Kulturë

“Kujtesë në gurë” në zbërthim të gjuhës së kullave

Janë 615 simbole të gdhendura në 110 objekte në territorin e Kosovës, kryesisht në kulla, shtëpi tradicionale shqiptare prej guri, që datojnë prej shekullit 16 deri në shekullin e 20-të. Për banuesit e shtëpisë, simbolet kishin karakter të mbinatyrshëm. Simbolika e tyre shprehet përmes një sërë figurash, me një larmi të jashtëzakonshme përshkrimesh figurative sikurse ato kozmologjike, antropomorfe, zoomorfe, florale, gjeometrike, mjete pune, armë dhe mbishkrime të paraqitura në “Kujtesë në gurë” të autorëve Kaltrina Igrishta, Lekë Shala dhe Anduena Halilaj

Është një rrugëtim nëpër katër shekuj në zbërthim të semantikës së shenjave në gurë kullash. Në fakt, nëpërmjet tyre zbardhen mesazhe, besime e mbi të gjitha gjuha e kullave. “Kujtesë në gurë” e arkeologëve Kaltrina Igrishta e Lekë Shala dhe etnologes Anduena Halilaj vjen si pikëtakim studimor në fushën e etnografisë e arkeologjisë me qëllim të evidentimit dhe dokumentimit të simboleve të gdhendura në shtëpitë tradicionale dhe hapësirat e tjera të banimit në Kosovë.

Libri i përuruar të hënën pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është përmbledhje e 615 simboleve të ndara në 8 kategori: kozmologjike, gjeometrike, zoomorfe, florale, mbishkrime antropomorfe, mjete pune dhe armë dhe të tjera që ishin më vështirë të vendoseshin te një kategori specifike. “Kujtesë në gurë” përbëhet nga dy pjesë: E para prezanton tekstualisht simbolet e gjetura në kulla të shekullit 16 deri në shekullin e 20-të. Pjesa e dytë paraqet dokumentimin pamor të simboleve dhe kullave. Bashkimi i të dy pjesëve ofron informata të hollësishme për të njëjtin fenomen nga kënde të ndryshme.

Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala janë arkeologë që kanë filluar studimet në Universitetin e Prishtinës. Librin ia kanë dedikuar profesoreshës së tyre, arkeologes Edi Shukriu. Në fjalimin hyrës Igrishta ka përmendur edhe bashkëpunëtorët e tjerë që e kanë bërë të mundur këtë projekt me rëndësi për trashëgiminë kulturore.

“Ne autorët këtë libër ia dedikojmë profesoreshës sonë të çmuar, e cila nuk është sot këtu, zonjës Edi Shukriu. Ky libër ka bërë bashkë shumë profesionistë, pa të cilët nuk do të mund të realizohej ky punim me rëndësi kaq të madhe për trashëgiminë kulturore”, ka thënë Igrishta.

I pranishëm në përurimin e librit “Kujtesë në gurë” ishte edhe Michael Galaty, drejtor i Muzeut të Arkeologjisë Antropologjike në Universitetin e Michiganit. Duke e njohur punën e autorëve nga afër, ai ka thënë se nuk ka mundur të presë diçka më pak nga ta. I ka dhënë merita Degës së Arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës për kuadrot që ka nxjerrë.

“Ky libër, ‘Kujtesë në gurë’, jo vetëm që është i bukur, por është një shembull i shkëlqyer i hulumtimit ndërdisiplinor. Mirëpo, nuk do të prisja asgjë më pak nga antropologët Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala, të cilët i njoh shumë mirë dhe etnologia Anduena Halilaj. Këta të tre janë produkt i Universitetit të Prishtinës, Dega e Antropologjisë. Kjo dëshmon se ky është një prej programeve më të mira në Ballkan për të mos thënë në Evropë”, ka thënë Galaty.

