Dihet se përkthimet nga përkthimet, dashtë e pa dashtë, në një mënyrë apo tjetër, dalin si shpërfillje të origjinalit. Mirëpo, një fjalë e popullit thotë: kur nuk ka shi, bën edhe breshër. Prezantimi i veprave të autorëve të huaj në gjuhën shqipe më herët në Kosovë, të shumtën, është bërë me përkthimin e veprave të përkthyera, në mungesë të kuadrit të specializuar për gjuhët e tjera. Viteve të fundit, gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje përkthimi i veprave nga origjinali nga përkthyes të zellshëm të shkolluar (e specializuar) në gjuhë të huaja.
Në mesin e emrave të cilët kohëve të fundit janë dëshmuar dhe po dëshmohen është edhe Ejup Ramadani, studiues i gjuhës arabe dhe angleze në Universitetin e Kajros. Deri tash, nga ky përkthyes, nga gjuha arabe i kemi në gjuhën shqipe katër vepra: “Burrat në Diell” nga Gassan Kanafani, “Rrëfimi i një nate” nga Nexhib Mahfuz (të dy veprat të Botimeve KOHA) “Premtimi” nga Taha Husejni dhe “Kusari” i shkrimtarit të njohur nga Katari, Mbdulaziz Al-Mahmu.
Sipas titujve të veprave dhe autorëve të atyre veprave, duket se përkthyesi Ejup Ramadani përzgjedh shkrimtarët më të popullarizuar që përfaqësojnë letërsinë në gjuhën arabe. Të gjithë këta autorë sot paraqesin elitën e krijuesve arabë, ndërkaq veprat e tyre kanë një shtrirje të gjerë që intrigojnë me stil e përmbajtje, siç është edhe novela “Kafeneja el Karnek” që vjen si dhuratë e shkëlqyer për lexuesin shqiptar.
është për një qasje interesante në një kohë të definuar, të përballur me rryma të ndryshme kontroverse për të gjetur rrugën më të mirë të jetësimit shoqëror e politik. Në një nga periudhat më të ndërlikuara historike të Egjiptit, Nexhib Mahfuz “ngul” spirancën, duke shndërruar hapësirën e një kafeneje të zakonshme në një skenë drame e tragjedie; në një pasqyrë reale të aktualitetit historik (të viteve të pesëdhjeta) kur Egjipti përjeton revolucionin për transformim me ç’rast, e reja dhe tradicionalja thyejnë shpatat. Zgjedhjen e një kafeneje të rëndomtë në Kajro për një temë aq të madhe ka mundur ta bëjë vetëm një shkrimtar i kalibrit të Mahfuzit.