Kulturë

Kompozitorja nga Kosova që fascinon Gjermaninë me gdhendjen e tingullit

Anda Kryeziu

Anda Kryeziu: “Muzika evoluon, transformohet, por mbetet muzikë. Nuk largohet si fenomen pas të cilit njerëzit janë shumë të dhënë. Fascinimi ndaj tingullit dhe fenomenit socio-kulturor, që quhet në muzikë, është gjithmonë intensiv dhe i tillë do të mbetet gjithmonë”

Në periudhën e zymtë të izolimit gjatë pandemisë COVID-19, Anda Kryeziu do të merrej me atë që ajo e quan “gdhendje të tingullit”. Rezultati: Vepra “Infuse: Playtime”, me të cilën mori Çmimin e Stuttgartit në një alamet gare. Është konfirmim i mjeshtërisë në kompozim, por kritika tashmë e njeh si personalitet të veçantë në kompozim. Për shembull, kur e zbërthen këtë vepër juria thotë se intimiteti dhe brishtësia e tingujve duke u përpjekur vazhdimisht të çlirohen, lënë pas një intensitet të pamasë, të cilit nuk i rezistohet lehtë”. Kur flet për muzikën, Kryeziu, e cila jeton në Berlin, thotë se përherë “evoluon, transformohet”, tek shton prerazi se ajo mbetet muzikë dhe fascinimi me të nuk do të zbehet kurrë. Njësoj edhe emri i saj evoluon dhe fascinon në botën e muzikës

Takimin e parë me tingujt e pati me ata që buronin prej interpretimit të nxënësve në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Banonte aty afër. Ishin tinguj pianoje. Prej atij momenti Anda Kryeziu ndau mendjen për të ardhmen e saj se do t’i përkushtohej muzikës. Rrugës drejt profesionit ndiente se nuk ishte krejt e kompletuar si muzikante. Do të studionte edhe kompozimin në Berlin. Tashmë 30-vjeçarja ka krijuar profilin e saj prej kompozitoreje dhe jo vetëm.

Në vendin ku janë përjetësuar emrat e gjenive si Bach, Beethoven, Mendelssoh, Brahms, e shumë të tjerë, muzika klasike është e pashmangshme. Atje po lulëzon edhe talenti i kompozitores së re nga Kosova, Anda Kryeziu. I tillë nuk është repertori i saj e as çmimet me të cilat është shpërblyer.

Vepra së cilës “nuk i rezistohet lehtë”

Për veprën e saj “Infuse: Playtime” muajin e kaluar ka marrë Çmimin e qytetit të Stuttgartit për kompozim që i hap rrugë si kompozitore e re drejt sukseseve e depërtimit në skenën muzikore. Vepra për ansambël instrumentesh është vlerësuar nga juria për “intimitetin dhe brishtësinë e tingujve”.

Ngjarja me traditë dhe e cila vlerësohet të jetë njëra prej adresave nëpër të cilën kanë kaluar emra të shquar të fushës së kompozimit, sivjet e ka ndarë çmimin në tresh. Çmimi i 69-të është ndarë midis kompozitores kosovare Kryeziu, kompozitores kroate Sara Glojnariq dhe atij gjerman Thomas Stiegler.

“Me kompozimin e saj ‘Infuse: Playtime’ për ansambël, ajo eksploron lojën duke shkëputur identitetet e instrumenteve nga idiomat e tyre. Intimiteti dhe brishtësia e tingujve duke u përpjekur vazhdimisht të çlirohen, lënë pas një intensitet të pamasë të cilit nuk i rezistohet lehtë”, shkruhet në vlerësimin e jurisë për veprën “Infuse: Playtime”.

Juria profesionale vlerësuese ka qenë e përbërë nga kompozitorët Markus Hechtle nga Gjermania, Annesley Black nga Kanadaja, Samir Odeh-Tamimi nga Izraeli, muzikologia polake Monika Pasiecznik dhe klarinetistja hungareze, Boglárka Pecze.

Anda Kryeziu çmimin e konsideron si nder për të.

