“Qysh në vitin 1190 ka migrime sporadike të arbërve drejt Venedikut dhe ka disa që migrojnë për në Brindizi në Itali. Më 1272 ka po ashtu migrime të kufizuara të vendosur në një lokalitet të quajtur Pallavirgata, por që nuk ekziston sot, nuk është i banuar me arbëreshë”, ka thënë Durim Abdullahu, në ligjëratën me temën “Migrimi i arbërve në Itali (shek. XV-XVI)”. Nëpërmjet fakteve është dëshmuar se betejat e lufta e Skënderbeut determinonin edhe migrimet e arbërve
Fillet e para të migrimit të arbërve në Itali, valët e migrimeve masive, shkaqet dhe pasojat e këtyre migrimeve dhe krijimi i diasporës së arbëreshëve të Italisë, kanë qenë temat e kapitujve që të enjten janë shpalosur në studimin “Migrimi i arbërve në Itali (shek. XV-XVI)” nga Durim Abdullahu, asistent në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik. Kjo ka qenë edhe ligjërata e dytë në kuadër në edicionit të katërt të Seminarit të Antropologjisë, i cili nisi më datë 27 të muajit të kaluar.
Ligjëratën e tij Abdullahu e ka nisur duke bërë një përshkrim të historisë së qytetit të Shkodrës, përkatësisht periudhës së Skënderbeut dhe betejave kundrejt pushtimit otoman.
Por, përveç luftërave dhe fitoreve të shumta, figura e Skënderbeut qe edhe si nismë e migrimit të arbëreshëve të Italisë, e cila në shumë aspekte ishte e ndikuar nga veprimtaria, jeta dhe vdekja e Skënderbeut. Në këtë kuptim Abdullahu ka folur edhe për rëndësinë e madhe që kishte atëherë Arbëria duke qenë se gjendej në kufi me Perandorinë Osmane. Me këtë rast ka përmendur se si rrethimi i Shkodrës së asaj kohe nga Perandoria Osmane kishte bërë bujë në botë aq sa kishte bërë edhe rrethimi i Kostandinopojës apo rrethimi i ishullit të Rodosit në Greqi.
Studimin Abdullahu e ka ilustruar edhe nëpërmjet hartave të ndryshme.
“Hartat janë të rëndësishme për të parë se arbrit nuk janë të vetmit që migrojnë drejt Italisë. Thjesht, dy brigjet e Adriatikut të asaj kohe – gadishullit Iberik dhe Ballkanik – kishin një komunikim të tillë ku Adriatiku më shumë sesa një det ishte një lumë, në kuptimin që ata kishin marrëdhënie tregtare e politike dhe mbronin interesant e njëri-tjetrit për shkak se kishin një armik të përbashkët që ishte Perandoria Osmane”, ka thënë Abdullahu, në ligjëratën e mbajtur në njërën nga sallat e Fakultetit Filozofik.
Në lidhje me periodizimin e migrimit të arbërve në Itali, Abdullahu ka thënë se studiuesit ndahen në dy grupe: në të tillë që periodizimin e ndajnë në shtatë pjesë dhe të atillë që e ndajnë në nëntë pjesë. Megjithatë, meqenëse studimi i tij kishte të bënte posaçërisht me shekujt XV- XVI, Abdullahu ka shpjeguar tetë valë të migrimit të arbërve. Këtë periodizim ai e nisi me gjurmët e hershme të migrimit, në një kohë kur ato ende nuk kishin marrë intensitetin e një fenomeni.
“Qysh në vitin 1190 ka migrime sporadike të arbërve drejt Venedikut dhe ka disa që migrojnë për në Brindizi në Itali. Më 1272 ka po ashtu migrime të kufizuara të vendosur në një lokalitet të quajtur Pallavirgata, por që nuk ekziston sot, nuk është i banuar me arbëreshë. Në fund të shekullit XIV, më 1396, të prirë prej një të quajturi Miko Dragovik, 10 familje arbre me gjithsej gjashtëdhjetë persona vendosen në fshatin Peroi në kufirin venedikas”, ka shpjeguar ai.
Nga kjo ai ka kaluar te migrimet e para masive të arbërve dhe ka shpjeguar edhe shkaqet që çuan drejt këtyre ikjeve.
“Në fund të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XIV është vala e parë e vërtetë e migrimit të arbërve në Itali. Në këtë kohë ka luftë mes dy luftuesish për fronin e Napolit, Luigji II të Anzhuinëve - Valua dhe Ladislavit I, mbretit nga familja Durazzo, pra Durrësit, të cilët po luftonin me njëri- tjetrit. Alfosni, i cili pastaj do të vinte në krye të mbretërisë së Napolit merr me pagesë mercenarë, përkatësisht luftëtarë profesionistë arbërorë, të cilët pastaj do të njihen si stratiotë dhe këta shkojnë në Itali për të luftuar për të drejtën e Napolit, por ata shkuan bashkë me familjet e tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, luftërat e Skënderbeut kishin qenë shumë të lavdishme, por në anën tjetër ato edhe e kishin shkatërruar demografikisht Arbërinë.
