Ka një lloj dialektike sokratike në titullin që vjen i ngjashëm me “Unë di se asgjë nuk di" të Sokratit, por Lala Meredith Vula në vend të mejautikës së filozofit grek, nuk pyet pashtershëm në kërkim të së vërtetës, por përgjigjet. Ajo e kthen kohën e fotografive të saj, e zhvendos në të tashmen dhe fizikisht kur në galeri fut mullarin e sanës që duket sikur e zhvendos aty prej fotografive të saj. E nëpërmjet fotove të shfaqura në krejt këndet e syrit të vizitorit ajo sërish krijon realitet tjetër
Përreth hyrjes në Galerinë e Ministrisë së Kulturës zënë vend fijet e barit të thatë të shpërndara gjithandej. Ende pa hyrë, brenda hapësirës ekspozuese krejt afër portës, duket një mullar sane. Ata që janë në rrjedha të artit menjëherë atë pamje mund ta lidhin me Lala Meredith Vulën. Seria e saj e fotografive në bardhezi “Mullarët” ka shëtitur botën. Shkrepjet nëpër fshatrat e Kosovës janë shfaqur edhe në Kosovë. Por kësaj radhe Meredith Vula ka ndërruar qasje.
Me kurator Edi Mukën, nuk kanë zgjedhur që të sjellin pamje mullarësh, por ambientin e fshatit e kanë futur brenda Galerisë. Në ekspozitën e titulluar “ç’nuk dija që e kisha ditë...” duket sureal një mullar gjigant në një ambient relativisht të vogël. Veglat që shërbejnë për të mbledhur sanën e ndërtuar mullarin bashkë me ato gomat e vjetra të veturave që e rrethojnë atë e një i vendoset në majë, janë aty. Pra, është copëz e një “lame”, siç quhen në fshatra hapësirat ku grumbullohet sana a kashta për kafshët. Në imazhe janë “Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në vitet 1987 – 2019”, siç vjen edhe nëntitulli i ekspozitës bashkë me shtesën “nga arkiva fotografike e Lala Meredith Vula”. Por me arkiv, artistja kapërcen realitetet ose ndërton realitete të reja edhe nëse përdor të kaluarën.
Në ekspozitën e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës të enjten mbrëma, instalacioni i Lala Meredith Vulës nuk përfundon me kaq. Në kthinë është ndërtuar një triptik ekranesh ku në mure nëpërmjet videos fotografitë e shkrepura nga Meredith Vula lëvizin në një lloj cikli duke e shëtitur publikun nëpër kohë e histori të ndryshme. Janë imazhe bardhezi që rrumbullojnë gati katër dekada. Thënë shkurt: është një skanim artistik i përditshmërisë së këtyre anëve.
“Kashtat”, “Banjot”, “A je ti gjithkush? - fotografi të Kosovës së pasluftës (qershor 1999 - maj 2000)”, “Pastoral Life in Kosova”, “Gratë dhe uji” janë disa prej serive të artistes që u lind në Sarajevë e prej moshës 5-vjeçare jeton në Britani të Madhe.

Më 2015 në Galerinë Kombëtare të Kosovës ajo hapi ekspozitën “Kujtesë gjaku”. Ishin fotografitë e tubimeve për faljen e gjaqeve në fillim të viteve ’90. Tash i ka bërë krejt bashkë duke ndërtuar një film sikurse ata të kohës kur produktet kinematografike ishin bardhezi dhe pa zë. Madje në këtë ekspozitë ky film nuk ka as “intertitles”. Nënat që lajnë fëmijë, pamjet e faljes së gjaqeve, tanket e mbetura nëpër Kosovë pas luftës, mullarët e përditshmëria në forma të ndryshme vijnë si një “flashback” që e fut vizitorin në një rreth vicioz të përditshmërisë në kohë të ndryshme.
Me thjeshtësinë që e karakterizon e vullnetin që e shpërfaq në çehre, Lala Meredith Vula e pyetur se çfarë nuk dinte se dinte, ka thënë se bëhet fjalë për një pyetje shumë filozofike për jetën.