“Jam shumë e lumtur, sepse nëse shihet lista e kompozitorëve që e kanë fituar këtë çmim në të kaluarën, janë emrat që janë fytyrat kryesore të kompozimit në Evropë. Është nder që edhe emri im është në mesin e atyre fituesve, laureatëve të këtij çmimi”, ka thënë Kryeziu.

Muzika elektronike në eksplorimin e fenomenit tingullor

Ekuilibri, kontrasti, theksi, ritmi e të tjera elemente përbërëse nëpër partitura e ndërtojnë rrëfimin muzikor në veprën e kompozitores Kryeziu. Ka theksuar se kompozimet e saj nuk janë muzikë e mirëfilltë klasike, porse përfshijnë mediume bashkëkohore. Ajo gërsheton klasiken me muzikë elektronike.

“Ajo që unë kompozoj është muzikë kontemporane klasike, nuk është muzikë e mirëfilltë klasike. Aspekti i punës me tingull ka evoluar në aspekte të tjera tingullore, jo vetëm në melodi, harmoni, por edhe tekstura, timbër e të tjera. Në veprat e mia muzika elektronike është e integruar thellësisht direkt në eksplorimin e fenomenit tingullor. Nuk është si prapavijë, sfond, është si instrument integral, krahas veprave të tjera”, ka thënë kompozitorja Kryeziu, veprat e së cilës fokusohen në zhanre të ndryshme si muzika instrumentale, multimedia dhe muzika për teatër.

E lindur më 1993, Kryeziu do të ndiqte shkollën e muzikës që në hapat e parë në rrugën e edukimit. Shkollën fillore e kreu në Gjakovë, ndërsa atë të mesme në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

Në moshën 17-vjeçare ishte zhvendosur në Zvicër për studime në universitetin e shkencave dhe arteve “Hochschule Luzern” në degën e pianos. Studimet për kompozim i ka ndjekur në “Universität der Künste” në Berlin, ku edhe jeton.

“Çmimi për kompozim i qytetit të Shtuttgartit” i ndahet një vepre që veçse është interpretuar për publikun. “Infuse: Playtime” ishte luajtur në vitin 2021 nga ansambli gjerman “Recherche” me bazë në qytetin e Freiburgut që vepron prej më shumë se tri dekadash. Kanë luajtur më shumë se 600 premiera dhe më shumë se 50 regjistrime në CD.

“Nëntë solistët e vendosin muzikalitetin e tyre të madh dhe personalitetet e tyre individuale në shërbim të kolektivit në mënyrë që të mund të hulumtojnë së bashku të tashmen muzikore, si një ansambël”, shkruhet në prezantimin e ansamblit “Recheche”. Muzika bashkëkohore është formati i tyre i punës.

Thyerja e zymtësisë së izolimit me “Infuse: Playtime”

Avangardë është edhe vepra e kompozitores Kryeziu e shkruar për obo, bas-klarinetë, violinë, violonçel, piano dhe për perkusione.

“Këtë vepër e kam shkruar gjatë koronës, periudhës së zymtë të izolimit, kështu që e ka njëfarë karakteri intim, por edhe një intensitet tingullor pasi në mënyrë abstrakte këta tinguj luhaten prej anës intime e deri në atë më shpërthyese. Është më shumë një lojë instrumentale. Jam koncentruar në aspektet e gdhendjes së tingullit”, ka thënë Kryeziu në një bisedë për KOHËN.

Qyteti i Stuttgartit e ndan këtë çmim vjetor në fushën e kompozimit që nga viti 1955. Sivjet është ndarë për herë të 69-të. Siç shkruhet në prezantim, qëllimi i konkursit është promovimi i kompozitorëve dhe hapja e rrugës që muzika bashkëkohore të depërtojë në publik.

“Është nder i madh të jem pjesë e kësaj liste të gjatë e shumë prestigjioze të laureatëve. Është nder i madh të marr këtë çmim, gjë që më motivon. Është një lloj konfirmimi i asaj që muzika dhe puna ime pëlqehen dhe ka përkrahje për atë çfarë unë bëj”, ka thënë kompozitorja, interpretuesja e artistja multimediale, Kryeziu.

