Kulturë

Kori i Filharmonisë vulos nivelin edhe para 1.200 vetash në Selanik

Me “Stabat Mater” të Rossinit, Kori i Filharmonisë së Kosovës i është bashkuar Korit të Përzier dhe Orkestrës Shtetërore të Selanikut. Siç ka bërë edhe në salla të njohura të Evropës, edhe këtu e ka vulosur nivelin duke ruajtur namin si i veçantë në këndimin e pavarur. Në veprën e bazuar në himnin e shekullit 13, 45 anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës e kanë pasur barrën kryesore

Pas dy koncerteve të Filharmonisë së Kosovës në Portugali, pjesëmarrjes së Korit në premierën e “Carmina Burana” në Tiranë, në kuadër të një bashkëpunimi midis tri shteteve, stacioni i radhës për institucionin e muzikës klasike ka qenë Selaniku.

Të mërkurën mbrëma, rreth 1200 spektatorët e Sallës së Koncerteve në Selanik janë mbledhur edhe për Korin e Filharmonisë së Kosovës. Qyteti bregdetar ka qenë nikoqir i këtij ansambli në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional. Përtej një koncerti – ku Kori ka pasur rol kyç te vepra ku ka marrë pjesë – interpretimi shkon edhe në favor të asaj që njihet si diplomaci nëpërmjet kulturës.

Sipas njoftimit të institucionit nikoqir, Orkestra Simfonike Shtetërore e Selanikut e ka nisur koncertin me premierën evropiane të veprës “Rrëfim për çello dhe orkestër”, kompozuar më 1997 si simfonia e parë e kompozitorit greko-kanadez Christos Hatzis. Kompozitori ishte i pranishëm po ashtu në sallë. I njëjti ka përgëzuar orkestrën, dirigjentin Vladimir Simeonidis dhe solistin Vasilis Saitis për frymën që i kanë dhënë veprës gjatë interpretimit. Pas reagimit të fortë të publikut, solisti Saitis është rikthyer në skenë për të interpretuar në violonçel himnin kishtar “The Virgin Mary”.

Image
Përtej koncertit interpretimi shkon edhe në favor të asaj që njihet si diplomaci nëpërmjet kulturës Orkestra Shtatërore e Selanikut (Foto: Arben Llapashtica)

Siç shihet në fotografi, pjesa e dytë e koncertit ka bërë që skena të marrë tjetër pamje. Aty Kori i Filharmonisë së Kosovës është rreshtuar krahas Korit të Përzier dhe Orkestrës Shtetërore të Selanikut. Në sallën madhështore të koncerteve – e inauguruar në vitin 2000 – nën dirigjimin e mjeshtrit Vladimiros Symeonidis, është interpretuar vepra “Stabat Mater” e kompozitorit italian Gioachino Rossini. Vepra që hyn tek ato të veçantat e muzikës klasike kërkon angazhim maksimal sidomos në aspektin vokal. E në këtë pjesë, 45 anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës e kanë pasur barrën kryesore. E bazuar në himnin e shekullit 13 me të njëjtin titull, “Stabat Mater”, që i kushtohej Virgjereshës Mari, vepra e Rossinit u kompozua pasi mjeshtri italian kishte hequr dorë nga literatura operistike. Iu deshën fiks 10 vjet që t’ia vërë pikën “Stabat Mater”. Përtej mjeshtërisë së Rossinit që shpaloset në vepër, prapa saj zë vend historia e kompozitorit që me këtë krijim ishte marrë gjatë një udhëtimi në Spanjë. E ndarë në dhjetë pjesë, vepra rrumbullakon një mjeshtri të muzikës kishtare. Për herë të parë si vepër e plotë do të interpretohej më 1942 në Paris.

