Janë botime që u hyjnë në punë studiuesve të fushave të ndryshme. Nuk pritet që të ketë interesim të gjerë. Por, në ditën e tretë dhe të fundit të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, ngjarja që është mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk ka pasur pothuajse fare vizitorë. Madje edhe para kohës së paralajmëruar, ata që janë kujdesuar për shtandet kanë nisur të paketonin librat.
I konceptuar si panair ku do të prezantohen botimet e institucioneve shkencore të të gjitha trevave shqipfolëse, Panairi për tri ditë ka bërë bashkë dy akademi, universitete të ndryshme e organizata që veprojnë në trevat shqiptare. Në edicionin e dytë janë promovuar veprat e reja të botuara midis dy panaireve.
Por për dallim prej edicionit të parë, që u mbajt vjet në të njëjtin muaj në Tiranë, sivjet, sipas atyre që janë kujdesur për shtandet, interesimi ishte më i vogël.
Nevin Demneri, i cili është kujdesur për shtandin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka thënë se Panairi ende nuk ka një traditë.
“Organizimi ishte shumë i mirë, por ende nuk ka një traditë ky Panair. Në Tiranë ishte në ambient të hapur dhe moti ishte në anën tonë. Njerëzit kalonin e shihnin Panairin dhe interesoheshin”, ka thënë ai. Sipas Demnerit, kur të krijohet një traditë më e gjatë ndoshta edhe interesimi do të rritet më shumë.
Studiuesja Arjana Striniqi, profesoreshë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ka thënë se kishte pritur që interesimi duhej të ishte më i madh. Ajo ka prezantuar edhe librin e saj studimor “Histologjia”.
“Nuk e di përse Akademia dhe Universiteti nuk janë më të lidhura. Nuk kishte shumë profesorë. Nuk e kuptoj këtë. Duhej të ekzistonte një lidhje më e fortë midis këtyre dy institucioneve”, ka thënë ajo. Audienca ka munguar edhe kur e ka prezantuar librin e saj. Ka thënë të ketë vënë re se kur bëhet fjalë për vepra të gjuhës apo të arteve audienca ishte më e madhe.
“Kjo do të duhej të vlente edhe për shkencat ekzakte”, ka thënë ajo të mërkurën. Në kuadër të Panairit janë prezantuar botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis tyre, vëllimi i tretë i veprës “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore – të pathënat dhe enigmat” me autor Paskal Milon, albumi “Veshje popullore shqiptare” e “Portreti – 120 vjet histori të pikturës shqiptare (1880-2000)” i Abaz Hados.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës kanë prezantuar po ashtu botimet e tyre. “Kongresi i Beratit dhe Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare” bashkë me “Revista arkivore 2022” janë prezantuar si punë e vyer arkivore.
Organizatorët qysh në ditën e parë kishin vlerësuar se libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur te lexuesi krahasuar me letërsinë dhe artet. Kjo kishte qenë një prej arsyeve pse ishte menduar të bëhej Panairi me qëllim të ofrimit të lexuesit me botimet e kësaj natyre. Kjo është bërë e ditur edhe në ceremoninë hapëse që u ka paraprirë krejt aktiviteteve.
Në ditën e parë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kishte ndarë çmimin “Jakov Xoxa” për nder të 100-vjetorit të lindjes së romancierit të njohur të shekullit të kaluar. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ia kishte dorëzuar çmimin akademikut e profesor Sabri Hamitit për librin “Stilografia” të botuar vitin e kaluar.
Në kuadër të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor janë prezantuar botimet duke nisur me ato të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Dita e parë e Panairit u është kushtuar gjuhësisë, letërsisë dhe historisë, ku janë prezantuar vepra si “Stilografia” e Sabri Hamitit dhe “Vepra VI” e Selman Rizës.
Në ditën e dytë janë prezantuar studime kryesisht të shkencave ekzakte. Organizatorët ishin zotuar se Panairi do të vazhdojë duke e konsideruar atë si nismë pozitive e promovuese.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, kishte thënë se libri shkencor është botë më vete dhe se kërkon me ngulm lexues të kualifikuar.
“Magjia e tyre qëndron sa në ide të reja, në dije të gjithanshme dhe mendime të thella, po aq edhe në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve. Deduksionet hipotetike dhe as emocionet nuk janë ana e fortë e shkrimit shkencor. Ne në Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Kosovës punimet shkencore dhe artistike i konsiderojmë parësore në punën tonë dhe në programet tona vjetore”, kishte thënë akademik Kraja. Të pranishmit i kishte njoftuar se për dy vjet Akademia ka botuar mbi 35 tituj me vëllim mbi 15 mijë faqe dhe me tirazh prej 300 kopjesh për titull.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vaso Tole, kishte thënë se fakti që edicioni i dytë i ngjarjes po organizohet në Prishtinë është prova më e mirë e vlefshmërisë dhe rëndësisë së organizimit të Panairit. E kishte vlerësuar si aktivitet unik që jep mundësinë të shihen nga afër produktet akademike.
“Me këtë panair, mes tjerash, dëshirojmë që rrjetit të botuesve të librit shkencor t’u mundësohet funksionimi si një i tërë që botuesit e tij ta shohin njëri-tjetrin si pjesë të një familjeje dhe botimet e qendrave universitare me pak mundësi komunikimi t’u bashkohen rrjedhës së përgjithshme të librit shkencor akademik. Panairi është rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re mes botuesve dhe lexuesve”, kishte thënë akademiku Tole. Promovimi i botimeve e takimi midis pjesëmarrësve mbesin pika e fortë e Panairit, pasi shitja – të paktën në Prishtinë – ka qenë e zbehtë.
{gallery}