“Këtë pyetje duhet t’ia bëjmë vetes. Kur bën një vizitë diku kur je më i ri, ka gjëra aty që nuk e ke ditur se janë. Këtë e kam përjetuar unë. Gjërat ishin aty, por nuk e kam ditur”, ka thënë ai.
Për videon ka thënë se është pothuajse krejt arkivi i saj.
“Jep momente e pamje që kam fotografuar pa vetëdije. Mullari është realitet dhe ballafaqon vizitorët me shumë pyetje se çka është art e çka reale”, ka thënë ajo. Ka paralajmëruar një projekt të ri për vitin e ardhshëm në Kosovë.
Kuratori Edi Muka ka thënë se janë përpjekur për të gjetur një formë të re të paraqitjes së krijimtarisë së Meredith Vulës. Kanë menduar që të mos shpërfaqin ndonjë seri të veçantë fotografish, por krijimtarinë e saj në tërësi.
“Pra, të gjenim një formë ku do të mund të hapnin arkivin gjigant për t’i dhënë mundësi shikuesit të shohë një lloj rrugëtimi në këtë botë të madhe që Lala ka krijuar në fotografimin e jetës”, ka thënë Muka.
Ka sqaruar se realiteti është ai që ka frymëzuar artisten për të shkrepur fotografi, kurse kësaj radhe janë përpjekur që të krijojnë realitetin e frymëzuar nga fotografitë.
“Në këtë mënyrë lindi mullari i sanës. Nuk është thjesht pamja e mullarit në Galeri. Është një objekt i madh në një hapësirë të vogël. Pastaj aroma e tij që vjen brenda e sjell vendin prej ku vjen, aromën e atij vendi. Krijohet një ndjesi e bukur brenda shpirtit kur takohesh me këtë objekt”, ka thënë ai. Ka sqaruar se shfaqja e imazheve që lëvizin nuk ka një linjë fillimi, zhvillimi dhe fundi, por është ndërtuar në mënyrë rrethore “ashtu siç jeta e ciklet e rruzullit janë të ndërtuara në mënyrë rrethore”.
“Vendosëm që të mos zgjedhim një seri fotografish. Me këtë cikël hapet mundësia që të takon me botën e Lales”, ka thënë ai.
“Kolona” zanore e ekspozitës – efekte prej kompozitorit John Young – e bën më të lehtë zhvendosjen në kohë e realitete.
Bota e Meredith Vulës kësaj radhe shëtit nëpër artin e saj të nxjerrë nga negativët e aparatit dhe mullari real prej sanës së kositur me kosë tradicionale.
Skulptori Luan Mulliqi ka thënë se fotografitë e Meredith Vulës janë shumë poetike. Sipas tij, kësaj radhe ajo, nëpërmjet instalacionit të mullarit të sanës ka tentuar ta sjellë një atmosferë të ambientit të fshatit.
“Tingëllon koncept i freskët. Në anën tjetër nuk kemi fotografi të prezantuara, por janë tri video që kanë krijuar një hapësirë tredimensionale e që ka një ndërlidhje shumë të mirë. Videot vijnë me trashëgiminë tonë”, ka thënë ai.
Veprat e Meredith Vulës janë parë nëpër muze e galeri të ndryshme nëpër botë. Por sidomos ato që lidhen me Kosovën e viteve ’80, ’90 e edhe të pasluftës, askund nuk mund të shihen si në galeritë e shtetit më të ri në Evropë, pasi askund nuk janë më brenda kontekstit. Artistja kësaj radhe ka zgjedhur që ta dërgojë më tej vizitorin. Mullari duket si një skulpturë e nxjerrë nga fotografitë. Siç edhe ka shkruar kuratori në tekstin e tij, në përmbytjen e imazheve të ekspozitës ka diçka hipnotizuese. E Meredith Vula e ka këtë aftësi: luan me realen duke e çuar atë deri në nivel hipnotizues. E te “ç'nuk dija që e kisha ditë...” ka pasur pak më shumë “mëshirë” për vizitorët. Krahas imazheve që sipas mënyrës si janë paraqitur prekin edhe hipnotizimin, aty afër ka krijuar edhe realen, mullarin e sanës.