Ju ka hapur dyer të gjitha regjisoreve që sot po bëjnë histori në kinematografinë e Kosovës. Ky qe konkludimi i çdo kolegu që kujtoi Burbuqe Berishën, gruan energjike e frymëzuese, në mbledhjen komemorative të premten në Teatrin Kombëtar të Kosovës, aty ku Berisha la shenjën e saj, edhe si regjisore, por edhe si udhëheqëse e këtij institucioni
Gjithë mallin që kanë filluar ta ndiejnë që nga lamtumira e fundit me të, fjalët që u mbetën në gjysmë, bashkëpunimet që u prenë në mes dhe plot plane të parealizuara, patën forcën të nisnin së shprehuri vetëm përmes poezisë. “Ca pika shiu ranë mbi qelq, befas për ty seç ndjeva mall”, u bë dedikimi për Buqen e tyre.
Në katërmurëshin që ndihej i ftohtë ditën e së premtes në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës jehoi poezia “Mall” e Kadaresë, e që u bë dedikim për pionieren e regjisë e diplomuar në Kosovë, në mbledhjen komemorative të organizuar nga institucioni të cilën e drejtoi për katër vjet.
Në skenën në të cilën qëndronte hijerëndë fotografia e saj bardh e zi, mendjet e publikut fluturiseshin për te rezistenca, stoicizmi dhe përpjekja artistike e saj, teksa Teuta Krasniqi, në cilësinë e moderatores, shpaloste gjithë rrugëtimin e saj jetësor prej 51 vjetësh.
Secili që merrte skenën dhe shpaloste diçka nga të përbashkëtat me të, tërhiqte një paralele tjetër të karakterit e profesionalizmit të Burbuqe Berishës. Mirëpo, më së miri e përshkruante njeriu më i afërt i saj, motra Trëndelina Berisha.
“Unë s’mundem pa punua. Kjo është jeta ime e vërtetë”, kishte qenë replika e Buqes, siç e thërrisnin më të afërtit, që motra e saj i kishte thënë që për shkak të sëmundjes, të cilën e vuante për një kohë të gjatë, i vyen të pushojë nga projektet kulturore. “Mirë që sa jetoj, jetoj ashtu siç deshi. S’u ndal, çdo herë dha kontribut”.
“Për familjen ka qenë shumë e afërt dhe e dashur. E mbaj mend një ditë pa ra në dializë gjithë natën kemi qëndruar bashkë. Ka qenë shumë keq. Tërë kohën më thoshte: ‘Më fal që po të lë pa gjumë’”, tregoi Trëndelina Berisha, duke shtuar se “nuk ka dëshiruar ta bënte askënd të ndihej keq, edhe kur ajo nuk ishte mirë”.
Sipas saj, regjisorja e ndjerë, e ka përmbushur misionin për familje, sidomos duke kontribuuar për vendin sepse kjo ka qenë dëshira e babait të tyre.
“Ditën e fundit ajo e ka ditur fundin e saj, iu ka frikësuar shkallëve të Ministrisë, e ka përmend gati dy javë. Tha: ‘Po ju frikohem shkallëve se e kam një shtrëngim në gjoks e mos po mbetem’. Unë s’e kam marrë serioze, por me të vërtetë e kishte ditur kur e ka fundin”, vazhdoi motra e Burbuqes.
Tutje, ka treguar edhe natën e fundit të jetës së regjisores, e cila ka lindur në Shkup dhe që shkollimin parauniversitar e kreu në Prishtinë, teksa u bë vajza e parë që studioi regjinë në Universitetin e Prishtinës.
“Folëm për disa obligime familjare, më tha: ‘Unë s’kam më kohë’. I thashë: ‘Qysh s’ki kohë?’ Nuk e mendova kurrë që nuk ka më kohë për të jetuar”, përfundoi ajo.
E përbashkëta e çdo fjalimi të kolegëve të saj ishte portretimi i Buqes së tyre si shteghapësja e rrugëtimit kinematografik për gratë dhe vajzat e vendit.
“Para saj në këto anë, regjia ishte punë e burrave”, ka thënë Teuta Krasniqi, së cilës regjisorja Berisha ia kishte besuar rolin kryesor në filmin “Një tregim Prishtine”, e në shumë shfaqje e projekte të tjera që kanë vulën e Burbuqe Berishës.
“Nuk besoj që do të ishte e mundshme që shumica e regjisoreve gra të jemi këtu po të mos kishte qenë Buqja. Atë e kemi parë si personin që ia ka dalë t’i thyejë tabutë që ky profesion është vetëm i burrave”, u shpreh regjisorja Zana Hoxha, me të cilën edhe ishin bashkëregjisore në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, që do të mbahet këtë të diel.
“Më duket që ka qenë një ndër punët që ka punuar me pasionin më të madh. Dua t’i premtoj familjes Berisha që do të jem në shërbim të vizionit të saj deri në realizimin e koncertit. Do t’i realizoj me përpikëri të gjitha detyrat që ajo i ka lënë, në mënyrë që të kujtohet me respektin më të madh”, ka thënë Hoxha, drejtoresha e qendrës “Artpolis”.
