Dita Ndërkombëtare e Muzikës është shënuar nga Ministria e Kulturës me ndarjen e çmimeve. Tetë kompozitorë kanë marrë katër çmimet, të cilat ndahen edhe me nënkategori. Por, nuk ka pasur fitues të çmimit kryesor, atë kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur edhe një të dhënë “ende të pakonfirmuar empirikisht”. “Ne jemi popull i muzikës. Nuk është vetëm një deklaratë apo hamendësim, por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve
Katër çmime vjetore të muzikës janë ndarë për tetë kompozitorë. Por, Ministria e Kulturës nuk ka gjetur laureat për çmimin më të rëndësishëm, atë kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka pranuar asnjë nominim për këtë çmim. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Fakulteti i Arteve, Filharmonia e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës e asociacionet e muzikës nuk kanë nominuar asnjë krijues për çmimin “Niketë Dardani”.
Në një ceremoni të mbajtur në “Kino Armatë”, të martën pasdite, Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet në fushën e muzikës për vitin 2021.
Çmimin për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertale e kanë marrë dy kompozitorë: Drinor Zymberi për veprën “Constellation” dhe Kreshnik Aliçkaj për “Viola Concerto”. Çmimi për vepër kamertale po ashtu është ndarë në dysh midis Fjolla Gashit për veprën “Mystral” dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos”.
Çmimin për vepër solistike dhe për duo e kanë marrë Mendi Mengjiqi për “Fantasy”, vepër për flaut dhe piano, dhe Bardh Dubovci për veprën “Tah” për flaut solo. Menxhiqi ka marrë edhe Çmimin për vepër korale a capella dhe vepër korale me shoqërim instrumental për veprën “Mars” kompozuar për kor a capella bashkë me Hajrulla Sylën, për veprën “The Matamorphosis”, kompozuar për kor e shoqërim instrumental.
Në ceremoninë që është hapur me performancën e Orkestrës Simfonike të Gjakovës dhe është moderuar nga aktori Basri Lushtaku, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se në Ditën Botërore të Muzikës, Ministria e Kulturës shpërblen ata që bëjnë shumë dhe i japin shumë muzikës.
Ministri Çeku ka shpalosur edhe një të dhënë, të cilën nuk e ka elaboruar deri në fund.
“Referuar një të dhëne ende të pakonfirmuar empirikisht që vjen nga këshilltari Liburn Jupolli, ne jemi popull i muzikës. Nuk është vetëm një deklaratë apo hamendësim, por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve. Kjo dëshmohet me përqindjen e popullsisë që në mënyrë aktive merret me muzikën”, ka thënë ai. Sipas Çekut, kjo përqindje në Kosovë duhet të jetë goxha e lartë, bile e konkurrueshme me shumë vende të Evropës me muzikë shumë të zhvilluar.
“Kjo statistikë tregon për pjesën kuantitative. Por, ne besojmë shumë që kemi edhe cilësi të jashtëzakonshme në muzikë të konkurrueshme në nivele ndërkombëtare dhe kjo është dëshmuar”, ka thënë ai. Sipas tij, obligim i MKRS-së është që t’i shpërblejë më të mirët.
Dita Botërore e Muzikës festohet qysh prej vitit 1982, kur edhe u festua për herë të parë në Francë ajo që quhet “Festa e Muzikës”. Tema e sivjetme e Ditës Botërore të Muzikës ishte “Muzika në kryqëzime”.
Vlerësimet e jurisë në përbërje të kompozitorëve Rafet Rudi, kryetar, dhe anëtarëve Vasil Tole e Ermir Bejo janë lexuar nga drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti.
Sipas arsyetimit të jurisë, vepra “Constellation” e Drinor Zymberit shquhet për një lëvizje të vazhdueshme, pa synime dramatike zhvilluese. “Ka një orkestracion të një karakteri ‘lundrues’ të detajuar dhe kalkuluar mirë. Edhe kjo vepër, sikur edhe veprat e tjera të këtij autori, karakterizohet me një gjuhë shprehëse të sofistikuar dhe bashkëkohore”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Sipas arsyetimit, “Constellation” e Kreshnik Aliçkajt shënon edhe një hap në rrugën e këtij kompozitori që të merret me forma standarde që aq shumë i mungojnë krijimtarisë në hapësirën tonë. “Vepra ruan ‘sigurinë’ stilistike të dalë nga një kornizë neoklasike e ngjyrosur me elemente të tingëllimës autoktone”, shkruhet në arsyetim.
