Kulturë

Kultura – periferike në programet e partive politike

Shumica e subjekteve politike kanë program të ngjashëm për kulturën. Janë renditur projektet të cilat zënë vend te prioritetet tash e më shumë se një dekadë. Pos kësaj, shpjegimet që kanë dhënë përfaqësuesit e partive politike sa u përket programeve të tyre janë shumë sipërfaqësore. E për pasojë, edhe pritjet e komunitetit kulturor janë minimale

Arti dhe kultura vazhdimisht kanë zënë vend në fund të programeve të partive politike. As në këto zgjedhje nuk është bërë ndonjë dallim. Përderisa për komunitetin kulturor renditja tregon shumë se si shihen arti dhe kultura nga partitë politike, të qenit e këtij sektori në periferi të programeve vërtetohet edhe me planifikimet që kanë bërë. Shumica e subjekteve politike kanë program të ngjashëm për kulturën. Janë renditur projektet të cilat zënë vend te prioritetet tash e më shumë se një dekadë. Pos kësaj, shpjegimet që kanë dhënë përfaqësuesit e partive politike sa u përket programeve të tyre janë shumë sipërfaqësore. E për pasojë edhe pritjet e komunitetit kulturor janë minimale.

Reprizimi i projekteve kapitale

Investimet kapitale që zënë vend në programet e partive politike qysh prej fushatës zgjedhore të vitit 2007 edhe kësaj radhe kanë zënë vend në programet e tyre. Teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” e Muzeu i Artit Bashkëkohor janë emëruesi i përbashkët i krejt programeve partiake. Janë dy prej investimeve kapitale që zënë vend në synimet e Ministrisë së Kulturës për më shumë se 15 vjet. Për të parin qenë shpenzuar mbi një milion euro. Në dhjetorin e vitit 2009 ishte vënë guri themeltar afër Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Por shumë shpejt projekti që ishte paguar mbi 400 mijë euro ishte parë vështirë i realizueshëm. E më 2012 u hodh poshtë. Prej atëherë vazhdimisht ndahet buxhet për këtë projekt, por deri në vitin 2019 nuk ishte bërë më asnjë hap konkret. Pikërisht në vitin kur Ministria e Kulturës hapi konkurs ndërkombëtar për projekt të ri, Komuna e Prishtinës ka nisur procesin që ajo zonë të shndërrohet në kampus të ri universitar. Projekti është bërë gati nga Universiteti i Prishtinës, por ridestinimi i parcelës nuk ka kaluar në lexim të dytë në Kuvendin Komunal në janar të këtij viti. E Ministria e Kulturës po në janar ka formuar komision të ri për vlerësimin e katër projekteve për teatër të operës dhe baletit.

Në katër debatet që ka organizuar Kohavisioni gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike kanë thënë se synojnë ta konkretizojnë këtë ndërtesë. Po ashtu të gjitha synojnë që ndërtesa të zërë vend në hapësirën ku ishte planifikuar, me gjithë mospajtimet me Komunën e Prishtinës.

Problem me lokacionin ka edhe për muzeun e artit bashkëkohor. Janë 200 mijë euro të paguara për projektimin e kësaj ndërtese që planifikohej të ngrihej në kampusin aktual të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Pikërisht në vendin ku është ndërtuar Fakulteti i Edukimit.

Dramaturgu Jeton Neziraj, në ciklin e debateve për programet kulturore të partive politike, ka thënë se planifikimet duhet të jenë më reale dhe se Ministria duhet të synojë projekte që mund të realizohen. Ministria e Kulturës për këtë vit ka buxhet prej 34 milion eurosh, kurse teatri i operës dhe baletit sipas llogaritjeve nuk mund të ndërtohet pa 40 milionë euro. Por partitë prapë mbesin me atë synim.

“Nuk heqim dorë”, ka thënë ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi.

