Kulturë

Ministria e Kulturës prezanton sukseset, dështimet i arsyeton me pandemi

Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që të realizojë as gjysmën e programit që kishte planifikuar për vitin 2020. Bile, as nuk i është afruar. Në një konferencë për media, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, të mërkurën pasdite ka prezantuar punët që janë finalizuar gjatë këtij viti.

Ajo ka thënë se ky vit ishte shumë sfidues shkaku i pandemisë. Por, sipas saj, me shumë përkushtim ia kanë dalë që të çojnë përpara projekte të ndryshme.

Nëpërmjet një videoje, MKRS-ja ka përmbledhur punët e kryera gjatë këtij viti. Janë përmendur me numra vendimet dhe memorandumet e nënshkruara nga ministrja Dumoshi. Pastaj secili aktivitet që është mbajtur deri te pjesëmarrja e ministres Dumoshi në një darkë në fshatin Drenoc të Deçanit. “Dokumentimi i Darkës së Lamës”, është prezantuar ajo ngjarje.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit, në trashëgimi kulturore ishin paraparë 70 projekte kapitale. Sipas videoprezantimit kanë përfunduar vetëm pesë. Në kulturë ishin projektuar 21 investime kapitale. Nuk janë realizuar as 50 për qind. Arritje është hapja e kodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së, e që mund të konkretizohet vitin që vjen. Po ashtu, në listë të sukseseve është edhe botimi i kompletit të veprave të Anton Çettës, që u zvarrit pesë vjet, ashtu sikurse edhe vendimi për shpronësimin e veprave të hotelit “Grand”. Qe një proces pa epilog për gjashtë vjet.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit, në trashëgimi kulturore ishin paraparë 70 projekte kapitale. Sipas videoprezantimit kanë përfunduar vetëm pesë. Në kulturë ishin projektuar 21 investime kapitale. Nuk janë realizuar as 50 për qind.

Për këtë ministrja e Dumoshi është arsyetuar me pandeminë. Sipas saj, janë edhe disa të tjera që nuk janë përfshirë në të arriturat e prezantuara. S’e ka përmendur faktin se në arkeologji nuk është punuar në asnjë projekt.

“Deri në muajin korrik nuk kemi mundur të procedojmë me projekte të reja për shkak të ballafaqimit me pandemi. Kam kërkuar nga Ministria e Financave të lejohen disa restaurime në trashëgimi”, ka thënë ajo, në prezantimin e raportit vjetor të punës, në ceremoninë e përmbyllur me koktej.

Por Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë të çojë përpara as dy projektet më të mëdha në kulturë e trashëgimi kulturore: teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Muzeun e Historisë së Natyrës.

Më dy dhjetor janë bërë 11 vjet prej kur ishte vendosur guri themeltar. U hap një gropë, që bashkë me projektin kushtoi mbi një milion euro dhe shpejt u ndërpre puna. Nuk nisi më asnjëherë. Në ceremoninë e asaj kohe morën pjesë Filarmonia dhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Performuan me idenë se shpejt kjo hapësirë do të ishte shtëpia e tyre e përhershme. Por nuk ngjau kësisoj.

Në vitin 2019, Ministria e Kulturës ka hapur konkurs ndërkombëtar për projekt të ri për këtë ndërtesë me idenë që ta ndërtojë pikërisht atje ku kishte nisur, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë. Tri projektet konkurruese kanë ngelur në sirtar pasi po më 2019, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është në finalizim të procedurave që bash aty të zërë vend një kampus i ri universitar.

Arritje është hapja e kodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së, e që mund të konkretizohet vitin që vjen. Po ashtu, në listë të sukseseve është edhe botimi i kompletit të veprave të Anton Çettës, që u zvarrit pesë vjet, ashtu sikurse edhe vendimi për shpronësimin e veprave të hotelit “Grand”. Qe një proces pa epilog për gjashtë vjet

“Është e pafalshme që Kosova 20 vjet pas luftës nuk ka arritur ta ketë një teatër të operës apo një sallë. Në vitin 2004 është marrë një vendim në Kuvend Komunal të Prishtinës, ku është ndarë vendi për teatrin e operës”, ka thënë Dumoshi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë këtij viti disa herë ka thënë se afër Fakultetit Teknik nuk ka hapësirë për teatër.

“Kjo është një përgjigje e papjekur. Me fletë poseduese ajo pjesë i takon MKRS-së dhe kjo pronë nuk mund të tjetërsohet”, ka thënë Dumoshi të mërkurën.

Është bërë një vit që kur është ndërprerë puna në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. E vetmja ditë e vitit kur punëtorët kanë dalë për të punuar në ndërtimin e objektit – që llogaritet të kushtojë 2.4 milionë euro e për të cilin deri në fund të këtij viti janë shpenzuar 365 mijë euro – është ajo e 16 korrikut. Kishin qëndruar aty pasi vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga ministrja Dumoshi. Por qysh prej dhjetorit të vitit të kaluar, i vetmi njeri që kryen punë në vendpunishten që gjendet në hapësirën e njohur si “Te pishat” është rojtari.

Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë të çojë përpara as dy projektet më të mëdha në kulturë e trashëgimi kulturore: teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Muzeun e Historisë së Natyrës

Sa i përket këtij projekti, ministrja Dumoshi nuk ka pasur përgjigje të mërkurën. Si sukses është prezantuar edhe financimi i projekteve kulturore e artistike për këtë vit në vlerë prej 1.5 milionë eurosh. Por për shumicën e këtyre projekteve nuk janë bërë pagesat ende. Sukses më vete është prezantuar financimi i projekteve individuale në kudër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike. Megjithëse në buxhetin e ndarë ishin 461 mijë euro, sipas MKRS-së janë financuar projekte në vlerë prej 594 mijë eurosh.

Qysh në mars u premtuan 5 milionë euro ndihmë për kulturën, rininë dhe sportin në kuadër të atij që planifikohen si “Fond emergjent”. Por ky fond nuk u jetësua kurrë. Qeveria e marsit nuk mbijetoi as dy muaj dhe erdhi ajo e qershorit. Komuniteti artistik vazhdoi me pritje. Dikur nisi të nxjerrë kërkesa. Një grup i artistëve në qershor kërkuan përgjegjësi për mosjetësimin e Fondit emergjent për kulturë. Shtatë muaj pas ardhjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Ministria e Kulturës hapi konkurs për projekte individuale në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike duke llogaritur në 461 mijë euro. E më 11 dhjetor u shpallën 269 fituesit e fazës së parë. Por ky konkurs nuk u llogarit si mbështetje për artistët e pavarur që nuk mund të zhvillonin aktivitete.