Janë vepra të cilat shkruajnë jo vetëm historinë e muzikës. Ato përthekojnë dhe historinë kombëtare, e shpalosja e tyre në Ditën e Flamurit është rrugëtim i shumëfishtë. Njësoj edhe ndjesitë që prekin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës, bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës, janë bërë bashkë për ta shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorit të 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë me “Koncert me klasikët shqiptarë”
Kur në program bëjnë pjesë disa prej atyre që konsiderohen si perlat e muzikës shqipe, dihet se publiku nuk do të mungojë. Atmosfera festive ndihet ende pa nisur koncerti. Karriget e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë janë të pakta përballë entuziazmit të madh për ta ndjekur programin. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës, bashkë me ansamblin “New Born” dhe Oktetin Vokal të angazhuar nga Opera e Kosovës, janë bërë bashkë për të shënuar manifestimin qendror të Ditës së Flamurit, njëherësh përvjetorit të 111-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Në manifestime si këto “fshihen” edhe telashet në interpretim. Nuk del fort në pah mungesa e provave të Oktetit kur kumbojnë Orkestra dhe solistja Zana Abazi-Ramadani.
Mbrëmja e së martës e titulluar “Koncert me klasikët shqiptarë” ka nisur me veprën e Rauf Dhomit, “Të falemi o dhe” që vjen si festë, por njëkohësisht edhe një lloj homazhi për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e pavarësinë e shqiptarëve. Me flamurin gjigant në prapavijë skena merr tjetër dimension. E ngjyrat muzikore bashkë me tonet patriotike kanë bërë që publiku, përtej rrugëtimit muzikor nëpërmjet notave, të prekë edhe historinë.

Nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani, kur në skenë ka dalë sopranoja Zana Abazi-Ramadani, është hapur një tjetër etapë e koncertit. Kënga tradicionale “Asaman” qe veç një intro e saj për publikun bashkë me atë “O moj bukuroshe”. Më pas ka qenë radha e “Dashnor t’u bana” me kompozim të Shime Deshpalit. Loja vokale e Abazi-Ramadanit e përcjellë nga Orkestra Harkore ka sjellë tjetër frymë në sallën e vobektë. Më pas sopranoja ka kaluar te tonet më patriotike që gërmojnë nëpër historinë e shqiptarëve. “Mallëngjimi” me kompozim të Rashid Krasniqit ka bërë që publiku të futet në botën e atyre që vuajnë për atdheun dhe këtë e shprehin nëpërmjet muzikës. Për të “thyer” pak këtë rrugëtim muzikor, “E kujtoj atë takim” e kompozuar nga Parnvera Badikuvu ka sjellë të tjera emocione. E interpretuar dikur nga këngëtarja ikonë Nexhmije Pagarusha, kjo vepër ka ngjallur ovacione. Kësaj i ka kontribuar edhe interpretimi i hollë i Zana Abazi-Ramadanit. Loja e saj ka bërë që festa e Ditës së Flamurit të marrë një kthesë të bukur nëpërmjet muzikës. E pranishme në sallë ishte edhe vetë kompozitorja Pranvera Badivuku. Pas interpretimit kanë shpërthyer duartrokitjet. E Abazi-Ramadani e ka ftuar atë në skenë duke bërë që publiku ta nderojë edhe më shumë veprën dhe kompozitoren.