Tutje shtoi se takimi i parë kishte ndodhur me rastin e konkurrimit në Degën e Regjisë së Filmit në Fakultetin e Arteve, ku në ato momente Berisha kishte qenë inkurajuesja e më pas arsyeja e realizimit të veprave përmes durimit e këmbëngulësisë që shpërfaqte.
“Prej Buqes kam mësuar edhe një vlerë shumë të rëndësishme: puna që e bëjmë ne nuk është vetëm në skenë dhe me artistët, por është për komunitetin”, përfundoi Hoxha, duke thënë se ajo i ka mësuar si të marrin, e si të japin.
“Rëndë. Më lehtë qenka me qajt se me fol”, ka thënë e përlotur që në fillim të fjalimit të saj, Arbnesha Grabovci – Nixha, “Fillova me u ndje e tradhëtume”.
Ajo ka thënë se dëshiron të flasë për miqësinë me të, sepse sipas saj, të gjithë e dinin se sa shumë kishte punuar ajo.
“Si mike e shumë mikeve, çdo njërën na ka bërë të ndihemi si me na pasë të vetmen dhe çdo herë kur i kemi thënë: ‘Po e tepron, ndalu pak’, na ka thënë me buzëqeshje: “Njeriu ndalet veç kur dëshiron të vdesë’”, ka treguar Grabovci – Nixha.
Për aktoren, Berisha ishte e atillë që edhe kur artistët në mes vete nuk dëshironin të takoheshin, ajo dinte t’i bashkonte.
“E re na iku veç krijimtarinë e bëri aq të madhe saqë njerëzit jetojnë deri në pleqëri e s’mund ta bëjnë çerekun e saj”, u shpreh Nixha.
Ilir Tafa, i cili është ligjërues në Kolegjin AAB ku ka punuar së bashku me regjisoren e ndjerë, ka thënë se për të ajo ishte bashkëpunëtorja e ngushtë, duke përmendur themelimin e teatrit “Faruk Begolli”, Teatrit Kamertal dhe Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove, e që së fundmi është vendosur të mbajë emrin e Burbuqe Berishës.
“Ajo ka qenë frymëzim prej rojës te porta që u shpreh vullnetar edhe me ia fal veshkën, e deri te Rektorati”, ka thënë Tafa. “Në ambientet ku ka punuar do të vendosim një fotografi dhe sa herë të lodhemi do të marrim forcën kur ta shohim Buqen. Sikur harrojmë diçka nga malli, Buqe faleminderit për krejt punët e mira që ke bërë për këtë vend!”, përfundoi Tafa, i cili e ka përshkruar kolegen si energjike e frymëzuese.
“Burbuqe buzëkuqe. Kështu e kam thirrur, e kam pa të lumtur me buzëqeshje e me buzë të lyera në të kuqe”, u shpreh bashkëpunëtorja, Bardha Kelmendi. “Pas kësaj gruaje ishte e fshehur një vajzë e vogël e sfiduar me vdekjen e nënës e babës. Kur fliste për atë kohë e mbulonte humori dhe u bë nënë e babë për motrat e vëllain”.
Për Kelmendin, “Burbuqja buzëkuqja” kishte qenë njeriu më i fortë që ka njohur, trimëreshë ndaj sfidave të jetës dhe luftëtare e padrejtësive.
“Një heroinë e vërtetë që meriton duartrokitje”, përfundoi Kelmendi dhe kaq ishte e mjaftueshme që e gjithë salla të kumbonte me respekt dhe nderim për të për disa minuta.
Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, ka thënë se ikja e saj i ngjanë “filmave që përfundimin e kanë në moment të papritur”.
“Me plot energji pozitive e gatshme për t’iu ndihmuar sa herë që ka qenë e nevojshme. E kam takuar vetëm një herë, por disa janë aq të njerëzishëm, kanë zell e dashuri për punën dhe për të tjerët, saqë vetëm një herë po t’i takosh bëhen pjesë e jotja”, u shpreh zëvendësministrja duke shtuar se komuniteti artistik ka humbur një person të shkëlqyer.
E kur kujtimit përmes fjalëve i erdhi fundi, ishin notat muzikore në piano ato të cilat himnizuan kontributin e saj dhe praninë e saj përmes veprave që ka lënë pas.
Burbuqe Berisha ka qenë drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të këtij institucioni, të ansamblit “Shota”, menaxhere në Kino ABC dhe ka qenë pro-dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB.
Në krijimtarinë artistike të Burbuqe Berishës, ndër të tjera, bëjnë pjesë produksionet televizive: “Lexi në qytet”, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”. Nga filmat e saj dokumentarë shquhen: “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” e të tjerë. Ka bërë disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” “Bryma e vdekjes” e “Bretkosat”. Regjisorja e ndjerë ka qenë fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 ishte fituese e çmimit kombëtar për kinematografi, për filmin ”Një tregim Prishtine”.