Kulturë

Libri, i pashmangshëm në zbulim botësh të reja për fëmijët

Manifestim krejt i thjeshtë, por me mesazhe kuptimplota, është organizuar në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, të premten, një ditë para 2 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. “Tregimet janë krahët që të ndihmojnë të lartësohesh çdo ditë”, është mesazhi botëror i kësaj dite, e në këtë frymë janë përbashkuar edhe mesazhet e pjesëmarrësve në shënimin e kësaj dite në kryeqytet. Se libri është rruga e parë e zbulimit të botëve të reja, ka thënë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ashtu sikurse edhe organizatorët e shkrimtarët pjesëmarrës

Me mesazhe e çmime për lexuesit më të zellshëm, u është bërë thirrje fëmijëve e të rinjve që ta vazhdojnë pasionin e tyre për librin. Tre nxënës të shkollave fillore në Prishtinë janë shpallur si lexuesit më të mirë të vitit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. Atyre e të tjerëve u është përçuar mesazhi se leximi hap horizonte të reja dhe se libri i dërgon në zbulim botësh të reja.

Në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u mbajt manifestimi tradicional për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. Organizuar nga vetë biblioteka në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “ETEA” dhe karnavalin e shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”, kjo ceremoni ishte domethënëse për gjeneratat e reja. Ngjarja është organizuar një ditë para 2 prillit, kur bota mbarë feston atë që tash e 55 vjet njihet si Ditë Botërore e Librit për Fëmijë dhe të Rinj.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, ka thënë se 2 prilli, inkurajon afrimin e librit me lexuesit. Ka treguar edhe historinë e manifestimit, i cili sipas tij, është organizuar që nga viti 1967 për nder të shkrimtarit të njohur danez, Hans Christian Andersen. Kjo ditë qe shpallur nga organizata joqeveritare ndërkombëtare, “International Board of Books for Young People”, pjesë e së cilës Kosova nuk është ende edhe pse pretendon të anëtarësohet. IBBYP-ja çdo vit del me nga një poster dhe mesazh të ri për audiencën, e që mesazhi i këtij viti është: “Tregimet janë krahët që të ndihmojnë të lartësohesh çdo ditë”. Është thënie e shkrimtarit Richard Van Camp.

“Ka më shumë se dhjetë vjet qëkur ky institucion, biblioteka jonë, përpiqet që të tregojë se ekziston kjo ditë, të tregojë këtu në Prishtinë në mënyrë të veçantë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Zakonisht në këtë ditë ne, para pandemisë, bënim promovime librash, shpallnim fituesit e konkursit që çdo vit e kemi organizuar për nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës”, ka thënë Hyseni.

Të ftuar në këtë ceremoni ishin kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balaj, dhe disa autorë të librave për fëmijë, anëtarë të Karnavalit të shkrimtarëve për fëmijë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, para të pranishmëve u është kthyer kujtimeve të fëmijërisë.

”Do të doja të ndaj me ju një pjesë të jetës sime. Kur kam qenë fëmijë, kisha shumë dëshirë ta vizitoj gjyshin tim sepse ai më tregonte përralla. Pastaj i thosha: ‘Hajde gjysh edhe një tjetër, edhe një tjetër, dhe kështu gjyshi mbeste duke më treguar përralla derisa mua më zinte gjumi. Ndonjëherë ai vazhdonte të më tregonte përralla derisa unë vetëm isha në gjumë. Atëherë unë ende nuk dija të lexoja, sepse isha ende i vogël. Derisa fillova të shkoja në shkollë, ku fillova të mësoj shkronjat dhe të lexoj libra, duke iu falënderuar shkrimtarëve për fëmijë që ndodhen këtu”, ka thënë Rama. Ka përsëritur atë se ideja e leximit të përrallave dhe librave është zgjerimi i diapazonit.

“Na ndihmon të hyjmë brenda një bote tjetër, ku ne shohim dhe mësojmë më shumë. Sepse ne nuk shohim vetëm me sy, ne shohim edhe nëpërmjet leximit, shohim edhe me mendje. Kjo na mëson edhe të shkruajmë, të bëhemi shkrimtarë. Pa marrë parasysh se çka dëshironi të bëheni, qoftë shkrimtar, mjek, arkitekt apo edhe kryetar komune a kryeqyteti, duhet ta dini se shkrimi ju ndihmon të arrini aty ku doni”, ka thënë ai. Fëmijëve u ka thënë se leximi hap mundësi. “Nëpërmjet shkrimit dhe leximit ju e hapni mendjen tuaj ndaj ideve të reja dhe mundësive të reja. Kështu që unë ju them të lexoni sa më shumë, të mësoni sa më shumë, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera”, ka shtuar Rama.

Në paraqitjen e saj të parë publike që nga dita kur mori postin si drejtoreshë e Kulturës në Prishtinë, Arta Balaj, ka thënë se është shumë e lumtur se edhe sot, në kohën e epokës digjitale, ka ende shumë fëmijë të cilëve u pëlqen aroma e librit.

“Leximi nuk është një proces, është një ndjenjë. Nëse ajo bëhet pjesë e jotja vazhdon të mbetet përgjithmonë”, ka thënë ajo duke iu drejtuar edhe organizatorëve të manifestimit e përgjegjësve të bibliotekës.

”Ju keni një mision të jashtëzakonshëm që të sillni sa më afër këtyre fëmijëve dashurinë për librin. Ju jeni ata që e bëni më së miri promovimin e librit dhe ne si Komunë e Prishtinës jemi këtu t’ju ndihmojmë në këtë vizion tuajin të shenjtë”, ka thënë Balaj.

Ceremonia vazhdoi me fjalimet e shkrimtarëve të pranishëm.

Studiuesi e shkrimtari për fëmijë, Xhevat Syla, ka risjellë historikun e karvanit të shkrimtarëve për fëmijë, “Agim Deva” teksa ka treguar se “ky karnaval është themeluar pas luftës në Kosovë, në vitin 2000, nga tani më i ndjeri, Agim Deva”.

Gjithashtu, dhe pjesëtarët e tjerë të këtij karnavali, shkrimtarët Ibrahim Kadriu, Januz Fetahaj dhe Shefqete Gosalci lexuan poezitë e tyre të preferuara para audiencës, kurse Erisa Rrahmani, një shkrimtare e re, bëri promovimin e librit të saj të parë, “Qyteti Pentagram”, që i kushtohet Prishtinës. Rreth këtij libri, Rrahmani ka thënë se “është inspiruar nga një poezi që kishte shkruar, e në të cilën flet për disa ndryshime që po bëhen në qytetin e saj, ku telat e elektricitetit po pritet që të vendosen nën tokë, e se si deri tani asaj Prishtina i është dukur si një qytet pentagram për shkak të këtyre telave që i janë dukur si vija pentagrami”.

Pika e fundit e ngjarjes qe ndarja e çmimeve për tre nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, të cilët sipas statistikave të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, kanë lexuar më së shumti libra gjatë periudhës njëvjeçare. Titullin “Lexuesi/ja i/e vitit 2021/2022” e morën: Unik Mavraj, Elza Berisha dhe Enea Sinani. Ndarjen e çmimeve e bënë Përparim Rama, Arta Balaj, si dhe shefja e Bibliotekës, Fatime Mehmetaj. Ceremonia u përmbyll me një koktej dhe blerje të librit të parë të Erisa Rrahmanit.