Tryeza “Këngë artistike shqipe” e mbajtur dy ditë në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë ka sjellë analiza e diskutime për historinë e këngës artistike shqipe, esencën reale të saj, përderisa janë dhënë edhe propozime për ndryshimet që duhet t’i bëhen terminologjisë muzikore. Qëllimi parësor ka qenë analizimi i situatës reale në raport me këtë frymë të muzikës dhe ofrimi i një qasjeje të re si në literaturë, po njësoj edhe në praktikë
Dimensione të ndryshme nga profesorë universitarë, kompozitorë, dirigjentë, solokëngëtarë e pedagogë të muzikës janë dhënë për këngën artistike shqipe në tryezën dyditore të mbajtur në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, organizuar prej Fakultetit të Arteve të këtij universiteti.
Tryeza “Këngë artistike shqipe” ka sjellë analiza e diskutime për historinë e këngës artistike shqipe, esencën reale të saj, përderisa janë dhënë edhe propozime për ndryshimet që duhet t’i bëhen terminologjisë muzikore. Qëllimi parësor ka qenë analizimi i situatës reale në raport me këtë frymë të muzikës dhe ofrimi i një qasjeje të re si në literaturë, po njësoj edhe në praktikë për studentët e solokëndimit, e që më vonë të marrë edhe formatin e programit universitar.
“Ne bashkë me profesorët e kemi vizionin që kënga shqipe të studiohet dhe të rritet në nivel të programeve”, ka thënë rektori i universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, në ceremoninë e hapjes së tryezës të enjten e që ka vazhduar punimet edhe të premten.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Hysen Nimani, ka theksuar se ky diskutim është mundësi për gjetjen e moduleve të arkivimit e institucionalizimit të muzikës artistike shqipe.
Profesoresha e solokëndimit, Besa Berberi, duke qenë edhe iniciatore e kësaj tryeze, ka theksuar se kjo vjen si nevojë e njohjes së literaturës muzikore shqipe.
“Njohja e literaturës shqiptare, të solokëngëve dhe romancave, si dhe analiza stilistike interpretuese është e domosdoshme për studentët tonë. Në mësimet e para ndeshemi me probleme vokale të vështira, për t’u ndeshur në të shumtën e rasteve vijnë me potencial vokal, por të pamjaftueshëm për t’u përballë me programin apo literaturën botërore. Duke e trajtuar këngën shqipe në kuadër të lëndës mësimore, ndihmojmë dukshëm në formimin artistik vokal te studentët”, ka thënë Berberi, duke synuar që ngritja e nivelit të studimeve të ketë pikëfillim këtë tryezë.
Emërtimin e tryezës si “Kënga artistike shqipe”, profesoresha e Universitetit të Prishtinës dhe atij të Pejës e ndërlidh me nivelin e lartë profesional.
“Fatmirësisht përvoja e trajtimit të këngës dhe romancave shqipe ka qenë shumë më e trajtuar në Shqipëri sesa te ne”, ka thënë ajo. “Përdorimi i këngëve artistike shqipe na ka ndihmuar në zhvillimin pedagogjik-metodologjik, i cili na obligon të rrisim dashurinë ndaj artit të mirëfilltë. Ky program do t’u qaset këngëve shqipe nëpërmjet metodës së këndimit të belkantos, duke marrë model këngët italiane”.
“Kënga më shoqëroi gjithë jetën”, ka thënë që në fillim të lidhjes së tij virtuale Eno Koço, duke shpalosur rrjedhën e lidhjes emocionale me muzikën, veçmas me muzikën lirike qytetare. “Unë u mora në mënyrë specifike me këngën lirike, se çka është ajo në ndryshim nga kënga qytetare”, ka thënë dirigjenti teksa ka hapur diskutimin edhe për terminologjinë muzikore. “Është pak e ngarkuar, në Shqipëri e Kosovë quhet ‘popullore’ e futen të gjitha, qytetarja, folklorikja. M’u desh ta ndaja këtë punë”, ka thënë ai.
Me theks të veçantë, dirigjenti i cili ka bashkëpunuar edhe me filharmoninë “George Enescu” të Bukureshtit e Akademinë Muzikore të Wroclavit e trajtoi çështjen e identifikimit të këngëve me rajone dhe dallimet në krijime.
Profesori i Universitetit të Tiranës, Nestor Kraja, ka thënë se kjo qëndron për shkak të ndryshimit kulturor dhe jo “kufirin fizik, por kufirin mental”.
“Ne duhet të ndjekim dy rrugë, teorike dhe praktike. Të krijojmë tryeza dhe të ratifikojmë terminologji”, ka theksuar autori i “Muzika instrumentale shqiptare”, “Historia e Muzikës Shqiptare”.
