Kulturë

“Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” prej “Amelikës” deri te “xythë” 

Qerim Ondozi ka bërë bashkë në fjalor “disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vjetët e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë”. Me “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave”, ilustruar mjeshtërisht prej Driton Selmanit, një libër si ky jep disa përgjigje. Se cila është fjala më e përdorur prej vitit 1999, ç’kuptim ka “Amelika” dhe si u bë “xythë” emër i shqiptarit, dhe shprehte revoltën kur ndalej nga polici serb, janë disa prej tyre

Është nga librat që mund të lexohet me një frymë. Intrigues që në titull, i rrallë në përmbajtje. Vetë përzgjedhja e fjalëve për t’i definuar sipas botëkuptimit të autorit është tejet interesante. Edhe më tërheqës e bëjnë ilustrimet, të cilat ia shtojnë frymën midis satirës e ironisë. Por në esencë është goxha serioz.   

Një shfletim shpejtazi i librit “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” i autorit Qerim Ondozi është një përmbledhje brenda 179 faqeve e fjalëve dhe shprehjeve më të shpeshta në gjuhën e përditshme.

“Amelika”, “çnjohja”, “newborn”, “katastrofe”, “situata”, “harta”, “KFOR-i”, “paralufta”, janë veç disa nga to që jetësohen edhe nëpërmjet ilustrimeve të Driton Selmanit.
Në hapësirën e asaj që ende quhet “Menza ‘Ramiz Sadiku’” në Prishtinë, ato vijnë edhe nëpërmjet projeksionit në anën e djathtë, ndërkaq në qendër të saj mbrëmjen e së mërkurës gjatë promovimit është improvizuar një skenë. 

Para se gjithçka të nisë, tabela apo dërrasa e gjelbër shkollore sinjalizon lojën me fjalë. E ata që i jetësojnë ato nëpërmjet leximit artistik të çdo dimensioni të librit janë aktorët Alketa Sylaj dhe Tristan Halilaj, të cilët i japin atmosferë me shumë humor. Kjo edhe e vulos të pazakonshmen, largimin nga promovimet klishe dhe shpalosjen e një libri që është më shumë se fjalor i komunikimit të përditshëm.

Shembulli i “katastrofës” së përdorur 48 miliardë herë

Ai hyn në skuta shumë më të thella sesa kaq. Pavarësisht që në shikim të parë mund të ketë strukturën e një fjalori, në esencë përthekon tema politike, sociale e kontekste kulturore. Shndërrohet në shfaqje të asaj që është më se e dukshme në raport me gjuhën: popujt nisin ta besojnë atë çfarë e flasin. Kjo demonstrohet më së miri në fjalën “katastrofë”, e cila në imazh shfaqet si një paketim ilaçi, “Katasströff” 500-miligramësh, ndërkaq në kontekst gjuhësor definohet si ironi për pensionin e dobët të shtetit më të varfër në Evropë, sistemin arsimor që karakterizohet nga reformat, ndërtimet pa leje e vendimet e Qeverisë, mashtrimet mediatike. Aty citohet se që nga paslufta ky term është përdorur 48 miliardë herë.

“Newborn”, që si definicion në përballje ndërkombëtare është identifikim për Kosovën, në libër vjen në formën e një djepi që të gravuar ka pikërisht këtë fjalë. 

“’Njuborni’ është përpjekja jonë për rilindje, për djegie të shtypjes jugosllave dhe rilindje të aspiratave për liri, barazi dhe demokraci”, thuhet, ndër të tjera, në shpjegim. Një ironizim tjetër faktik është te emërtimi “Amelika”, e cila bën krahasimin mes Amerikës si superfuqi që i doli Kosovës në krah gjatë luftës dhe pas saj, si dhe kontekstit të “Amelikës” si personifikim të shtegut që siç thuhet në libër zmbrapsemi nga “papjekuria jonë, idetë tona (të gabuara) për shtetndërtim”.

Pikënisja me “situatën” që definoi vitet ‘90 

Autori Ondozi ka thënë se libri doli në dritë pas përpjekjes njëvjeçare të përzgjedhjes së fjalëve. 

“Kemi ardhë në ide që ta bëjmë një përzgjedhje arbitare të fjalëve për me ia dhanë një përshkrim të kontekstit gjuhësor, linguistik edhe shoqëror të Kosovës së 50 vjetëve të fundit”, ka thënë Ondozi për KOHËN. Shkrimtari e përkthyesi i fokusuar në temat e gjuhësisë procesin e përzgjedhjes së fjalëve e ka vlerësuar si garë, që njëra e ka mundur tjetrën. Ndërkaq ajo që e mban kurorën e nisjes së kësaj iniciative është pikërisht “situata”.