Në vlerësimin e jurisë vepra e Fjolla Gashit “Mystral” dëshmon përpjekjen e autores që me ngulm dhe me sens poetik të bëjë përshkrimin e një situate specifike nga natyra që ajo e përjeton pavarësisht se probabiliteti për fitimin e tingujve adekuatë për këtë synim është relativ.
“Gjithsesi duhet veçuar temperamentin interesant krijues të autores në këtë vepër dhe shprehjen e freskët dhe moderne që ajo tregon”, shkruhet në arsyetim. Kurse veprën e Ersan Januzit “Chaos” juria ka vlerësuar se ajo e vë në sprovë autorin para një formacioni kompleks dhe jo të lehtë për t’u menaxhuar.
“Ai përkundër kësaj mban një kontroll intonativ të sigurt gjatë tërë veprës, operon me situata orkestrale kontrastuese mirë të diferencuara”, shkruhet në arsyetim.
Vepra “Fantasy” e Mendi Mengjiqit është përshkruar si një kërkim ku autori respekton me mençuri karakterin subtil të instrumenteve. Sipas jurisë, vepra ka shprehje poetike që ngërthen më vete elementet e këngës popullore shqiptare me një diskrecion të rafinuar. “Vija dramaturgjike e veprës është e kalkuluar mirë dhe ajo buron nga një zhvillim racional i mirë i materialit muzikor”, shkruhet në arsyetim. Kurse për tjetrën vepër të shpërblyer të Mengjiqit, “Mars”, juria ka vlerësuar se autori edhe një herë ka dëshmuar posedimin e teknikës së mirë kompozicionale, tashmë në fazën e pjekurisë së plotë krijuese. “Autori që në vendosjen e materialit fillestar e ka kalkuluar çdo rezultat tingëllues që do të fitojë gjatë rrjedhës së veprës. Vepra bazohet në përvojën barokiene të kontrapunktit rrotullues në të cilën zërat mund të ndërrojnë pozicionet duke mos thyer rregullat e udhëheqjes së zërave të vlefshëm në praktikën polifonike”, shkruhet në arsyetim.
Kompozitori Mendi Mengjiqi, i cili është edhe autor i himnit të Kosovës, ka thënë se këto çmime janë mbështetja e vetme për kompozitorët. Sipas tij, shumë vepra sot janë në krijimtarinë muzikore të Kosovës falë këtyre çmimeve.
“Faleminderit që i mbani këto çmime, megjithëse ka pasur tendenca që të ndalet dhënia e tyre” , ka thënë ai. Ka pasur kritika edhe për faktin se çmimet vjetore janë ndarë në dysh. Sipas Mengjiqit, nuk ka rëndësi nëse nuk shpërblehet një aplikues, por çmimi duhet dhënë për një vepër. Po ashtu, ka rekomanduar që në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të luhen veprat e shpërblyera në vitin paraprak.
Për veprën “Tah” të Bardh Dubovcit juria ka vlerësuar se ajo hyn në vazhdën e veprave të fundit të autorit të ri, shumë origjinal, i cili synim krijues ka eksplorimin e mundësive të instrumentit për të cilin shkruan.
“Ai në këtë vepër këtë e bën në mënyrë ingjenioze, pa kufizime krijuese dhe të paragjykuara, por edhe pa ekzagjerime. Ideja fondamentale e veprës mbetet e qartë, konsekuente dhe nga ajo determinohen të gjitha parametrat tjerë në vepër”, shkruhet në arsyetimin e jurisë.
Kurse veprën e Hajrullah Sylës, “The Matamorphosis”, juria e ka vlerësuar si ndërtim nga një eksperiencë mirë e formuar e autorit për muzikën korale. “Është e qartë se autori i përcjell tendencat e reja popullarizuese të muzikës korale të sotme në botë, nga të cilat edhe lind frymëzimi i veprës”, shkruhet në arsyetim. Vlera financiare e çmimeve vjetore shkon nga 1 mijë deri në 4 mijë euro.