Në njëvjetorin e vdekjes, Nexhmije Pagarusha kujtohet si një këngëtare që shkon përtej profilit prej artisteje. Shtrirja e ngjyrat e zërit të saj mbesin sfidë edhe në ditët e sotme. Trashëgimia e Pagarushës do ende kohë për t’u zbërthyer. Kompozitori e dirigjenti Baki Jashari thotë se është mjaft komplekse të flitet për trashëgiminë e një këngëtareje si ajo. Dirigjenti Gridi Kraja thotë se arti që ajo la pas krenon të gjitha trevat shqiptare për breza me radhë. “...dhe na bën të pyesim veten: A jemi të denjë si pasardhësit e saj me artin që bëjmë sot?”, thotë ai
Vetë asaj kurrë s’i kishte shkuar mendja se do të linte prapa një trashëgimi aq të madhe, deri te interpretimet që konsiderohen si testament i këngës shqipe. Bile, deri në ditët e fundit të jetës çuditej për zërin për të cilin falënderonte natyrën e Zotin. Madje, kur i shkonte mendja se si kishte interpretuar edhe arie operistike pa i ditur as notat, plaste në të qeshura.
Në njëvjetorin e vdekjes, Nexhmije Pagarusha kujtohet si një këngëtare që shkon përtej profilit prej artisteje. Do të shndërrohej në frymëzim për gratë qysh prej fundit të viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Në kohën kur analfabetizmi ishte i pranishëm në masën më të madhe të popullsisë, Pagarusha do të interpretonte në skenë. Jo se thjesht dikush duhej ta bënte këtë. Por e zotëronte atë si rrallëkush edhe në ditët e sotme. Shtrirja e ngjyrat e zërit të saj mbesin sfidë edhe në ditët e sotme. E, para më shumë se gjysmë shekulli këtë zotësi e kishte një vajzë që ende nuk kishte bërë shkollë për muzikë.
E papërsëritshmja
E lindur në Pagarushë të Malishevës më 7 maj të vitit 1933, fshat ky ku e kaloi fëmijërinë e hershme, bashkë me familjen do të zhvendoseshin në Prizren e më pas në Prishtinë. Asokohe këto dy qytete do t’i dukeshin të mëdha. Por jo shumë kohë më pas ia kishte dalë që ish-Jugosllavia të ishte e vogël për të. Edhe pse ishte këngëtare e muzikës popullore, do të krahasohej me soprano të niveleve botërore. E pikërisht sopranot i interpretuan këngët e saj në koncertin e Vitit të Ri që Filarmonia e Kosovës e mbajti më 19 dhjetor të vitit të kaluar në Shkup. U titullua “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës”.
“Dashnor t’u bana”, me aranzhim të Gridi Krajës e interpretim të mexosopranos Elikonë Hysaj, do të hapte pjesën programore ku qenë interpretuar këngët e kënduara nga Nexhmije Pagarusha. “E kujtoj at’ takim”, po ashtu me aranzhim të Krajës, interpretuar nga sopranoja Shkurtë Hykaj, do të sillte para të pranishmëve një prej këngëve kryesore me të cilën identifikohet Pagarusha. Të shumtë qenë ata që nuk mund të rezistonin pa e “përjetësuar” këtë moment duke e xhiruar nëpërmjet telefonave. Koncerti i plotë qe transmetuar në Kohavision në orën 20:00 në natën e 31 dhjetorit.
Kraja, i cili ishte edhe dirigjent i atij koncerti, ka thënë se duke aranzhuar këngët e Pagarushës ishte e pamundur të mos mahnitej nga interpretimi i saj, nga shtrirja e rrallë vokale, estetika e stilizimi i patjetërsueshëm i materialeve.
“Pagarusha është e papërsëritshme në kontributin e saj. Një kontribut kombëtar, por edhe më tej. Arti që ajo la pas krenon të gjitha trevat shqiptare për breza me radhë dhe na bën të pyesim veten: A jemi të denjë si pasardhësit e saj me artin që bëjmë sot?”, ka pyetur ai.
Tronditësja e koncepteve për interpretim
Një pyetje deri diku të përafërt e ka ngritur edhe dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi. Në një shkrim autorial në ditën e 10-të të janarit, Rudi ka pyetur: “A mund të ketë sot një Nexhmije Pagarusha apo Vaçe Zela?”. Sipas Rudit, çdo gjeneratë ka në gjirin e vet talente të jashtëzakonshme, të cilat, thjesht, duhet të zbulohen dhe të identifikohen nga profesionistët, e pastaj të stimulohen dhe favorizohen.
“Shkas për këtë shkrim ishte ndeshja ime e rastësishme me dy interpretime të këngës antologjike të kompozitorit rilindës Palok Kurti – ‘Për mue paska ken’ kismet’, që dëgjova ditët e fundit në internet. Është fjala për dy interprete të jashtëzakonshme tonat, që shquhen si soliste edhe të muzikës klasike: Linda Hakaj dhe Kaltrina Miftari”, ka shkruar Rudi. Ai ka shkruar se normalisht, një interprete çfarë është Lindita, me një potencial të vokalit që ka, do të duhej ta kishte përkrahjen e veçantë institucionale, meqë zëra të tillë nuk mund të lindin shpesh, pa asnjë mëdyshje. Sipas tij, që të dyja këto interprete të mrekullueshme, bashkë me disa këngëtare të mrekullueshme që “heshtazi dhe, të thuash, në anonimitet, veprojnë në Korin e Filarmonisë, janë thesar i jetës sonë kulturore, për të cilin nuk interesohet askush”.
