Kulturë

“Koleksioni i grafikës” përtej ekspozimit të thesarit artistik

“Koleksioni i grafikës” shkon përtej një ekspozite. Nxjerr në pah një pjesë të pasurisë artistike të grafikave që ka Galeria Kombëtare e Kosovës, institucion i themeluar më 1979. Vjen si dëshmi e krijimtarisë dhe stileve që kanë pasur ndër dekada artistët kryesisht vendorë, por edhe aso me renome evropiane e më larg. Por, bën bashkë edhe copëza të historisë së këtyre anëve që janë punuar në pllaka e janë vendosur në letër.

Në ndërtesën e GKK-së dhe atë të Galerisë së Ministrisë së Kulturës janë vendosur disa prej veprave të 36 artistëve më me nam, punimet e të cilëve ndër vite janë mbledhur për të qenë pjesë e fondit të institucionit më të lartë të artit pamor në vend.

Që nga kjo javë, për dy muaj ekspozita “Koleksioni i grafikës” do të jetë e hapur për publikun. Historia e shqiptarëve zbërthehet goxha në veprat e ekspozuara.

Gjelosh Gjokaj i lindur në Milesh të Tuzit më 1933 ishte rritur nëpër kullat e shkëmbinjtë e hirtë të Malësisë së Madhe. Rrëfimet që i kishte dëgjuar për shpërnguljet e shqiptarëve nga vendi i tyre, i ka shndërruar në vepra arti. Ka ruajtur ngjyrat e Malësisë së Madhe, por u ka dhënë shkëlqim historive. “Refugjatët” është veç një prej atyre që shpalos një epokë të zymtë. Vepra e ekspozuar e artistit të njohur ndërkombëtarisht, i cili vdiq më 2016, rrethohet nga grafika të tjera që plotësojnë edhe më atë që donte të shprehte Gjokaj, i cili ia “ndryshoi” rrjedhën lumit Cem duke e bërë që nëpërmjet grafikave të prekë muze të artit gjithandej globit.

Krahas këtyre veprave, zë vend ajo e Henry Moorit, “Olimpikët”. Artisti anglez, që bëri bujë me skulptura monumentale gjysmë-abstrakte në shekullin e kaluar, me gjashtë koka të punuara në teknikën e litografisë, paraqet figura që në shikim të parë duken lehtë të lexueshme. Por vepra e punuar më 1983, veç tre vjet para vdekjes së Moore-s, në moshën 88-vjeçare, është goxha komplekse. Bile shkon deri te kokat mistike të Omer Kaleshit e bashkë me to sa më shumë që zbërthehet, gjithnjë ngelet diçka përtej.

Ekspozita “Koleksioni grafik” nuk kapet me të parën. Pos që ka bërë tok vepra artistësh si Agim Salihu, Fatmir Krypa, Bozhidar Prodanoviq, Rexhep Ferri, Xhevdet Xhafa Jim Cave e Marijan Pogaçnik, ofron mundësinë e një shtegtimi nëpër stile e preokupime të autorëve.

Kjo ekspozitë, sipas filozofit e kritikut të artit, Shkëlzen Maliqi, nuk është vetëm pjesë e misionit dhe e obligimit të institucionit që, kohë pas kohe, publikut kosovar t’ua prezantojë artefaktet nga thesari që i ka. Në tekstin që do të jetë pjesë e katalogut, ai ka shkruar se në këtë ekspozitë fokusi është te grafikat, si një përmbledhje mjaft e arrirë, e shquar për nga cilësia e autorëve dhe veprave, ndërkohë që me të shënohet edhe viti jubilar, dyzetvjetori i themelimit të GKK-së. Fondi i GKK-së numëron rreth një mijë vepra.

“Pjesa dërrmuese e veprave është futur në koleksion në dekadën e parë të punës së GKK-së, më saktësisht në vitet 1979-1991. Ndoshta paradoksalisht, por GKK-ja në atë kohë – edhe pse krahasimet nuk duhet të bëhen në mënyrë mekanike dhe sipërfaqësore – ka qenë pjesë e një sistemi të administrimit ku Kosova ishte me status politik më të ulët seç e ka sot, kishte autonominë, por që atëbotë mbështetja për kulturën dhe artin vendor ka qenë më e avancuar, më entuziaste dhe më ambicioze seç është rasti sot”, ka konstatuar Maliqi. Ka treguar se koleksioni i GKK-së në vitet 1979-1991 pasurohej sistematikisht me fonde të konsiderueshme, kurse më pastaj shënon ulje, me ndërprerje dhe ngecje të konsiderueshme, kështu që nuk është koleksion reprezentues për artin e pasluftës. Ka rekomanduar që GKK-ja dhe jo vetëm, duhet të marrë mësime që boshllëqet e koleksionit të plotësohen edhe me vepra të artit të periudhës paraluftës, e sidomos të pasluftës.

{gallery}

“Për më shumë, një institucion si GKK me 1000 vepra arti në posedim nuk do të duhej të konsiderohej thjesht vetëm si galeri, por thesari e kualifikon që të përmbushë edhe funksionin e muzeut të arteve bashkëkohore, përderisa muzeu nuk themelohet si institucion në vete”, ka shkruar ai në tekstin që në katalog do të bashkojë 16 artistë nga Kosova, 7 nga rajoni dhe 13 nga bota. Maliqi shkon përtej kësaj.

“Koleksioni i autorëve vendorë është cilësor, por jo i plotë, përfshin kryesisht autorët e viteve 1960-1990 , duke filluar nga bardi dhe, praktikisht, themeluesi i artit të grafikës, Gjelosh Gjokaj, i cili pos punës kreative pedagogjike, ka sjellë në Kosovë edhe mjeshtërinë dhe kërkesat teknike më të avancuara të kohës. Kjo listë gjithsesi duhet të plotësohet me autorë të tjerë bashkëkohorë”, ka shkruar ai. Sipas tij, pos opusit të njohur të Gjelosh Gjokajt, për të vlerësuar janë edhe shembujt nga opuset karakteristike grafike të Shaip Çitakut, Rexhep Ferrit, Ymer Shaqirit, Hysni Krasniqit, Karmon Fan Ferrit, Agim Salihut, Xhevdet Xhafës, Fatmir Krypës, Shyqri Nimanit dhe Fatmir Zajmit. E nga autorët e huaj ka vlerësuar veprat e Andy Warhol, Henry Moore, Howard Hodgkin, Jim Cave, Franco Gentilini, si dhe të autorëve nga rajoni Gabriel Stupica, Janez Bernik, Edo Murtiq e Bozhidar Prodanoviq.

Zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Dhurata Ramosaj-Shala, ka thënë se e kanë parë të nevojshme që disa prej veprave të fondit të institucionit të dalin para publikut.

“Në dy hapësirat jemi munduar që të prezantojmë vepra të artistëve të njohur që janë pjesë e fondit të institucionit. Për dy muaj do të jenë në dispozicion të publikut për të parë pasurinë e grafikave që ka institucioni”, ka thënë ajo.

“Koleksioni i grafikës” deri në fund të shkurtit pos mundësisë së gjithanshme për publikun, mund të shihet edhe si apel konkret për institucionet që të pasurojnë koleksionet me vepra, në mënyrë që të vazhdohet rrjedha e historisë së artit në vend e po ashtu edhe vetë perspektiva e artistëve për historinë.