Rreth dy javë pasi që Kori i Filarmonisë së Kosovës u prezantua me koncert në Shkup, institucioni më i lartë muzikor e ka mbledhur përsëri publikun në kryeqytetin e shtetit fqinj. Veçse këtë herë e gjithë loja koncertale është bazuar në instrumentet e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Instrumentistët kanë komunikuar muzikalisht me publikun nga salla e madhe e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, derisa ata kanë qenë të shpërndarë duke e respektuar distancën si masë mbrojtëse nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Edhe orkestra është paraqitur e përgjysmuar. E lojën e saj muzikore në zbërthim të programit të bazuar në vepra shqiptare e ka udhëhequr dirigjenti nga Tirana, Gridi Kraja.
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është kthyer pas 16 vjetësh para audiencës së Shkupit, ku ishte prezantuar në vitin 2004 me operën “Dasma arbëreshe”.
Por një koncert i tillë s’ka qenë përjetim vetëm për publikun, por edhe për instrumentistët. Orkestra ka përjetuar në Shkup akustikën e sallës, të cilën e kërkon tash e dy dekada, e një ndjesi e tillë ka qenë e përzier midis përjetimit të tingëllimës së duhur dhe zhgënjimit me kushtet që i mungojnë në vend të vetin.
“Natë në malin e zhveshur” e kompozitorit rus Modest Mussorgskyt e ka nisur rrugëtimin muzikor të Orkestrës që për ndalesë ka pasur veprat e kompozitorëve shqiptarë. Vepra që hapi programin, “Natë në malin e zhveshur”, e inspiruar nga letërsia ruse, është vlerësuar si një “fotografi muzikore”. Ndjesi të ngjashme kanë përçuar edhe instrumentistët në çdo ndërveprim me instrumentet. Uvertura nga opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi u parapriu edhe dy veprave të kompozitorëve nga Kosova. Vepra, e cila u luajt me një intensitet të shtuar tingujsh, u pasua nga “Vallja e luftës” për orkestër harkore dhe timpane të kompozitorit Baki Jashari, dhe vepra “Loja” për orkestër harkore dhe timpane nga Valton Beqiri. Të dyja veprat ishin porositur nga dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, një dekadë më parë.
“Vallen e luftës”, e cila është pjesë e kompozimit “Luftë dhe paqe”, Jashari e kishte kompozuar për koncertin e Filarmonisë së Kosovës në Tokio, në vitin 2010. Për Jasharin, si drejtor i Filarmonisë së Kosovës dhe si kompozitor, dëgjimi i veprës nga ndërtesa e përuruar në vitin 2017 në Shkup ia shton kënaqësinë e të dëgjuarit të saj nga kjo sallë, por edhe ia kthen zhgënjimin e vazhdueshëm që institucioni më i lartë muzikor në Kosovë ende e vuan mungesën e sallës koncertale, e aktivitetin e saj tash e dy dekada e ushtron në kushte joadekuate pune. Rreth 40 milionë euro, është kostoja e objektit të Filarmonisë së Maqedonisë me kapacitet prej rreth një mijë karrigesh.
“Është kënaqësi për ne si autorë që të përjetojmë veprën tonë në kushte ideale, pasi që dihet se tek ne vazhdimisht e kemi këtë hendikep, sepse tek ne edhe nëse diçka përgatitet bukur, gjithmonë për shkak të akustikës së Sallës së Kuqe, por edhe të sallave të tjera, dëmtohet performanca e orkestrës. Këtu ishte e kundërta”, ka thënë Jashari për KOHËN.
Me një ndjesi të ngjashme e ka përcjellë koncertin edhe kompozitori Hajrullah Syla, teksa ka dëgjuar në Shkup interpretimin e veprës së tij “Uverturë shqiptare”, e cila qe luajtur premierë në vitin 2018 në Prishtinë, po nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës në Prishtinë.
“Ishte një interpretim mjaft i mirë ndërsa, siç dihet, në këtë sallë gjithçka tingëllon shumë më mirë”, ka thënë Syla.
Dirigjenti nga Tirana, Gridi Kraja, i cili po e udhëheq Filarmonisë në një tur koncertesh, ka thënë se ky në Shkup erdhi me një tingëllim ndryshe për shkak të akustikës, gjë që ndikoi edhe në lojën e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.