“Unë kam filluar me situatën, sepse më ka bërë përshtypje viteve të ‘90 sa shumë e kanë përmend. Çdo gjë e kanë lidhur ‘për shkak se situata’”, ka thënë Ondozi. 

Përkrah maksimën e Martin Haideggerit, se gjuha është shtëpia e qenies, dhe si e tillë njerëzit fillojnë të besojnë për atë që e thonë. Në këtë kontekst e përmend fjalën “katastrofë”.

“E kemi në maje të gjuhës, unë sinqerisht besoj se jemi duke e prodhuar atë. Nëse e bëjmë një lëvizje të vogël dhe e zëvendësojmë me fjalë tjetër, do të ndodhë transformim”, ka thënë ai.

Image
“Amelika”, “ç’njohja”, “newborn”, “katastrofë”, “situata”, “harta”, “KFOR-i”, “paralufta”, janë disa prej fjalëve të fjalorit të cilat në esencë përthekojnë tema politike, sociale e kontekste kulturore. “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave”, veçohet edhe me kopertina, që u ngjajnë atyre të fjalorëve të moçëm

“Xythë” si revoltë e fshehur ndaj policit serb 

Artisti i njohur Driton Selmani ka thënë se çdo mëngjes ia kanë kushtuar një orë për të diskutuar fjalë të ndryshme.

“Është një kohë që unë e kam zbuluar që ka shumë pasuri edhe brenda një fjale të vetme. Qerimi është një prej shokëve të mi që i vjen era letër. Disa ditë i pret fjalët, i maron në fjali”, ka thënë Selmani kur ka folur për bashkëpunimin. 

Për të ironike janë vetë kushtet në të cilat jetojnë kosovarët. Gjendja politike, situata ekonomike, ngecja e lëvizjes së lirë nëpër botë dhe shumë problematika të tjera, gjatë punës me librin kanë ditur të ndjellin edhe momente qesharake. Ndërkaq nga fjalët të cilat i kanë falë emocione të përziera veçon “xyth”.

“Xyth’ janë tri shkronja që serbët s’mund t’i shqiptojnë. Ka qenë emri i shumë shqiptarëve gjatë të ‘90-ave në Prishtinë”, ka thënë ai. Por është pikërisht kjo fjalë që në kontekstin e situatës merr tjetër kuptim. “Ka qenë revoltë e fshehur para policit kur e ka pyetur: ‘Si e ke emrin?’ E ky s’ka mundur ta shqiptojë dhe i ka thënë: shko në shtëpi”.
Ndërkaq sa qesharake aq të dhimbshme e cilëson fjalën “situatë”, e cila ende është aktuale sipas tij për kontekstin politik vendor. 

Libri i reflektimit të brendshëm që hap një derë 

Arif Muharremi është redaktor i librit bashkë me Florie Xhemajlin. Librin “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” – qe veçohet edhe me kopertina, që u ngjajnë atyre të fjalorëve të moçëm, me shkronja ngjyrë ari, dizajnuar prej Davud Zukiqit – e ka cilësuar si inovativ në eksplorimin kulturor, por edhe më gjerë. 

“Është njëfarë reflektimi i brendshëm i joni në kulturën e të folurit”, ka thënë Muharremi. “Qerimi ka bërë një punë shumë të mirë, meqenëse libra të tillë te ne janë të rrallë. Ka nevojë që sa më shumë të kthehemi nga vetja, një reflektim kulturor me prizmin e shekullit 21”.

Sipas tij, libri është nxitës për studime të tjera.

“Qerimi ka mbërri me e hap një derë që duhet me u pasu nga hulumtues jo veç të albanologjisë, por edhe të akterëve të tjerë kulturorë që merren me këtë fushë mjaft joformale”, ka thënë ai. 

Fjalori i ilustruar, siç përshkruhet në ftesën për përurimin e tij, “bashkon disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vjetët e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë”. Nëpërmjet këtij libri, lexuesi do të marrë përgjigje se “cilat janë fjalët që përdoren më shpesh nga kosovarët, se çka është “Amelika” dhe pse shkruhet me “l” e jo me “r”, se cila është fjala më e përdorur nga viti 1999, e të tjera. Se përse janë 37 shkronja, është një tjetër “enigmë” që duhet ta zbulojë lexuesi. 

Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës “Heritage Space”, e cila implementohet nga CHWB Kosova dhe financohet nga Qeveria suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.