Kulturë

Kriza prek trendin e blerjes së librave për dhuratë festash

Ofertat e botuesve e të librarëve për festat e fundvitit nuk mungojnë, por sivjet kriza ka lënë shenja edhe në trendin e blerjes së librave për dhuratë

Është shndërruar tashmë në traditë blerja e librave për dhurata të festave të Vitit të Ri, por sivjet shifrat janë goditur edhe nga kriza ekonomike. Në gjysmën e dytë të dhjetorit ka goxha më shumë lëvizje sesa zakonisht por, sipas botuesve e librarëve, ka rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara

Ka kohë që është bërë refren kriza e librit e veçmas ajo sivjet shënohet edhe me krizë ekonomike, bilancet e librarëve e të botuesve nuk janë aq optimiste.

Por periudha e festave ka dorë edhe në shifrat e shitjes në festat e fundvitit. Botuesit e libraritë nëpër kryeqytet vërejnë një trend gjithnjë në rritje të kërkesave për libra-dhuratë, por të cilin sivjet e ka prekur gjendja e përgjithshme ekonomike.

Në gjysmën e dytë të dhjetorit ka goxha më shumë lëvizje sesa zakonisht. Se blihen libra për dhuratë vërehet edhe te nga kërkesat e tyre për ta mbështjellë me letër dekorative. Oferta janë edhe sete me dy a tre libra, botime speciale, apo gjësende përcjellëse që lidhen me leximin, sidomos për ata që nuk vijnë me tituj konkretë.

Sezon më i dobët sesa vitet e tjera

“Gjatë periudhës së festave të fundvitit vërehet një fluks më i madh i blerjeve. Deri tani nuk është se shqiptarët e kanë pasur traditë ta bëjnë dhuratë librin, por kohëve të fundit është krijuar një lloj tradite e tillë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, kriza ekonomike është e vërejtur. Ka më pak blerje në krahasim me vitet e kaluara”, ka thënë Fidan Imeri, menaxher i shitjeve në Botimet KOHA.

Zbehjen e kërkesës ka thënë ta ketë vërejtur edhe Artin Ahmeti nga libraria “Artini”.

“Gjatë festave të fundvitit në katër vjetët e fundit kemi pasur një fluks më të madh krahasuar me vitet e tjera. Ka filluar të bëhet njëfarë lloj tradite që për fundvit me e marrë librin si dhuratë, por sivjet është dukshëm më pak. Kjo u vërejt edhe gjatë periudhave të tjera të vitit. Sezoni është dukshëm më i dobët se viteve të tjera. Ka shumë arsye për këtë, por njëra ndër to është edhe kriza ekonomike’, ka shpjeguar Ahmeti.

Zgjim Sherifi nga libraria “Dukagjini” ka thënë se pavarësisht se gjatë tërë vitit në librari ka njerëz që kërkojnë ndihmën e tyre për të bërë dhuratë librin, prapëseprapë në periudhën e fundvitit fluksi është më i madh. Sipas tij, në këtë ndikojnë natyrisht edhe ofertat që vetë libraritë i bëjnë enkas për këtë periudhë.

“Zakonisht me sa e kam vërejtur, dhuratat për Vitin e Ri janë të shumta dhe të shpeshta sidomos tani në javën e fundit kemi përditë njerëz që vijnë dhe blejnë libra për më të dashurit e tyre. Momentalisht nuk kemi statistika të sakta se a ka më shumë blerje vitin e kaluar apo sivjet, por me sa e shohim këto ditë ka dukshëm më shumë njerëz që zgjedhin librin si dhuratë”, ka thënë Sherifi.

Image

Efektet e reklamës

Me gjithë këtë interesim për ta përzgjedhur librin para qindra ideve të tjera, një rol të madh kanë luajtur edhe rrjetet sociale.

Për rëndësinë e tyre dhe përvojën me to ka folur Edon Zeneli nga libraria “Buzuku”.