Premtimet e vjetra për trashëgiminë kulturore

Sa i përket trashëgimisë kulturore, të gjitha partitë kanë synuar që të vazhdohet puna në lokalitetet arkeologjike. Vitin e kaluar nuk është punuar në asnjë lokalitet arkeologjik shkaku i pandemisë që të shfrytëzohet buxheti në mungesë të kodeve buxhetore. Rritja e buxhetit për trashëgiminë kulturore është pjesë ne secilit program të partive politike. Parashihet edhe shtimi i muzeve. Një muze i paqes dhe shndërrimi i ish-Burgut të Prishtinës në muze, një vendim i marrë qysh vitin e kaluar, janë pjesë e programit të LDK-së. Vetëvendosja synon që të fuqizojë muzetë. Muzeu i Historisë së Natyrës, që është në ndërtim e sipër, e Muzeu Arkeologjik, dhe zhvillimi i projekteve të tjera muzeale kombëtare dhe komunale janë pjesë e programeve të partive kryesore politike.

Vetëvendosja parashikon që të forcojë Inspektoratin e trashëgimisë kulturore, të ndërhyrë me shpejtësi në 100 asetet e renditura si “Trashëgimi kulturore në rrezik” sipas “CHwB Kosova”, dhe t’i shtojë investimet në restaurim e konservim.

Për dallim prej partive të tjera politike, Vetëvendosje synon që të shpallë moratorium sa u përket ndërtimeve në zonat e trashëgimisë kulturore.

“Fillimisht do të kemi moratorium në të gjitha zonat e trashëgimisë kulturore që të skanojmë gjendjen”, ka thënë Hajrulla Çeku, kandidat i VV-së për deputet. Në debatin e mbajtur në Kohavision, javën e kaluar, ai ka thënë se prioritet mbetet edhe kthimi i rreth 1244 artefakteve nga Serbia. Këtë e ka në program secila parti politike. Por VV-ja synon që të kushtëzohet dialogu midis dy shteteve edhe me kthimin e artefakteve të marra gjatë viteve 1998-1999.

“Mendoj se duhet të kushtëzohet dialogu. Por mund të përdoret edhe padia, pasi konventat ndërkombëtare na e mundësojnë këtë”, ka thënë Çeku. Kjo parti në programin e saj synon që t’i japë prioritet edhe statusit ligjor të monumenteve. Futja e aseteve në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme është një prej pikave.

Skena e pavarur larg politikave kulturore

Skena e pavarur kulturore mbetet vetëm si pikë ku duhet rritur buxheti në programet partiake. Asnjë parti nuk ka sqaruar se cila do të jetë qasja konkrete me skenën e pavarur kulturore. LDK-ja ka premtuar krijimin e një databaze për regjistrimin e artistëve e më pas të bëhet edhe rangimi i tyre në bazë të performancës. Por ky synim nuk është sqaruar në detaje. Involvimi i skenës së pavarur në hartimin e politikave kulturore është premtuar nga të gjitha partitë. Por asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë ide fikse. Krijimi i një këshilli të kulturës është përmendur nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes. Por ka mbetur vetëm si propozim.

Regjisori Florent Mehmeti ka thënë se rregulloret, ligjet e udhëzimet administrative e ngufatin kulturën. Sipas tij, kultura nuk duhet të trajtohet duke u thirrur në nene ligjore. Sipas Mehmetit, i cili menaxhon tetarin “Oda”, partitë politike nuk i kushtojnë rendësi kulturës në programet e tyre.

“Është shumë periferike. Nuk i kushtohet rendësi”, ka thënë ai.

E dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se kultura është pjesa më me pak vëmendje, përderisa disa parti nuk kanë marrë mundin që t’i freskojnë pjesët e kulturës në programet e tyre të mëhershme. “Thjesht, siç u tha edhe në debate, kanë bërë copy-paste. Të tjera parti në anën tjetër kanë improvizuar dhe kanë prodhuar ca mjegull për të krijuar përshtypjen se interesohen për kulturën, por në realitet, mjegulla ngelet mjegull”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në udhëheqjen me kulturën. Ai ka thënë se partitë fituese do të shpenzojnë dy vjet duke u marrë me militantët që i gjejnë në institucionet kulturore e dy të tjera duke punësuar militantë të vet.

“Nuk është se kam pritje të mëdha”, ka thënë Neziraj. Secila parti kulturën e ka pasur në fund të programit bashkë me sportin e rininë. Për 20 vjetët e pasluftës nuk është bërë asnjë ndryshim në infrastrukturën qendrore të kulturës. E sipas atyre që janë marrë me këtë sektor, shteti ende nuk do të prodhojë politika kulturore që japin rezultat.