“Pyetjes hipotetike se – a kemi talente që një ditë do të zinin vendin e Nexhmijes apo të Vaçes, unë do t’i përgjigjesha (lehtësisht) me pohim, por përgjigjen e saktë nuk do ta dimë asnjëherë, përderisa nuk do të ndërtohen mekanizmat adekuat, që do ta ndanin vlerën e mirëfilltë nga jovlera”, ka shkruar ai.
Sa u përket vlerave, Nexhmije Pagarusha e kishte çuar në një tjetër nivel interpretimin e këngëve, jo vetëm në Kosovë.
Në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar në Kosovë e në Jugosllavi kishte bërë goxha emër. Më 1971, krejt rastësisht do të udhëtonte për në Shqipëri. Kolegu i saj artist Zef Tupeci do të bëhej sebep për t’u nisur drejt Tiranës. Kur kishin arritur në kufi, Pagarusha nuk kishte leje për të hyrë në atë që ishte Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Por kufitarët shpejt do ta merrnin vesh se nuk bëhej fjalë për një qytetare të thjeshtë. Asokohe Zhani Ciko ishte drejtor i Teatrit të Operës dhe Ansamblit Popullor. Ishte lajmëruar nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës se Nexhmije Pagarusha do të vinte në Tiranë dhe asaj duhej ofruar të këndonte. Shpejt e shpejt do t’i bënin gati një kostum të lungjërisë. Sipas përshkrimit që ia ka bërë Ciko për monografinë “Nexhmije Pagarusha”, botuar nga “Integra”, kishte ecur në gjunjë deri në mes të skenës.
“Filloi me një stil të veçantë krejtësisht nga të gjitha artistet e tjera sa kishim dëgjuar ‘Unë ty të kam dashur ije’. Sikur u zbulua një planet tjetër. Për Kosovën kishim dëgjuar për trimëri e këto gjërat, por jo këtë. Na tronditi konceptin për muzikën, për këngën popullore, për artistin popullor”, citohet ai. Por Ciko nuk do të ishte i vetmi që do të mbetej i shtangur nga interpretimi i Pagarushës. Arti në Shqipërinë e asaj kohe kishte hyrë në rrugën e realizmit socialist. E Pagarusha ua kishte prishur atë “ëndërr”. Avni Mula, një prej emrave më të njohur të artit muzikor – i cili vdiq më 29 tetor të vitit të kaluar në moshën 92-vjeçare, rrëfimin për atë kohë e ka të veçantë. Për të e gruan e tij muzikante Nina Mulën, Pagarusha nuk është se vetëm kishte kënduar bukur.
“Nina tha: ‘Nexhmija nuk erdh këtu për me dhanë koncert rastësisht, po na erdh me na msu si duhet me knu”, citohet Mula në Monografi.
Kurse e bija e tij, Inva Mula, soprano e njohur gjithandej botës, kishte thënë se në ditët e sotme Pagarusha do të ishte bërë këngëtare e muzikës operistike. Zëri i këngëtares, sipas Mulës, vinte nga një mexosoprano, por ngjitej sipër me notat e larta.
“Në kushtet e caktuara, ajo këndoi në Kosovë, ndoshta po të kishte bërë një karrierë operistike, po ta linte Kosovën, në një vend tjetër do të kishte shkuar deri te Maria Callas”, kishte thënë ajo.
Ditët e saj në Shqipëri, Pagarusha i kishte përshkruar me shumë humor. Planifikonte të qëndronte dy a tri ditë, por e kishin ndalur për dy javë. Do ta dërgonin nëpër kombinate të ndryshme e do ta prisnin në mënyrë të veçantë. Kishte shkuar vetëm me një palë rroba. “Me qat fund, me qat bluzë si Jovanka Broz (gruaja e Josip Broz Titos v.j.) ... mos vet...”, kishte rrëfyer.
Pas luftës së fundit në Kosovë, rikthimin në skenë do ta bënte pikërisht në Shqipëri. Ardit Gjebrea e ruan një rrëfim të veçantë për kohën e mundin që iu deshën ta bindte Pagrushën që në vitin 2000 të jetë pjesë e jurisë në “Kënga Magjike”. Aty do të kthehej në skenë bashkë me Gjebrenë për të kënduar këngën “Kur një ditë kthehesh ti”. Kësisoj, këndonte para publikut pas 16 vjetësh.
“Baresha” si ikonë
Me gjithë moshën që kishte para 21 vjetësh, posa u ngjit në skenë u vërejt se bëhet fjalë për artisten që i dha zë edhe një prej këngëve emblemë, “Bareshës”.
