Kulturë

Kosova e Turqia dakordohen për filma e seriale

Turqia dhe Kosova janë marrë vesh për bashkëpunim në fushën e kinematografisë. Janë vënë rregullat bazike që kinematografët kosovarë të mund të aplikojnë për fonde turke sa u përket projekteve të tyre dhe anasjelltas. Marrëveshja synon edhe bashkëprodhime e promovim të përbashkët të kinematografisë. Bile synohet që Kosova të mund të jetë edhe sheshxhirim për filmat dhe serialet turke.

Të enjten ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, kanë nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore, e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik në mes të Kosovës dhe Turqisë. “Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të filmit dhe serive televizive”, shkruhet në komunikatën e MKRS-së të lëshuar pas nënshkrimit të marrëveshjes në kryeqytetin turk Ankara.

Sipas kësaj komunikate, me qëllim të zbatimit dhe funksionimit efektiv marrëveshja përcakton themelimin e nënkomisionit për bashkëprodhimet e filmave dhe serive televizive, të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të secilës palë dhe të bashkëkryesuara nga palët.

“Kjo marrëveshje përtej detajeve dhe modaliteteve që përcakton ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin kulturor, sidomos atij në fushën e kinematografisë, midis Kosovës dhe Turqisë, dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, citohet të ketë thënë ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

E ministri turk, Mehmet Nuri Ersoy, ka thënë se sektori i filmave dhe serialeve televizive është shumë i zhvilluar në Turqi.

“Veçanërisht për serialet Turqia është vendi i dytë që eksporton më së shumti seriale pas Amerikës. Me këtë rast krijohet mundësia e prezantimit të njerëzve të Turqisë, jetës shoqërore, kulturës, gjeografisë, pikave të rëndësishme në botë. Seriali ‘Sulejmani i Madhërishëm’ u bë shumë i famshëm në të gjithë botën. Falë këtij seriali lindi mundësia të njihet historia osmane me një metodë kinematografike në botë”, citohet të ketë thënë ministri Ersoy, sipas “Anadoly Agency”. Sipas tij, në periudhën e fundit serialet turke janë popullarizuar në Amerikën e Jugut. Ai ka thënë se nënat dhe baballarët emrat e fëmijëve të sapolindur të tyre kanë filluar t’i pagëzojnë me karakteret turke. “Jemi shumë të lumtur. Mendoj se do të arrijmë të njëjtin efikasitet dhe cilësi në prodhimet e përbashkëta të të dy vendeve falë marrëveshjes”, citohet të ketë thënë ai.

Ministrja Dumoshi pas nënshkrimit të marrëveshjes ka thënë se Qeveria turke ka ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme.

“Ne jemi me fat, sepse edhe te ne në Kosovë jetojnë shumë të komunitetit turk, por edhe në Turqi është një pjesë e madhe e numrit të shqiptarëve. Kështu që na lidh historia”, ka thënë ajo.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se marrëveshja përcakton kriteret shtetërore për bashkëpunime. Sipas tij, meqenëse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe e fondit evropian për mbështetje kinematografike “Euroimages”, duhet të nënshkruhen marrëveshje të veçanta me shtetet që synohet bashkëpunim.

“Pa këtë marrëveshje nuk mund të aplikojmë për fondet të tyre. Edhe që ata të kenë qasje në fonde tonat duhet marrëveshja ndërshtetërore. I rregullon edhe përqindjet e financimit. Qëllimi është të inkurajohen edhe kompanitë turke për ta përdorur Kosovën për lokacion të xhirimeve. Është një strategji afatgjate. Nëse gjërat do të ecnin kjo do të ishte shumë mirë”, ka thënë Zharku për KOHËN.

Kosova, sa i përket kinematografisë, ka marrëveshje të nënshkruara me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kinematografët nga Kosova aplikojnë për mbështetje financiare në këto dy shtete dhe anasjelltas. Bashkëprodhimet kohëve të fundit janë rritur. Zharku ka treguar se një marrëveshje e ngjashme synohet të nënshkruhet edhe me Bullgarinë. Në vitin 2016, Avdullah Hoti, tash kryeministër e asokohe ministër i Financave, bashkë me Arben Zharkun dhe Kujtim Shalën, asokohe ministër i Kulturës, ishin marrë vesh që të krijohet një fond për industrinë filmike me qëllim që të krijohen lehtësira financiare për produksionet e huaja që synojnë të xhirojnë skena filmash në Kosovë. Por ky proces ka ngelur në hapat fillestarë.