“Sonte u përballëm me një tingëllimë tjetër, pasi që Filarmonia këtu e ka një sallë të shkëlqyer. Fatkeqësisht ne shqiptarët as në Kosovë e as në Shqipëri nuk e kemi një sallë si kjo. Nuk kemi as salla që do t’i përafroheshin sado pak kësaj. Kjo është një fatkeqësi, megjithatë ne u ndjemë shumë mirë sot dhe orkestra luajti në mënyrë të shkëlqyer, sepse edhe ata ndiheshin shumë më mirë, dëgjonin shumë më mirë, parametrat vinin shumë më mirë tek publiku”, u shpreh Kraja pas koncertit.
Motivet shqiptare janë veçmas të shprehura në veprën “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi. Vepra me aranzhim të Gridi Krajës, e cila ishte në mesin e programit që për më shumë se një orë e mbajti Orkestrën në skenë, erdhi si një përjetim i veçantë për publikun. Kjo veçse u dëshmua edhe në një intensitet më të shtuar të duartrokitjeve të publikut pas veprës. E dërgimi i veprave shqiptare në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut nga violinisti Blerim Grubi u cilësua u cilësua si një nevojë për ta shuar etjen e publikut. Për Grubin, këto koncerte duhet të shërbejnë si bazament për të vazhduar traditën e shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve dhe që tingujt e orkestrës kosovare të dëgjohen nga kjo sallë.
“Publiku këtu është i etur që të dëgjojë vepra nga kompozitorët shqiptarë. Zakonisht këtu ka më shumë kompozitorë vendas të Maqedonisë së Veriut. Prishtina me Shkupin me këtë autostradë janë shumë më afër dhe pse të mos bëhen edhe më shumë koncerte këtu. Pra, premiera të jetë në Prishtinë dhe repriza në Shkup, edhe publiku i Shkupit ta shijojë atë që e shijon ai i Prishtinës. Kjo është shumë e rëndësishme për këmbim kulturor mes dy shteteve, të bëhet një marrëveshje, dhe pse jo të mos shfrytëzohet kjo sallë në këtë mënyrë”, ka thënë Grubi.
Jehona Kastrati, e cila është nga Kosova por jeton në Shkup, ka qenë në mesin e atyre që e ka ndjekur këtë koncert. Kastrati ka thënë se e ka përjetuar si një dhuratë të madhe në këto kohë të vështira.
“E ndoqa koncertin me vëmendjen më të madhe, e humbur në notat e instrumenteve që na shëtisnin nëpër veprat më të bukura shqiptare, të cilat i dhanë edhe më shumë madhështi këtij koncerti. Derisa e dëgjoja koncertin e Filarmonisë së Kosovës ndihesha më afër shtëpisë”, ka thënë Kastrati.
Kori i Filarmonisë së Kosovës më 16 tetor solli koncertin pas shtatë muajsh pauze në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, e orkestra rikthimin para publikut e pati më 22 tetor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Që nga këto koncerte Kori e Orkestra interpretimin e tyre muzikor e kanë bartur edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. Të mërkurën e kaluar Gjakova ka qenë stacioni i Orkestrës, kur publikut të atij qyteti iu rikthye pas një mungese prej pesë vjetësh. Kështu ata po e shënojnë 20-vjetorin e themelimit të institucionit më të lartë muzikor në vend, ani pse e kishin paraparë që këtë ta bënin me prezantime edhe në skenat e njohura evropiane, ndër to edhe ajo në Hungari. Alamet koncerti ishte paraparë të mbahej më 22 prill në sallën “Kodaly” në Pécs, që cilësohet të jetë një prej sallave me akustikën më të mirë në Evropë. Së bashku me orkestrën, në këtë koncert do të interpretonte edhe kitaristi virtuoz me famë ndërkombëtare Petrit Çeku. Për shkak të situatës, koncerti për të cilin qysh në shkurt ishin shitur gati të gjitha biletat, është shtyrë për mot.
Koncerti i radhës i Filarmonisë së Kosovës do të mbahet më 6 dhjetor në Prishtinë, ndërsa koncerti tradicional i fundvitit do të mbahet më 19 dhjetor. E Kori i Filarmonisë së Kosovës së shpejti do të prezantohet me koncert edhe në qytetin e Ferizajt.