Kulturë

Nobelisti përkrahës i Millosheviqit “rikthehet” në Ferizaj si denoncim

Përderisa gjendet në mes të turneun që e ka nisur në rajon e më gjerë, “The Handke Project” është rikthyer në Ferizaj, aty ku u dha në qershorin e sivjetmë, tash në Festivalin e Teatrove. Me të njëjtin intensitet, shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt, denoncon nëpërmjet nobelistit austriak, Peter Handke, hipokrizinë globale ndaj krimit

Pas turneut nëpër rajon e me gjerë, “The Handke Project”, që zhvesh nobelistin austriak, mik të Sllobodan Millosheviqit, Peter Handke, është rikthyer në Ferizaj. Është stacionuar aty për të dytën herë me radhë, tash në edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove. Pritja ka qenë e jashtëzakonshme. Radha për të hyrë brenda në teatër ka qenë e gjatë. Po gjatë janë ndier edhe duartrokitjet në fund të shfaqjes, të cilat e kanë rikthyer kastën e aktorëve disa herë në skenë.

Ndërkaq sa u përket tematikës dhe mënyrës së trajtimit, shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, është prej të rrallave sa i përket guximit. E përplas realitetin nga rrafshi ballkanik në atë global. Ironia është një prej elementeve kryesore. Mirëpo asnjëherë si ekzagjerim apo një version fiktiv, por vetëm në suaza të ngjarjeve të vërteta.

Protagonist i gjithë rrëfimit është shkrimtari austriak, Peter Handke, i cili del nga atributi i shkrimtarit dhe penën e tij e përdor për propagandë. Dashuria e tij për Serbinë shkon deri në atë masë që e mohon krimin ndaj 8.000 boshnjakëve myslimanë të Srebrenicës. Të njëjtën e bën edhe për Kosovë.

Por goditja vjen nga Akademia Suedeze e Nobelit, atëherë kur në vitin 2019 ai shpërblehet me Çmimin Nobel për letërsi. E shfaqja pikërisht ngre pikëpyetje për mënyrën se si një përkrahësi të flakët Millosheviqit i jepet një çmim prestigjioz.

Pas rrugëtimit në festivalin italian “Mittelfest”, në Beograd, Prishtinë e Shkup, shfaqja e saj sërish në skenën vendore ishte një rikthim që u shijua nga audienca. Po njësoj dukej edhe nga aktorët. Me intensitetin e gjithë shfaqjes, e cila e fut publikun në një soj mozaiku ngjarjesh edhe të vërteta tek zbërthen mitin për Serbinë si shtet i viktimave dhe jo i agresorëve, hipokrizitë globale e një varg pasqyrimesh të tjera, i bëri aktorët Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha të kenë gjallëri në skenë.

“Unë kur erdha në Kosovë prisja një shfaqje shqip, më thanë: jo është anglisht. Kur e shikova subjektin, e pashë që kishin të drejtë. Është subjekti i mohuesit modern të kohës sonë, të gjakut tonë të derdhun, të viktimave tona”, ka thënë aktori shqiptar me nam botëror, Arben Bajraktaraj.

Ka thënë se shfaqja kudo që po rrugëton ka pritje të jashtëzakonshme. Situata ndryshoi veç në Beograd, atje ku u përballën me një “pritje akull”, e me “kundërpërgjigje” mediash që i fryjnë nacionalizmit.

“Më kujtohet në vitet e ‘90, ai ka ardhur në Kosovë dhe ka promovuar librat e tij kur neve na rrihnin, plaçkitnin, në kohën e aparteidit. Ai i ka mbetur besnik totalisht një pro – fashisti serbomadh”, ka përsëritur Bajraktaraj atë që kishte thënë edhe pas premierës botërore të shfaqjes, në teatrin “Oda” në Prishtinë, më 3 qershor të këtij viti. Pak ditë më vonë qe shfaqur edhe në teatrin “Adriana” të Ferizajt.

Sipas tij, “Handke s’ka qenë vetëm, nuk është vetëm”. Ka përkrahje shumë të madhe, disa e përkrahin vetëm në aspektin e shprehjes së (lirë) të tij: ‘po more se secili ka të drejtë ta thotë atë që mendon’”.

Sipas tij është bërë “mode” mohimi i së vërtetës në Evropë, e sidomos për shqiptarët.

“Është shfaqje radikale, politikisht i angazhuar. Është qëndrim. (Reagimi) Për ata që s’e njohin Handken ishte: ‘Përnjëmend ashtu ka bërë?’, do të thotë është zbulim faktesh”, ka thënë aktori, i cili ka luajtur në filma të famshëm si “Taken”, “Harry Potter” e shumë të tjerë.

Kjo shfaqje sa herë e luan i fal emocion. E përshkruan çdo lëvizje e ngjarje brenda saj se e përjeton si një frymëmarrje për shkak se ngjizet me rolin.

“Në kontekst të mesazhit është një kënaqësi e madhe me punu me ta, se kishte 20 vjet që s’kishim punuar bashkë. Ishte angazhimi përtej aktrimit si formë e shprehjes së artit”, shprehet ai. “Shfaqja është edhe mbështetje ndaj viktimave”.

Për aktorin e teatrit të Ferizajt, Nexhat Xhokli, kjo shfaqje zhvesh gjithçka.

“Është një shfaqje që përdhos propagandën, e cila e ka mbështetur krimin. Mua më pëlqeu ajo zhveshja e miteve, një personalitet që shpërblehet me një çmim prestigjioz, që e arsyeton krimin”, u shpreh ai.

Sipas tij, aktorët ishin shumë të përgatitur dhe krijuan një pamje të bukur në skenë.

“Më ktheu në 30 vjet prapa, në 20 vjet prapa, në 10 vjet prapa. Më ktheu edhe këtu ku po jetojmë”, u shpreh ai për të përmendur edhe Festivalin. “Qëllimi i Festivalit të Teatrove ka qenë jo të profilizohet Festivali, por të sillen këtu para këtij publiku të mrekullueshëm, shfaqjet ishin të mrekullueshme deri në natën e katërt”, ka thënë ai.

E arkitekti shkodran, i cili jeton në Prishtinë, Antonio Kiri, ka thënë se shfaqja i doli përtej pritshmërive. E cilësoi si shfaqje që ndryshon ndjesitë.

“Nuk ma kishte marrë mendja që do të kishte me qenë kaq e mirë. Shfaqja është shfaqje brenda shfaqjes. Është koncept interesant, të dyja shfaqet kanë një lloj të satirës dhe komedisë, por komedi që kalon në tragjedi. Është një pingpong mes komedisë dhe tragjedisë”, përfundoi Kiri.

“The Handke Project” rrugëtimin do ta vazhdojë në Bosnjë e Gjermani në nëntor. Është bashkëprodhim nga qendra “Multimedia” me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak “MESS”.