“Më 1460-62 për shkak të një obligimi që ishte tipik për fisnikërinë e kohës në Evropë, Skënderbeu i shkon në ndihmë Ferdinandit I, të birit të Alfonsit, Mbretit të Madh të Napolit, sepse i kishte vdekur babai dhe ky nuk arrinte të vinte në pushtet. Kishte shumë kundërshtarë të cilët po përpiqeshin t’ia merrnin territorin. Si pasojë e kësaj Ferdinandi i shkruan Skënderbeut dhe i thotë: ‘Ty që të kam si baba’ dhe i kërkon ndihmë. Me këtë rast Skënderbeu kalon Adriatikun dhe përmes një fushate që zgjat dy vjet arrin t’i mposhtë princat italianë dhe ta vendosë Ferdinandin I në front. Pas kësaj Skënderbeu kthehet për shkak të pushtimit osman, por pjesa më e madhe e ushtrisë së tij mbetet në Itali ku themelojnë fshatrat: Carosino, Faggiano, Fragagnano, Monteiasi, Monteneosola, Monteprano, Rocaforzata e të tjera”, ka bërë të ditur Abdullahu.
Një valë tjetër migrimesh Arbërinë e përcjell edhe në kohën e vdekjes së Skënderbeut.
“Pak para vdekjes së Skënderbeut, sepse realisht ai humb pushtetin pak para vdekjes së tij, në vitin 1466-68 ka po ashtu një valë migrimi dhe pas kësaj, pas rënies së Krujës, Zhabjakut, Drishtit, Lezhës dhe Shkodrës vjen edhe një valë tjetër migrimi. Banorët ikën drejt Venedikut. Nga Lezha ikin të gjithë banorët, ndërsa në Drisht dhe në Lezhë vriten të gjithë”, ka shpjeguar Abdullahu, duke pasur për bazë një sërë burimesh.
Ndërkaq vala e fundit e madhe, sipas tij, është ajo e viteve 1533-1534, ku arbërit ikin drejt Moresë apo drejt Peloponezit pas pushtimit që osmanët u bënë fortesave nëpër More. Në këtë rast ai theksoi se nga ky migrim rrodhi edhe kënga e famshme, “Oj e bukura More”, e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot.
Abdullahu ka thënë se kur flitet për periudha të tilla si periudha mesjetare, një kohë tejet e largët dhe e mjegulluar patjetër se do të ekzistojnë edhe mite të ndryshme meqenëse për ta kuptuar realitetin duhet shumë mund e punë e pandalshme kërkimore. E falë kërkimeve të tij Abdullahu në këtë ligjëratë ai bëri edhe një çmitizim. Duke pasur për bazë harta të vjetra të asaj periudhe, të cilat publiku arrinte t’i shihte në projektor, ai ka konstatuar se shumica e arbëreshëve të Italisë vinin nga viset jugore të Shqipërisë e jo veriore, siç mendohej në popull.
Në fund ai nuk ka lënë pa përmendur edhe disa nga studiuesit të cilët janë marrë me migrimet e arbërve.
“Në mesin e studiuesve që merren shumë me migrimet e arbërve në Itali është studiuesi arbëresh Paolo Petta, që ka jetuar gjatë viteve 1942 – 1999 dhe i cili ka shkruar një studim që titullohet ‘Despotët e Epirit, princër të Maqedonisë’. Është një titull që ai ia ka vendosur për shkak se studimi i tij nuk ka të bëjë me shtresat e mesme ose me fshatarësinë arbërore të ikur në Itali, por është i përqendruar vetëm tek bujaria ose fisnikëria e dinastisë arbërore që migruan në Itali si: Muzakat, Topiajt, Zenebishët, Kastriotët e të tjerë”, ka bërë të ditur ai.
Për studimet e ditëve të sotme, si studiuese të arbërve ka përmendur filologen italiane Lucia Nadin.
“Në kohën tonë studiuesja kryesore është Lucia Nadin, e cila ka shkruar veprat si: ‘Shqipëria e rigjetur – zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI’, ku merret me gjurmët e arbërve në Venedik, posaçërisht me jetën e tyre kulturore. Ajo ka shkruar edhe veprat: ‘Migrim dhe integrim – rasti i shqiptarëve në Venedik (1479- 1552)’ dhe ‘Një biografi e rigjetjes së Skënderbeut’, ku ajo merret vetëm me kultin e Skënderbeut e jo thjesht me personazhin real- historik”, ka përfunduar Abdullahu.
Ligjërata e parë e Seminarit të Antropologjisë qe ajo e Julie Vullnetarit nga Universiteti i Southamptonit, në temën “A mund të transferohet dashuria? Ç’kuptim kanë dërgesat, remitencat në migrimin shqiptar?” Do të vazhdojë me ligjëratën e radhës më 22 dhjetor, ku e ftuar do të jetë Eli Krasniqi nga Universiteti i Grazit.