“Fundviti është periudha më vivide e vitit. Kemi filluar në vitin 2015 me idenë e imponimit të librit si dhuratë dhe e kemi kultivuar mjaft mirë; kjo edhe falë rrjeteve sociale dhe reklamave që na mundësojnë rrjetet sociale. Libri sot është ndër të parat gjëra që të bie ndër mend kur dëshiron të bësh dhuratë”, është shprehur ai.

Zeneli ka thënë se blerja e librave për dhuratë në Kosovë tashmë ka një traditë gati dhjetëvjeçare.

“Mund të thuhet që tashmë është krijuar një traditë e tillë. Të gjitha libraritë na janë bashkuar në këtë traditë që kemi filluar ta kultivojmë dhe ndihemi mirë për këtë gjë. Setet e para me libra si ide për dhurata kemi filluar t'i krijojmë e t’i paraqesim te lexuesit në faqen tonë në Facebook, qysh më 2013. Ja ku jemi sot, thuajse dhjetë vjet më vonë dhe tashmë ajo është shndërruar në traditë”, ka thënë ai. Megjithëkëtë, edhe Zeneli ka pohuar se kriza ekonomike është vërejtur dukshëm këtë vit.

Kohëve të fundit, pak para përfundimit të vitit, shumë grupe njerëzish mblidhen për “Secret Santa”, një lojë ku miqtë mes vete, në anonimitet e me short, zgjedhin se kujt t’i bëjnë dhuratë.

Një përzgjedhje të tillë kishte bërë edhe Arben Boshnjaku, punonjës në njërin nga call-center-at e Prishtinës.

“Në punë kemi luajtur ‘Secret santa’ dhe mua më ka rënë t’i bëj dhuratë një kolegeje. Gjatë vitit kam parë se asaj i pëlqen të lexojë, kështu që vendosa t’ia dhuroj ca libra. Këtu pashë këtë set, i cili shpresoj që do t’i pëlqejë”, ka thënë Boshnjaku.

Jo rrallë, është zor të përzgjidhet një titull në mesin e mijëra sosh. Por, me një situatë të tillë Diellza Berisha thotë se nuk është përballuar. Studentja në Fakultetin Ekonomik ka “blerë” shijen e atij që do t’ia bëjë dhuratën. “E di që do t’i pëlqejë, sepse e kam dëgjuar ta përmendte, prandaj edhe përzgjedhja ishte shumë e lehtë për mua”, ka thënë ajo.

Për goditjen e librat nga kriza, botuesit e librarët ishin ankuar edhe në qershorin e sivjetmë, në edicionin e 22-të të Panairit të Librit në Prishtinë, i cili u rikthye pas dy edicioneve të anuluara shkaku i pandemisë me COVID-19.

Kriza qe kryefjalë e Panairit të Librit në Tiranë në nëntorin e sivjetmë, i cili kishte alarmuar edhe nëpërmjet statistikave. Në edicionin e 25-të Panairi erdhi si festë, por sivjet nxori në pah krizën e librit dhe mungesën e lexuesit, ani pse Pallati i Kongreseve vërshonte nga vizitorët. Sipas statistikave, 80 për qind e shqiptarëve nuk kanë blerë asnjë libër sivjet dhe ky ishte alarmi në ngjarjen që për moto pati “Të gjithë jemi lexues”.

“E njohim këtë gjendje, por është mirë që doli përpara Panairit të Librit që ta kuptojnë të gjithë, edhe ne, edhe ju dhe, në radhë të parë, institucionet dhe shteti që jemi në një situatë shumë të vështirë, ku 80 për qind e shqiptarëve nuk e kanë mendjen te libri, ne punojmë për 20 për qind”, kishte thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Ymeri kishte theksuar edhe krizën e botuesve duke bërë të ditur se çmimi i letrës është rritur 80 për qind këtë vit, se janë ulur tirazhet dhe janë rritur shumë kostot e prodhimit.