botës, si “Dokufest e sjell botën në Prizren” janë bërë të zakonshëm. E qyteti jugor ka hyrë në hartën e botës së kinematografisë shkaku i këtij festivali, që është themeluar këtu e 22 vjet më parë. Për ndikim financiar dihet: Milionat hyjnë në Prizren gjatë javës së festivalit. Kjo është dëshmuar qysh para më shumë se një dekade. Sipas një studimi të Institutit GAP, në vitin 2011, “DokuFest” kishte një ndikim direkt ekonomik prej 3.1 milionë eurosh, kurse nëse në përllogaritje hyjnë edhe shpenzimet e konsumit, atëherë ndikimi vjetor është 3.8 milionë euro. Asokohe GAP llogariste që ndikimi ekonomik i “DokuFestit” për një periudhë 4-vjeçare pritet të jetë 17.5 milionë euro. Por mbi të gjitha “DokuFest” është frymë.
Veton Nurkollari, bashkëthemelues e drejtor artistik i “DokuFestit”, ka thënë se protestën e ka parë si të panevojshme.
“Bazuar në informatat që kanë, i kanë të pasakta e gjysmë të sakta duke aluduar që performanca e ‘Peaches’ ka qenë në hapje të festivalit dhe kanë pasur qasje që të gjithë. Performanca ka qenë pas mesnatës, me bileta dhe jemi munduar që të krijohen të gjitha kushtet që të mos hyjnë ata që janë nën moshën 18-vjeçare”, ka thënë Nurkollari. Sipas tij, mund të ketë edhe arsye të tjera që është organizuar protesta.
“Mendoj se me të u është krijuar dëm qytetit e festivalit. Por jemi vend demokratik dhe nuk jemi kundër protestave. I vetmi shqetësim është dhuna, si ajo ndaj gazetarit që nuk është dashur të ndodhë”, ka thënë ai. Sipas Nurkollarit, gjuha e përdorur për thirrje të protestës nuk është ajo që do të duhej të përdorej nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, “por kjo është e tyre”.
“Ne jemi komod në atë që bëjmë dhe ky festival angazhohet për të drejtat e njeriut. Angazhimi ynë nuk është selektiv për të drejtat e dikujt e jo të dikujt tjetër. Kemi kategori të veçantë të filmave për të drejtat e njeriut”, ka thënë Nurkollari.
“Si mysliman me vjen keq që kjo protestë është mbajtur me thirrje të BIK-ut”
Dardan Selimaj është një prej atyre që festivalin e njeh prej afër me vite të tëra. E ka mbuluar atë si gazetar. Selimaj, menaxher në Filharmoninë e Kosovës dhe organizator i ngjarjeve kulturore tash e dy dekada, ka thënë se fakti që kjo protestë vjen si thirrje nga Këshilli i BIK-ut në Prizren është e rrezikshme dhe devijimi i saj në të ardhmen mund të jetë i paparashikueshëm. Sipas tij, protesta si e tillë duhet të kundërshtohet, sepse në një shtet laik rregullin se çfarë duhet të ndodhë e çfarë jo e përcaktojnë institucionet e shtetit dhe jo bashkësitë fetare.
“Si qytetar i këtij vendi, por edhe si mysliman me vjen keq që kjo protestë është mbajtur me thirrje të BIK-ut. Thirrje si këto mund të priten vetëm nga fundamentalistët. Sot përzihen ne ngjarje të kulturës e nesër kush e di se çfarë mund të projektohet nga grupime me bindje të tilla”, ka thënë Selimaj. Sipas tij, BIK-u do të duhej të distancohej nga ajo çfarë ka ndodhur në Prizren. “Besoj se shoqëria kosovare do të jetë e aftë t'i tejkalojë provokimet e tilla”, ka thënë ai.
Provokimet e “Peaches” janë tejkaluar në shumë vende ku ka interpretuar ajo, duke shfaqur kauzat për të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara. Por në Prizren performanca e saj ka bërë që një numër jo i vogël i qytetarëve të ngrihen kundër “DokuFestit”. E në këtë rast i bie që të ngrihen kundër vetë qytetit, pasi ky festival ka çuar emrin e Prizrenit në krejt globin.