Kulturë

Mileti dhe shtetësia

Kombësia në kuptimin e identitetit etniko-kombëtar e nxori thelbin e vet nga përvoja e bashkësisë fetare të miletit, ndërsa qytetari – koncepti shekullar – ishte i përcaktuar në bazë të territorit ku ai jetonte, shkruan sot Koha Ditore.

Prandaj krizave kulturore, politike e ekonomike që i përfshinë vendet e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme, që nga krijimi i tyre, në masë të madhe mund t’u përshkruhen mospërputhjet midis idesë shekullare të shtetit me konceptin fetar të kombit të rrënjosur në filozofinë e miletit. Prandaj në analizën përfundimtare mund të thuhet se procesi i dyfishtë i formimit të shteteve dhe kombeve në këto rajone e ka ndjekur kursin dikotomik dhe i krijoi shtetet kombëtare, ku qytetaria dhe kombësia ngelën të shpërputhura dhe të përcjella me konflikte të kohëpaskohshme.

Pra, është e qartë se studimi i formimit të kombeve në Perandorinë Osmane në radhë të parë kërkon studimin e sistemit të miletit, jo vetëm që ta kuptojmë dikotominë midis kombit dhe shtetit, por edhe që më thellë t’i vlerësojmë karakteristikat socio-kulturore të shteteve kombëtare të Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme, që dolën nga matricat e sistemit të miletit.

Sistemi i miletit lindi gradualisht si përgjigje e përpjekjeve të administratës osmane për ta marrë parasysh organizmin dhe kulturën e grupimeve të ndryshme fetaro-etnike mbi të cilat grupime e ushtroi pushtetin kjo perandori. Në njërën anë sistemi e siguronte shkallën e caktuar të kontinuitetit fetaro-kulturor dhe etnik në këto bashkësi, ndërkaq në anën tjetër ky sistem e mundësonte përfshirjen e tyre në sistemin administrativ, ekonomik dhe politik.

Një grupim etniko-fetar do të mund të ruante kulturën dhe besimin e vet, ndërkaq njëkohësisht ky grupim do t’i nënshtrohej “osmanizimit“ në sferat e tjera të jetës. Prandaj është e kuptushme kur perëndimorët udhëtuan nëpër vendet osmane në shekukt XVII dhe XVIII, ata atje hasën në diveristete të mëdha në zakone, gjuhë dhe në përkatësi të ndryshme fetare, në rajone dhe bashkësi të ndryshme, ndërkaq ata njëkohësisht e vërejtën se ato grupime dhe bashkësi ishin shumë identike në rrafshin ekonomik, social dhe politik.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)