Michael Galaty ka doktoruar në antropologji në Universitetin e Wisconsin. Ai është arkeolog dhe drejton projekte në terren, në Greqi dhe Shqipëri. Njëra prej veprave të tij është ajo për kulturat fisnore në Shqipërinë e Veriut, i titulluar “Drita dhe hija: izolimi dhe ndërveprimi në Luginën e Shalës të Shqipërisë së Veriut”. Duke i sugjeruar secilit të pranishëm që të marrë dhe ta lexojë librin, ai ka thënë se edhe kullat janë libra më vete, gjuhën e të cilave “Kujtesë në gurë” e zbërthen.

“Secili mund ta marrë një kopje të librit dhe të lexojë vetë këtë përmbledhje të mrekullueshme. Por, ajo çfarë mund të them është se në fakt vetë kullat janë libra që komunikojnë, që mund të lexohen si libra nëse e di gjuhën e tyre. Kaltrina, Leka e Anduena kanë marrë hapa të rëndësishëm drejt deshifrimit të asaj gjuhe. Një gjuhë e cila fatkeqësisht po vdes bashkë me ata të cilët e kanë ndërtuar. Mesazhet që kullat përçojnë na tregojnë diçka shumë të rëndësishme për Kosovën. Këto mesazhe nga të parët duhet të ndriçojnë edhe në ditët më të errëta”, ka thënë ai.

Përpos mbledhjes së informatave publikimi i këtij libri ka kërkuar edhe punën në terren e vizita nëpër vende ku ka ende kulla funksionale.

Etnologia Anduena Halilaj ka treguar për punën gjashtëmujore në terren në krejt territorin e Kosovës, duke filluar nga Mitrovica e Shala e Bajgorës.

“Në periudhë gjashtëmujore e kemi vizituar të gjithë rajonin e Kosovës. Kemi filluar nga pjesa e Mitrovicës, Shalës së Bajgorës, kemi vazhduar te rajoni i Drenicës, pastaj për në Rrafshin e Dukagjinit dhe deri në jugperëndim të Kosovës. Interesi ynë ka qenë ta shohim realitetin e shtrirjes së simboleve në zonat etnografike. Kemi arritur që më mirë t’i shohim ngjashmëritë, dallimet dhe ndikimet që këto regjione kanë midis vete. Gjithsej i kemi vizituar mbi 600 objekte, nga to 350 kulla. Nga to kemi hasur në 615 simbole”, ka thënë Halilaj.

Për 600 hapësirat e banimit të vizituara nga grupi i autorëve të librit dhe pjesa tjetër e ekipit janë ruajtur edhe të dhëna të tjera për to, si data e ndërtimit nëse ishte e ditur, stili e materiali i ndërtimit e edhe koordinatat gjeografike.

“Terreni ka përfshirë regjistrimin e pikës ose vendndodhjen që e kanë në hartë. Secilës kullë ia kemi marrë koordinatat gjeografike, po ashtu janë regjistruar katet, gjendja e kullës e data e ndërtimit nëse e kemi pasur si informatë”, ka bërë të ditur Halilaj.

Lekë Shala ka thënë se gjatë ekspeditës së tyre nëpër Kosovë kanë hasur edhe në objekte që kanë qenë në gjendje të mjerueshme. Libri në njëfarë mënyre mund të jetë edhe thirrje për kujdes ndaj kësaj pjese me shumë rëndësi për trashëgiminë.

“Puna në terren na ka bërë që ta përjetojmë vetë kullën dhe jetesën në të. Përveç kullave kemi vizituar edhe shtëpi të tjera tradicionale, të cilat kanë qenë shumë unike, interesante dhe vlerë e trashëgimisë kulturore. Fatkeqësisht gjendja e disa prej tyre ka qenë jo e mirë dhe mendoj se duhet të merremi më tepër në sensibilizimin e ruajtjes së tyre”, ka thënë Shala.

“Kujtesë në gurë” për lexuesin vjen edhe në gjuhën angleze.