Muzika e saj është interpretuar në festivale të ndryshme, duke përfshirë Bienalen e Münichut, “Neue Musik Rümlingen”, kurset verore të Darmstadtit, “Monstra Sonora Valencia” dhe “November Music”. Në vitin 2023 u shfaq premiera e operës së saj “Persona”, bazuar në filmin e Ingmar Bergman, në bashkëpunim midis “Theater Basel” dhe “Gare du Nord”. “Persona” u jep ngjarjeve në skenë ngjyra dramatike e drithëruese.

“Opera ‘Persona’ është muzikë teatrale, një disiplinë në të cilën unë punoj shumë viteve të fundit, pra në aspektin audiovizual. E eksploroj ndikimin e muzikës në anën pamore të veprave. Mënyra se si muzika dhe ana vizuale korrespondojnë me njëra-tjetrën është pyetje qendrore e veprimtarisë sime. Unë punoj në këtë aspekt shumë shpesh. Pos operës kam kryer vepra të tjera ku aspektin vizual e krijoj vetë si manipulimin e dritave e videos”, është shprehur kompozitorja, veprat e së cilës janë dëshmuar të suksesshme edhe me çmimin në “Contemporary Arts Alliance” në Berlin dhe “Akademie Musik Theater Heute” të Fondacionit të Bankës Gjermane.

Muzika e saj është duke u publikuar në CD nga “Edition Contemporary Music Catalogue”. Momentalisht punon si asistente në universitetin e muzikës “Hanns Eisler”. Veprën e saj të parë profesionale e ka punuar në moshën 18-vjeçare – “Mirage du feu” për sekstet harkor.

Sipas të dhënave në ueb-faqen e qytetit gjerman që ia ka dhënë çmimin, numri i pjesëmarrësve dhe i veprave në garën për Çmimin e Kompozimit është çdoherë në rritje. Aty shkruhet se në vitin 2023 kishte pasur gati dy herë më shumë aplikime sesa një vit më parë. Për çmimin sivjet ishin gjithsej 139 pjesëmarrës që paraqitën gjithsej 257 vepra. U vlerësuan tri vepra.

Me “Everything, always“ për orkestër, harqe dhe incizim, kroatja Sara Glojnariq u vlerësua se “merret me punën e saj artistike në mënyrë humoristike, ndonjëherë vetamortizuese dhe krijon një formë hibride largpamëse”.

Fiuesi tjetër, gjermani 57-vjeçar, Thomas Stiegler, është shpërblyer për veprën “Ich leihe mir bei Jürg Frey einen Kugelschreiber” për kuartet harkorësh. Vepra është vlerësuar se zgjon shpresë për potencialet poetike të praktikës kompozicionale.

“Juria njeh një udhëtim nga vëzhgimet filozofike në procesin e kompozimit, vizatimit dhe praktikës së mjekësisë në peizazhet surreale. Kjo muzikë tingëllon modeste, inteligjente, imagjinare, ëndërrimtare, e luajtshme, komplekse dhe zgjon shpresën për potencialet poetike të praktikës kompozicionale”, shkruhet në vlerësimin publik të jurisë për veprën e kompozitorit gjerman Stiegler.

Dashuria për muzikën është kusht thelbësor për karrierë. Për kompozitoren Anda Kryeziu, ajo është pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Veçmas muzika klasike, përkundër tendencave për t’u transformuar në kohë modernizimi.

“Gjithmonë ka nevojë për njerëz që e studiojnë karakteristikën e tingullit në thelb dhe dinë si të krijojnë një strukturë tingullore. Muzika evoluon, transformohet. Por mbetet muzikë. Nuk largohet si fenomen pas të cilit njerëzit janë shumë të dhënë. Fascinimi ndaj tingullit dhe fenomenit socio-kulturor që quhet në muzikë, është gjithmonë intensiv dhe i tillë do të mbetet gjithmonë”, ka thënë kompozitorja Kryeziu.