Prej rrëfimeve të shumta, Muzeu Virtual i Refugjatëve ka shkëputur katër dhe atyre u ka dhënë formë nëpërmjet ilustrimeve të Elvira Thaçit dhe Edvin Susuri, veprat e tyre provojnë fuqinë e artit nën përcjelljen e historisë. Njashtu si Muzeu, edhe ekspozita ka të njëjtin synim: t’u japë zë rrëfimeve e përjetimeve të civilëve në luftën e fundit në Kosovë, larg narrativave të rëndomta e glorifikuese
Kur nisi lufta, Bajramshahe Jetullahu shihte krejt pak, sa për t’u orientuar. I verbër kishte qenë edhe burrit i saj. Në intervistën për Muzeun Virtual të Refugjatëve, Jetullahu e nis rrëfimin duke treguar se si fqinja e tyre malazeze me emrin Sllavka kishte shpëtuar nga masakrimi. Ajo kishte ardhur në shtëpinë e tyre dhe u kishte treguar se si serbët kishin marrë vendim për ta masakruar familjen Jetullahu me arsyen se ata e kishin ndarë shoqatën e të verbërve të Serbisë nga ajo e Kosovës dhe se kishin marrë pjesë në protesta dhe madje kishte kërkuar edhe ndërhyrjen e NATO-s. Jetullahu rrëfen ikjen e shpejtë nga shtëpia, fshehjen në shtëpinë e kunatit dhe në fund ikjen si refugjate në Itali.
Megjithatë dalja nga Kosova nuk është se e kishte hedhur në një vend më të mirë. Si pasojë e moskujdesit dhe mosofrimit të ndihmës së parë në Itali, Bajramshahja e kishte humbur shikimin. Një ditë, kur sapo kishte hyrë në banjë, kishte parë një rrobë të rënë në tokë. Duke qenë e lodhur dhe me probleme shëndetësore, në momentin kur Bajramshahja ishte lakuar për ta kapur atë rrobë, ishte përplasur për çezmë dhe e kishte nxjerrë syrin nga vendi.
Historia e saj është vetëm njëra prej katër sosh që sjell ajo që është quajtur “Ekspozitë: Muzeu Virtual i Refugjatëve”, e hapur të enjten mbrëma në katin e tretë të hotelit “Grand”. Aty shpalosen edhe rrëfimet e Gordana Gjoriqit, Urtina Hoxhës dhe një tjetri i cili ka vendosur të mbetet anonim.
Ka katër vjet që Nisma për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka jetësuar projektin për memorizimin e përvojave të civilëve në luftën e fundit në Kosovë me Muzeun Virtual të Refugjatëve. E ekspozita ka marrë katër rrëfime prej aty dhe u ka dhënë formë nëpërmjet ilustrimeve të punuara nga Elvira Thaçi dhe Edvin Susuri.
Ka jo pak simbole e shenja që i zbërthejnë rrëfimet. Për Bajramshahen i pari ilustrim sjell profilin e saj teksa mbi sy i bien ca grimca të cilat krijojnë një metaforë të verbërimit të saj. Tek ilustrimi i dytë, në fokus është një shporet rryme, ndërsa mbi të gjendet një tenxhere duke vluar. Kjo lidhet me ikjen e shpejtë të familjes Jetullahu. Në të tretin ilustrim që shënon edhe fundin e tragjedisë, shihet fanella të cilën Bajramshahja ishte lakuar për ta marrë, kur e kishte verbuar komplet syrin.
“Çdo person që e ka kaluar këtë luftë famëkeqe e dimë që nuk ka kaluar mirë, por në veçanti personat e verbër, të cilëve u është nevojitur ndihma e dikujt tjetër e kanë pasur shumë më të vështirë. Ata që kanë pasur fëmijë e kanë pasur paksa më të lehtë, por për ata që kanë qenë vetëm, nuk dihet fati i tyre. Për ne ka qenë tmerri i tmerrit”, ka deklaruar para të pranishmëve në hapjen e ekspozitës Bajramshahe Jetullahu, drejtoreshë e Komitetit të Grave të Verbra të Kosovës.
Koordinatorja e programit në Muzeun Virtual të Refugjatëve, Bjeshka Guri, ka folur për qëllimin e përgjithshëm të Muzeut dhe rëndësinë e memorizimit të përvojave.
“Përmes punës së Edvinit dhe Elvirës kemi vizualizuar disa momente kyç të këtyre storieve. Ky muze është shumë i rëndësishëm për organizatën tonë, pasi që e gjitha ajo që po mundohemi të bëjmë është sfidimi i narrativave dominante që janë glorifikuar që nga pas lufta, narrativat që janë heroike dhe jemi koncentruar që të marrim sa më shumë përvoja që u takojnë civilëve”, ka thënë Guri. Ka theksuar se kanë tentuar që sa më shumë të shkojnë në zona rurale dhe t’i intervistojnë njerëzit që kanë pasur tregime më të ndryshme dhe të cilët nuk kanë pasur mundësi të dëgjohen ndonjëherë.
I tërë ky projekt është mbështetur në masë të madhe edhe nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë. I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe sekretari i parë i kësaj ambasade, Vincent Hug, i ka folur për rëndësinë e artit në të kuptuarit e historisë së tjetrit.
“Përballja me të kaluarën nuk është e lehtë. Është shumë e vështirë prandaj çfarë duhet të bëjmë. Mendoj se arti dhe aktivitetet kulturore sikurse kjo ekspozitë mund të na ndihmojnë. Arti nuk e prek vetëm kokën por e prek edhe zemrën dhe shpirtin e njeriut. Ju mund të përballeni me vuajtjen, dhimbjen dhe traumën e njerëzve vetëm nëse lejon që ajo të arrijë deri te zemra jote”, është shprehur Hug.
Rita Berisha ka folur për përvojën e saj si hulumtuese e dy rundeve të fundit të “Muzeut Virtual të Refugjatëve”.
“Kjo është një përvojë, që të gjithë ata që kanë punuar në hulumtim e kuptojnë që gjithmonë kanë për të dalë rrëfime të cilat nuk kanë qenë të shpërfaqura më herët, gjithmonë do të dalin zëra të cilët nuk janë dëgjuar më herët. Përderisa në ciklin e parë të intervistave kam dëgjuar shumë rrëfime të grave, në ciklin e dytë për mua ka qenë shumë e rëndësishme ta bëj një lloj ndërthurjeje për shkak se identitete të shumta ndikojnë në përvoja të shumta. Storiet e refugjatëve mund të jenë universale në kuptimin e asaj çka kemi kaluar si refugjatë, identitetet e ndërthurura mandej ndikojnë në mënyrën se si një kategori e përjeton të qenët refugjat krahas një kategorie tjetër”, ka thënë Berisha.
Muzeu Virtual i Refugjatëve është i qasshëm për secilin. Mënyra për të marrë vesh se çfarë ka ngjarë me secilin që ka shpalosur kujtimet e tij është shumë e thjeshtë. Pasi hyhet në ueb-faqe, në sektorin e “Storieve” gjenden të gjitha rrëfimet që përmes audio-incizimeve vijnë në gjuhën amtare të të intervistuarve, kurse të transkriptuara, pos në shqip, janë në serbisht e anglisht. “Ekspozitë: Muzeu Virtual i Refugjatëve” ka qenë e hapur edhe të premten.