Kulturë

Nesër promovohet “Studime Orientale” që vjen në pesë gjuhë

Instituti për Studime Orientale në Prishtinë nesër do të promovojë numrin e katërt të revistës “Studime Orientale”.

Ngjarja zë vend në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë nga ora 11:00.

“Studime Orientale” vjen në pesë gjuhë, nga e majta janë në shqip, anglisht e turqisht, kurse nga e djathta arabisht e persisht, transmeton Koha.net.

Në këtë numër revista është botuar në një formë e përmbajtje më ndryshe në krahasim me numrat e kaluar.

Kryeredaktori i saj Muhamed Mufaku thotë se ky ndryshim është derivat i ndryshimeve institucionale.

Sipas tij, në këtë numër të revistës, që doli në 250 faqe. janë tri punime origjinale që trajtojnë tema të ndryshme dhe përkthimi arabisht i punimit të Skënder Gashit për egjiptianët e Kosovës.

Në të ka edhe një shkrim që ndriçon jetën dhe veprën e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Mehdi Frashëri sa ishte guvernator i Jerusalemit ose i Palestinës, siç quhej më 1912.

Një punim tjetër që ka të bëjë me historinë shqiptare është ai i Abdulla Rexhepit, "Logjika e Aristotelit në mjediset shqiptare", kurse punimi i tretë i Isa Memishit prezanton Fjalorin e parë historik të gjuhës arabe, që u botua në Doha më 2018, pas dështimit të shumë përpjekjeve gjatë shekullit të kaluar.