Simbolika e dhurimit të luleve për Badivukun bashkë me krejt ovacionet kanë bërë që një personalitet tejet modest si ajo të skuqet pak dhe të marrë çehren e njeriut që për dekada me punë të madhe i ka dhuruar muzikës shqiptare vepra ikonike.
“U ndjeva shumë mirë. Kam kënaqësi gjithmonë kur e dëgjoj Zanën. Me këtë zë engjëllor çdo kënge i jep shkëlqim dhe ashtu edhe këngës sime. Performanca e saj gjithmonë ka qenë e mirëpritur nga ana ime. E kam dëgjuar edhe një tjetër version që e ka kënduar më herët, por edhe tash mbresat ishin shumë të mira. Po ashtu edhe orkestrimi më ka pëlqyer shumë”, ka thënë Badivuku.
Njashtu sikurse interpretimet solo edhe ato nga Okteti apo vetëm nga Orkestra kanë gjetur rrugën që të prekin emocionalisht publikun.
“Lamtumirë” me Avni Krasniqin në trumbetë dhe Betim Krasniqin në trombon kanë kthyer kompozimin e pavdekshëm të Muharrem Qenës. E kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” interpretuar nga Okteti ka hapur kapitullin e muzikën e jugut të Shqipërisë në sallë. Veprat si “Hej ju male” e Çesk Zadesë interpretuar vetëm si kompozim i Çesk Zadesë në trumbetë me Avni Krasniqin e “Baresha” e Rexho Mulliqit me Kaltrina Krasniqin në flaut, Shkumbin Bajraktarin në klarinetë e Gëzim Latifin në violinë, kanë bërë që të mos lihen anash as kompozimet më të njohura të këtyre anëve. Aso vepra që për bazë kanë melosin shqiptar dhe mjeshtërisht kanë hyrë në partiturat e muzikës klasike nota të patejkalueshme dhe rrënjësore kur flitet për traditën muzikore të shqiptarëve. Dhe, normalisht publiku në raste të tilla rrëmbehet nga emocionet që përcillen nga skena.
Abazi-Ramadani me “Valsin e lumturisë” të Avni Mulës dhe “Agimet shqiptare” të po këtij kompozitori, ka mbyllur koncertin. Me veprat e kompozitorit shqiptar me prejardhje nga Gjakova i ka vënë pikën koncertit që ishte festë më vete.

Abazi-Ramadani ka thënë se secila vepër e kishte peshën e vet dhe nuk ishte lehtë të interpretonim në këtë hapësirë. Në këtë rast ka shtuar se beson që ia kanë dalë shumë mirë dhe publiku ishte shumë i kënaqur.
“Të them të drejtën në festa të tilla dhe me vepra të tilla është tjetër emocion, del në tjetër dimension të patriotizmit. Në këto rastesh mendoj shumë gjëra të ndryshme se çfarë ka ndodhur duke filluar edhe nga lufta ku nënat kanë mbetur pa fëmijë e pa të dashurit e tyre. Mundohem që sado pak, të sjell atë emocion dhe atë ndjesi që ata e kanë dhe e ndiejnë. Mundohem që energjia ime të transmetohet te publiku”, ka thënë ajo.
Dirigjenti Edon Ramadani, i cili bashkë me Valton Beqirin kanë orkestruar veprat e interpretuara, ka thënë se për ta si artistë është e rëndësishme se si është reagimi i publikut.
“Nuk është lajm i ri që sonte nuk kishte vende për të gjithë pasi e dimë që akoma nuk kemi një sallë adekuate që të akomodojë publikun e të mos flasim për çështjet teknike që u mungojnë sallave të tilla ku performojmë”, ka thënë ai. Sipas Ramadanit, janë ndarë shumë të kënaqur, pasi njerëzit kanë nisur të vijnë edhe një orë më herët.
“Kjo është kënaqësi e madhe, pasi këto koncerte jepen për audiencë. Kaluam jashtëzakonisht mirë. Energjia ishte shumë e mirë”, ka thënë ai. Se energjia ishte në nivel të lartë, vërehej në çdo moment. Ditët si ajo e 28 Nëntorit e kanë këtë përjetim, sidomos gjatë interpretimit të muzikës shqiptare. Përtej kësaj, mënyra e interpretimit e ka bërë të veten. Zana Abazi-Ramadani ia ka dalë që të mbërthejë të pranishmit në kujtesën e tyre. Bash sikurse e ka përmendur pas koncertit, ka sjellë natyrshëm magjinë e muzikës që shtynë të pranishmit të kujtojnë kohë të vështira. Por njëkohësisht edhe të festojnë për ditë më të mira.