“...nëse humb diku, Kuba do të më kërkojë!” - Federico García Lorca
As Kristofer Kolomboja nuk kishte dilemë. Ai ishte evropiani i parë që shkeli Karaibet dhe menjëherë u dashurua në Kubën. E quajti këtë ishull “copën më të bukur të tokës që kanë parë njerëzit”.
Katër shekuj më vonë, më 1930, kryeqytetit kuban, Havanës, iu afrua poeti spanjoll Federico García Lorca. Ende pa zbarkuar nga anija, atij iu morën mendtë nga aroma e palmave, aty dëgjoi “trumbeta hyjnore” dhe pas një qëndrimi prej disa muajsh u largua nga Kuba me përshtypje të mira. Më vonë do të shkruante se ato qenë ditët më të bukura të jetës së tij.
Këto dhe shumë detaje të tjera lexuesi i mëson në librin “Doracak për Kubën” (Gebrauchsanweisung für Kuba), të publicistit gjerman Jürgen Schaefer. Lehtësia e rrëfimit, gjuha elegante, formulimet ironike dhe kritike (gati përherë në vendin e duhur), larmia e temave të trajtuara – e bëjnë këtë libër një përjetim të jashtëzakonshëm leximi.
1. Pushtuesit
Ndoshta, historia e Kubës fillon më 2 shkurt 1512 kur në një fshat në lindje të ishullit, pushtuesit spanjollë dogjën në turrë të druve kreun e një fisi indian, që njihet me emrin Hatuey. Ai ishte me origjinë nga Hispaniola (ky ishull sot është i ndarë mes Haitit dhe Republikës Dominikane), ku banorët vendas, indianët, ishin shkallmuar nga 300 mijë në 60 mijë.
Hatuey erdhi në Kubë për t’i alarmuar kubanët.
“Ky është zoti të cilit i luten spanjollët!”, u tha ai banorëve dhe ua tregoi një shportë me ar dhe stoli. Historia e Kubës është edhe histori e shfrytëzimit, kolonizimit, grabitjes.
“Këta tiranë na thonë se i luten një zoti paqësor dhe të drejtë, por ata po plaçkitin vendin tonë dhe po na skllavërojnë. Pasi që trimëria e tyre nuk mund të matet me trimërinë tonë, këta frikacakë po i fshehin trupat pas hekurave, të cilët nuk mund t’i shpërthejnë armët tona”.
Fjalimet e Hatueyt janë ruajtur nga Bartolomé de Las Casas, një murg i cili erdhi në Kubë me pushtuesit e parë spanjollë. Nga kubanët e lashtë nuk mbijetoi gati askush, por në fjalorin e spanjishtes kanë mbijetuar disa fjalë të tyre: huracán, papaya, caimán, canoa, tabaco. Hatuey, ai që u dogj në turrë të druve, ka mbijetuar si emër i një birre të popullarizuar kubane.
Spanjollët themeluan Havanën dhe gjirin e atyshëm të detit do ta shfrytëzonin mijëra anije, të cilat sillnin mallra me vlerë nga kontinenti i ri në Spanjë. Nga mesi i shekullit të 18-të Havana kishte 70 mijë banorë, më shumë se New Yorku i asaj kohe. Kjo zgjoi ambicie te fuqitë e tjera dhe më 1762 flota britanike pushtoi Havanën me 50 anije dhe mbi 11 mijë ushtarë.