Tekstit të shkrimtarit Rifat Kukaj melodinë ia thuri kompozitori Rexho Mulliqi, e zërin ia dha Nexhmije Pagarusha. Autor i këngës më të njohur të Pagarushës, por edhe ndërshqiptare në përgjithësi, është bashkëshorti i saj i ndjerë, kompozitor e disident politik i viteve ’50, ish i burgosur i Goli Otokut zulmëkeq, Rexho Mulliqi. Ai është shkaktari që Nexhmijen e ngriti edhe më lart, thotë Fahri Beqiri, bashkëpunëtor i afërt i këngëtares. Ai e ka përcjellë më së miri nga afër rrugëtimin e Nexhmije Pagarushës nëpër dekada, duke qenë një prej bashkëpunëtorëve të saj.
“Mjafton me përmend ‘Bareshën’, që është ikonë e Rexho Mulliqit dhe ikonë e interpretimit dovros të Nexhmijes dhe mbeti në të gjitha hapësirat e shqiptarisë si Kuran, Kurani i mirëfilltë i një interpretimi të një kange çfarë ishte ‘Baresha’, mbeti edhe sot e asaj dite aktuale”, citohet Beqiri në Monografi.
Ai e kishte njohur Nexhmije Pagarushën që para se të nisnin bashkëpunimet profesionale. Ajo kishte qenë edhe në shtëpinë e familjes së tij në Mitrovicë. Beqiri e vlerëson si këngëtare dhe si prijetare të emancipimit të femrës: si një grua që ka hapur udhë për gratë e tjera për të marrë mikrofonin e për të dalë në skenë.
“Mos harroni, po flas për kohën kur e pasna pasë Nexhmijen në shtëpi. Nana ime jo fort larg e ka pasë çarshafin... Do të thotë është një realitet që të rinjtë nuk e dinë, shumë afër ka qenë periudha kur nanat i kena pasë të mbuluara prej kohës, kur Nexhmija ka ardhë e shplutë në shtëpinë time”, citohet ai në Monografi.
Vlerat e tejkohshme
Por trashëgimia e Pagarushës do ende kohë për t’u zbërthyer. Kompozitori e dirigjenti Baki Jashari thotë se është mjaft komplekse të flitet për trashëgiminë e një këngëtareje si Nexhmije Pagarusha. Sipas tij, profili i saj duhet të trajtohet në formate.
“Në njërën anë si faktografi apo bibliografi të incizimeve të saj, pasi mendohet se janë nja 150 këngë të interpretuara”, thotë ai. Sipas Jasharit, Pagarusha, e cila vdiq më 7 shkurt të vitit 2020, ka lënë vepra historikisht të qëndrueshme dhe me vlera permanente. Ka thënë se shumë krijime mund ta kenë efektin e vet në kohë të caktuara e pastaj harrohen. Por në rastin e Pagarushës, sipas Jasharit, është një trashëgimi origjinale, e tejkohshme dhe e papërsëritshme.
“Trashëgimi tjetër është roli i saj në kohën kur interpretonte. Asokohe gratë shqiptare nuk ishin të përfaqësuara në këtë art. Ajo ka qenë si një pioniere që ka hapur dyert e shumë gjeneratave të tjera”, ka thënë Jashari. Është i bindur se shumë zhvillime të tjera në këtë fushë kanë ecur falë ndikimit të saj. “Shembulli i saj ka hapur shtigje të reja në përfaqësimin e këngës shqipe. Kishte një talent të pashoq”, ka thënë ai. Një tjetër veti që nuk është përmendur deri më tash sa u përket interpretimeve të Pagarushës, sipas Jasharit, është ruajtja e origjinalitetit të muzikës shqiptare.
Vetë Pagarusha kishte thënë se në vitet ‘50, kur këndonte live në ish-Radio Prishtinë, orkestra përbëhej nga nacionalitete të tjera. Krejt pak ishin shqiptarë. Këndohej live për çdo ditë. Asokohe nuk transmetoheshin këngë të incizuara.
“Ka shumë incizime që po të mos ishte vokali i Nexhmijes do të mund të ndikoheshim nga rajoni. Nuk është vetëm për shkak të gjuhës, por mënyra origjinale e të kënduarit. Në atë kohë ajo këndonte me orkestra të ish-Jugosllavisë me joshqiptarë dhe ishte vokali i Nexhmijes që i ka shqiptarizuar interpretimet”, thotë Jashari. Ai ka punuar në atë që tash është Radio-Kosova për 11 vjet. Thotë se me rastin e digjitalizimit të këngëve të Pagarushës ka vërejtur kujdesin që ka pasur ajo që kënga të tingëllojë në shqip. “Është shumë e rëndësishme që ajo duke qenë e rrethuar me përcjellje muzikore sllave ka bërë që interpretimi të dominojë në shqip. Po e hoqe zërin e saj duket interpretim sllav”, thotë Jashari. Sipas tij, vetëm për këtë duhet bërë një studim.
Ndikimi i Pagarushës në artin shqiptar sigurisht që do studim nga perspektiva të ndryshme. Por për një potencial të atillë, muzikor, interpretativ e ndikues në emancipim, sa më shumë studime që bëhen, aq më shumë hapen rrugë të reja për të hulumtuar.