E Salla e Koncerteve në Selanik ka kumbuar nga kjo vepër duke qenë nikoqir i Korit shtetëror të Kosovës. Vendi i cili ka marrëdhënie diplomatike me Greqinë, por shteti helen ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovën, ka treguar se pavarësisht traditës jo të gjatë ka institucione që janë në nivel të luajnë vepra botërore. Këtë e ka parë publiku pjesë e të cilit ishin edhe kryetari i Selanikut, Konstantinos Zervas, dhe ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku. Muzikantët e kritikët e pranishëm kanë përgëzuar jo pak Filharmoninë e Kosovës për nivelin e saj. Por, ky bashkëpunim nuk do të përfundojë me kaq.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, të enjten me t’u kthyer në Prishtinë ka thënë se organizimi ishte në nivel shumë të mirë. Sipas tij, ky realizim i kësaj premiere është bërë me marrëveshje se nëse bëhet me sukses në Greqi të realizohet edhe në Kosovë disa muaj më vonë. Kështu që, sipas tij, 7 tetori do të jetë dita kur Kori i Selanikut do t’i bashkohet Korit e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e së njëjtës vepër në Prishtinë.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm profesional, por edhe diplomaci e fuqishme kulturore midis dy shteteve, aq më tepër kur duhet se Greqia është një ndër pesë shtetet evropiane që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ai. Sipas tij, mirëpritja e autoriteteve zyrtare atje ka bërë që institucioni të ndihet shumë mirë.

“Në jemi krenarë që po bëjmë një punë jashtëzakonisht të mirë në promovimin e Kosovës në rrafshin kulturor. Kori ynë njihet në rajon si i veçantë në këndimin e pavarur që tregon një nivel të lartë të profesionalitetit në këndimin koral. Ishte e qartë që ia kemi dhënë vulën pjesës vokale të kësaj vepre”, ka thënë ai.

Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se zanafilla e këtij bashkëpunimi ka një histori prapa dhe nis që në majin e vitit 2019, kur Kori i Filharmonisë në kuadër të projektit “Triptik për paqen” ishte ngjitur në skenat e Tiranës dhe Fierit në një bashkim forcash mes disa ansambleve nga Shqipëria, Kosova dhe Greqia. Ka treguar se bashkëpunimi ka vazhduar me ftesën që i është bërë drejtueses se Korit të Përzier te Selanikut, Mary Konstantinidou në shtatorin dhe dhjetorin e vitit 2022 për të drejtuar Korin e Filharmonisë së Kosovës në dy koncerte në Prishtinë dhe Mitrovicë.

“Dhe tani i gjithë ky shkëmbim ka rezultuar me këtë paraqitje në Selanik në këtë koncert të rëndësishëm nën organizim të Komunës se Selanikut dhe Orkestrës Shtetërore të Selanikut në bashkëpunim me Korin e Përzier të këtij qyteti”, ka thënë Selimaj. Sipas tij, jo vetëm ky, por edhe prezantimet tjera ndërkombëtare të Korit gjithmonë e kanë dëshmuar peshën e këtij ansambli i cili vlerësohet nga çdo dirigjent i cili ka kontakt me të dhe pa diskutim vazhdon ta mbajë primatin e një ansambli serioz të cilit në vazhdimësi duhet kushtuar vëmendje të veçantë. Ka përmendur edhe interpretimin e përbashkët të veprës së Rossinit në Prishtinë, bashkëpunim ky që synon një projekt midis disa orkestrave te Ballkanit.

“Ndryshe, edhe kjo paraqitje vjen në kuadër të kalendarit për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Korit të Filharmonisë, i cili do të këtë edhe disa prezantime të përmasave të mëdha përgjatë vitit”, ka thënë Selimaj.

Dirigjenti i Korit, Hajrullah Syla, i cili është ngjitur në skenë në fund të koncertit për të përshëndetur publikun, si muzikant që ka përgatitur Korin, ka thënë se performanca ishte në një nivel tejet të mirë.

“Bashkëpunimi e ka sjellë veprën në nivel shumë të mirë. Publiku edhe kritika në koncert e kanë vlerësuar tepër lart interpretimin dhe jemi ndarë shumë të kënaqur me këtë koncert”, ka thënë ai. Sipas Sylës, këto bashkëpunime e ndihmojnë shumë institucionin dhe tregojnë shumë për kualitetin dhe profesionalizmin që e kanë në muzikën klasike.

“Po tregojmë se si shtet i ri kemi shumë talente e muzikantë profesionistë që sjellin interpretime sikurse në vendet me shumë traditë”, ka thënë ai. E ka përshkruar si shumë emocionale kohën kur pas koncertit kanë marrë komentet nga muzikantët e pranishëm. Me komente të tilla Filharmonia është përballur edhe në qytet portugeze Lisbonë e Braga në fund të muajit të kaluar. Kurse koncerti në Selanik ishte veç një njohje e qytetit grek me Korin nga Kosova. Njohja bashkë me bashkëpunim do të thellohen edhe më shumë gjatë koncertit të përbashkët në Prishtinë.