Kulturë

Komuna dhe Teatri i Ferizajt synojnë repertor vjetor në kundërshtim me Ligjin për teatro

Me veprimet e Komunës dhe institucionit teatror është zbehur edhe roli i organeve udhëheqëse të teatrit të qytetit “Adriana Abdullahu”. Përderisa kanë vendosur që shfaqjet e repertorit vjetor të zgjidhen nëpërmjet një thirrjeje publike, Ligji për teatro këtë barrë ia ngarkon menaxhmentit. E hisen më të madhe e ka udhëheqësi artistik

Komuna e Ferizajt dhe teatri “Adriana Abdullahu” në emër të transparencës e respektimit të rregulloreve për shpenzimin e buxhetit është duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për teatro. Përtej kësaj, me veprimet e Komunës dhe institucionit teatror është zbehur edhe roli i organeve udhëheqëse të teatrit të qytetit “Adriana Abdullahu”. Përderisa kanë vendosur që shfaqjet e repertorit vjetor të zgjidhen nëpërmjet thirrjeje publike, Ligji për teatro këtë barrë ia ngarkon menaxhmentit. E hisen më të madhe e ka udhëheqësi artistik.

Në ditën e 11-të të janarit Komuna e Ferizajt me teatrin “Adriana Abdullahu” kanë hapur thirrje publike që organizatat joqeveritare të dorëzojnë propozim-projekte për shfaqje teatrore. Në bazë të kësaj thirrjeje, organizatat duhet ta përshkruajnë projektin, të paraqesin platformë regjisoriale e deklaratë autoriale të regjisorit nëpërmjet së cilës garantohet autenticiteti i shfaqjes. Po ashtu, kërkohet biografia e regjisorit dhe deklarata e autorit të tekstit që planifikohet të inskenohet.

“Udhëheqësi artistik i teatrit do t’ia paraqesë Këshillit Drejtues të tetarit të gjitha propozim-projektet konkurruese për vlerësimin dhe nxjerrjen e rezultatit”, shkruhet në thirrjen e mbyllur në ditën e 29 të janarit. Ky veprim është bërë duke u thirrur në Rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve. Te baza ligjore e thirrjes përmendet edhe Ligji për teatro. Por Ligji aktual që është në fuqi prej vitit 2012, përcakton krejt tjetër procedurë në përzgjedhjen e teksteve dhe regjisorëve që inskenojnë ato në teatrot publike.

Në nenin 15 të këtij Ligji përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e udhëheqësit artistik të një teatri publik. Aty sqarohet se udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të teatrit dhe pas miratimit nga Këshilli drejtues i zbaton ato.

“Në konsultim me drejtorin e përgjithshëm bënë propozimin e repertorit artistik vjetor para Këshillit drejtues të teatrit”, shkruhet në këtë nen. Më pas sqarohet se repertorin e zgjeruar në përpjesëtim dy për një e paraqet për miratim para Këshillit Drejtues të teatrit, duke krijuar hapësira për afirmimin e krijimtarisë kombëtare. Udhëheqësi artistik, sipas Ligjit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, është përgjegjës për realizimin e repertorit vjetor të teatrit dhe bashkë me drejtorin e përgjithshëm mbajnë përgjegjësi për çdo shfaqje publike të teatrit.

Sipas konkursit të Komunës së Ferizajt, të hapur nga Drejtoria për Kulturës, udhëheqësi artistik do të jetë njëfarë zyrtari administrativ në përcaktimin e repertorit. Ai do t’ia paraqesë Këshillit Drejtues propozimet e OJQ-ve.

Në këtë rast, i bie që OJQ-të të menaxhojnë edhe me një pjesë të buxhetit të institucionit publik për punët e vetë institucionit, pasi shfaqjet do të jenë produksion i teatrit “Adriana Abdullahu”.

Ky teatër tash e tre muaj ka për udhëheqës artistik regjisorin nga Ferizaj, Besim Ugzmajli.

Ai ka thënë se me angazhimin e udhëheqësit artistik, sipas Ligjit për teatro, ky pozicion përveç tjerash, bën politikat teatrore, repertorin e teatrit që nënkupton caktimin e teksteve dhe regjisoreve, të cilat i prezantohen Këshillit dhe ky organ miraton disa prej tyre.

“Thirrja që është bërë ka treguar një përplasje ligjesh, sepse sipas disa ligjeve dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave, subvencionet nuk mund t’i jepen askujt pa një thirrje publike. Thënë saktësisht, nuk mund të financohen individë me shuma më të larta se një mijë euro, nëse kjo shumë kalohet duhet të jetë një OJQ që aplikon”, ka thënë Ugzmajli.

Drejtori i përgjithshëm i teatrit të Ferizajt “Adriana Abdullahu”, Fatmir Hyseni, ka thënë se thirrja publike është në kundërshtim me Ligjin për teatro. Edhe ai ka përmendur Rregulloren e subvencioneve. “Nuk e dimë se çfarë zgjidhje të bëjmë. Ne duhet të kemi kod të veçantë buxhetor që të mos kemi këso gjërash. Kjo është bajagi e rrezikshme. Jemi duke u munduar që me buxhetin për mallra e shërbime të zgjedhim të paktën një shfaqje vetë”, ka thënë Hyseni. Edhe ai ka ngritur pyetje sa i përket rolit të menaxhmentit dhe Këshillit Drejtues.

Teatrot e qyteteve deri në vitin e kaluar kanë qenë pa staf të rregullt të punonjësve e pa ansambël rezident. Ky proces për shumicën prej tyre, përfshirë atë të Ferizajt ka përfunduar më 2020. Qysh prej vitit 2012, kur ka hyrë në fuqi Ligji aktual për teatro, institucionet teatrore lokale janë nën hierarkinë e komunave përkatëse. Shfaqjet financoheshin direkt nga komunat nëpërmjet subvencioneve. Kurse ai që njihej si “ansambël rezident i aktorëve” angazhohej me Marrëveshje për shërbime të veçanta.

Dreri në ansamblin rezident të aktorëve e stafi tjetër i rregullt ka ardhur pasi Komisioni i Grandeve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të 2019-s ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022. Me miratimin e buxhetit për vitin e kaluar tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident.

Sivjet teatri i Ferizajt, “Adriana Abdullahu” në përgjithësi ka buxhet prej 170 mijë e 180 eurosh. Për subvencione janë të parapara 18 mijë e 700 euro. Pjesa tjetër janë për pagat e 22 punonjësve dhe për mallra dhe shërbime.

Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të Ferizajt, dhe anëtar i Këshillit Drejtues, ka thënë se janë që t’i zbatojnë ligjet. Sipas tij, në këtë rast është menduar që të respektohen ligjet dhe rregulloret për shpenzimin e financave.

një rregullore në fuqi për subvencionimin e OJQ-ve. Kërkohet që çdo fond mbi një mijë euro të jepet me thirrje publike. Si të tillë e kemi zbatuar. Kjo mund ta dëmtojnë Teatrin në planin e parë. Por brenda thirrjes mund të ketë kritere që parashohin politikat teatrore të drejtorit artistik”, ka thënë ai. Sipas Sherifit, auditorët kërkojnë që të respektohen ligjet dhe rregulloret për shpenzimin e parasë publike.