Ka tërhequr paralelen edhe duke përmendur emërtimin “kuartet harkor” në Kosovë dhe “kuartet harqesh” në Shqipëri.
“Terminologjia është problematike. A quhet muzika klasike, serioze, artistike a profesionale?”, e ka ngritur si dilemë profesori dhe kompozitori Rafet Rudi.
Mirëpo përtej pjesës së emërtimeve muzikore, Rudi ka përmendur edhe pozitën e kompozitorëve karshi krijimeve shqiptare.

“Unë s’flas nga pozita e muzikologut, por e kompozitorit”, ka thënë ai duke nënvizuar dallimet në trajtimin e muzikës. “Këngën popullore ose muzikën tradicionale ju po e trajtoni veç nga një aspekt, por kur e vështroj nga pozita e kompozitorit, e shoh që ne ju qasemi ndryshe si krijues”, ka thënë Rudi.
Gjatë diskutimit nuk munguan edhe prekja e pasurisë së muzikës shqipe dhe neglizhenca ndaj saj.
“Makamet janë pjesa më interesante e këngëve qytetare”, ka thënë Koço. “Këto i quajnë tonat, por janë të ardhura dhe u natyralizuan në Shkodër”.
Koço ka thënë se makamet krijoheshin në oborrin e Sulltanit gjatë periudhës otomane dhe ato popullore shkodrane, të cilat krijoheshin në Turqi dhe pastaj vinin edhe në Shqipëri. Ka shtuar se ekziston një lloj neglizhence për muzikën e vjetër shqiptare, duke i cilësuar “gati si relikte të së kaluarës”.
“Insistoj që këngët e vjetra të rigjenerohen e t’i këndojmë, se është kultura jonë qindravjeçare”, ka thënë Koço, që mban titujt “Artist i merituar” e urdhrin “Nderi i Kombit”.
Rudi ka sjellë retrospektivën e pushtimit shpirtëror të popujve, në këtë rast goditjen kulturore.
“Janë zbehur e janë tretur, sigurisht për të gjithë është e qartë se ato s’mund të kthehen siç kanë qenë, por gjurmët nuk e besoj se janë zhdukur”, ka thënë Rudi.
Kompozitori Sami Piraj ka përmendur edhe pasurinë që ka muzika arbëreshe, duke e cilësuar si të thellë dhe origjinale.
“Kur hyja në rrënjët e kësaj muzike, më bënte përshtypje himni që tash e 600 vjet jep ndjenjën e ndarjes dhe të mallëngjimit”, ka thënë Piraj. “Moj e bukura more” edhe ndihet, edhe këndohet, edhe rifreskohet për të dhënë qartë mesazhin e identitetit kombëtar përmes vargjeve”.
Pasuri e muzikës shqipe u cilësua kënga “Baresha”, e kompozuar nga Rexho Mulliqi dhe interpretuar nga Nexhmije Pagarusha.
“Nexhmija ishte gjenerata e parë që studioi kanto në Beograd”, ka theksuar pedagogia e solo këndimit dhe teknikës vokale, Elife Podvorica. “Baresha’ nuk mund të këndohet në mënyre popullore, i ka kërkesat interpretative, ambitusin e shpalosjen”.
Sipas saj, pa dyshen nuk do të ekzistonte “Baresha”, e cila është e stilizuar dhe ka mbetur trashëgimi.
Tryeza “Këngë artistike shqipe” të premten në ditën e fundit ka bërë bashkë sopranon Shqipe Zani, profesorët Behar Arllati, Bajram Çupi e Syzana Jakupin. Është përuruar edhe “Historia e Muzikës Shqiptare” e profesorit Nestor Kraja.
“Përmes informacioneve, analizave, referencave të studiuesve të shquar të lëndës, arritjeve dhe vlerësimeve mbi muzikën artistike shqiptare të periudhave të para Luftës së Dytë Botërore, të periudhës së socializmit dhe të dekadave të fundit të demokracisë, libri është një trajtim krejtësisht i rinovuar i dijeve tona historike muzikore”, është përshkrimi që i bëhet librit. Po aty shkruhet se në këtë botim paraqiten në mënyrë shteruese studimet më esenciale dhe shkencore të muzikologjisë sonë aktuale gjatë periudhave të zhvillimeve muzikore në Rilindje, në periudhën e Pavarësisë dhe të Mbretit Zog, të periudhave të epokës socialiste, si dhe të zhvillimeve të fundit të dekadave të demokracisë.
“Përmes përjetimeve personale, dokumentacionit të pasur dhe shumë analizave të hollësishme muzikore në këtë libër botohen për herë të parë informacione, konstatime, ngjarje, arritje, portrete dhe vlerësime mbi muzikën e pasviteve ’90”, shkruhet në paraqitjen e “Historisë së Muzikës Shqiptare”.