Kulturë

“Kafja e Madhe” në Shkodër rrafshohet në emër të restaurimit, pezullohen punimet

“Do t’i kalojmë pritshmëritë”, kishte paralajmëruar muajin e kaluar një prej investitorëve sa i përket nisjes së restaurimit të “Kafes së Madhe”. Ashtu edhe ka ndodhur. Askush nuk e ka pritur që pjesa më e madhe e ndërtesës njëshekullore do të rrënohej. Ka mbetur në këmbë vetëm pjesa ballore. Përderisa punimet janë pezulluar, projekti parasheh që nga 700 metra katrorë, ndërtesa të jetë mbi 4 mijë metra katrorë. Për ata që kanë reaguar, monumenti ka humbur tiparet e veta. E institucionet do të merren me rishqyrtimin e projektit që ishte miratuar më 2018

Kur flitet për pika reference për qytete të mëdha, adresat janë të ndryshme. Për arkitekturë përmendet një prej ndërtesave që posedojnë vlera, për muzikë ndonjë hapësirë ku është interpretuar, për gastronomi përmenden disa nga restorantet a kafehanet. Por kur përmendet emri i “Kafes së Madhe” në Shkodër bëhen krejt bashkë. Bile, shkohet përtej. Kalkulimit i shtohet emri i arkitektit që e projektoi, vallëzimi brenda ndërtesës, pikëtakimi për banorët e vizitorët, humori i hollë shkodran që ka dalë prej aty e deri te njerëzit fisnikë që e kanë frekuentuar hapësirën që ndodhet në zemër të qytetit verior të Shqipërisë.

Si nyjë e fortë kulturore – ku bashkohet kujtesa kolektive në disa dimensione – restaurimi i “Kafes së Madhe” ka ngjallur alamet debati ditëve të fundit.

Ndërtesës që ishte në rrënim e sipër i është rrafshuar pjesa më e madhe e mureve. I është lënë vetëm muri ballor. E ky veprim, ka bërë që të ndizet debati për atë se çfarë po ndodh me “Kafen e Madhe”. Shteti synon që muri dhe fasada ballore të ruhen, e pjesa tjetër do të jetë e re, por me tipare arkitekturore të monumentit të kategorisë së parë. Ndërtesa do të jetë shumë më e madhe. Sipas projektit të prezantuar, nga afro një mijë metra katrore, “Kafja e Madhe” do të jetë në 4 mijë metra katrorë. Nga 4 a 5 dhoma sa ofronte në të kaluarën, do të ketë mbi 20 sosh. Bodrumi do të ketë atë që ofrojnë hotelet luksoze, përderisa tarracat nga para do ta transformojnë krejt hapësirën që dikur ishte lloj oborri.

Por veprimet ndërmarra kanë nxitur debat. Kanë nisur akuzat për tjetërsim të monumentit. Pronarët janë edhe investitorë. E shteti gjatë ditëve të fundit ka pezulluar punimet me arsyetimin se do të bëhet rishikim i projektit, por edhe shkaku i afatit të punimeve.

Është gazetarja Anisa Ymeri, e cila ka alarmuar për atë që ka ndodhur.

“Është e rrafshuar! Është bërë pluhur e gjithë godina! Veç ndonjë metri muri anësor dhe fasadës...”, ka shkruar ajo në rrjete sociale. Ka reaguar disa herë dhe ka shkruar pyetje për autoritet shtetërore duke filluar nga Bashkia e Shkodrës, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e Ministria e Kulturës.

Por puna ka nisur bazuar në një projekt të miratuar qysh në vitin 2018. Vetëm zyrtarët e Drejtorisë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kanë njoftuar se punimet janë pezulluar.

“Projekti ka qenë një ndërhyrje masive duke ruajtur fasadën. Nuk ka shembje totale. Janë pezulluar punimet deri në rishikim të projektit”, ka thënë drejtoresha e këtij institucioni rajonal, Majlinda Laçaj.

E ndërtuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, “Kafja e Madhe” do të shndërrohej në ndërtesën më simbolike e të qytetit të Shkodrës.

Projektuar nga Kolë Idromeno, neoklasikja dhe arkitektura e deriatëhershme në Shkodër ishin kombinuar në ndërtesën që u bë pikëtakim për banorët e qytetit dhe mysafirët.

Belma Bebeziqi-Çela që është një prej investitorëve të projektit në ciklin e dokumentarëve “Rrugë pa rrugë” në prill të këtij viti kishte sqaruar se bëhet fjalë për një plan ambicioz.

“Projekti i ri i këtij monumenti do të jetë mbi 4 mijë metra katrorë. Pasurohet në shumë shërbime. Do të ketë asete që vetë koha i kërkon. Pjesa e prapme e ‘Kafes së Madhe’ do të jetë një pasurim shtesë. Do të ketë restauronte, salla të mbledhjeve dhe 25 dhoma. Do të tejkalojmë pritshmëritë”, kishte thënë ajo. Kishte treguar se dizajni brenda dhomave do të jetë specifik, por duke ruajtur kulturën dhe identitetin që përfaqëson monumenti. “Do të mbështetet ideja e projektuesit të parë Kolë Idromeno”, kishte thënë ajo derisa kishte folur edhe për suita presidenciale në kuadër të restaurimit.

Arkitekti Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës, kishte thënë se ndërtesa përfaqëson neoklasicizmin dhe stilet që kanë gjurmë të Shkodrës. “Ishte shprehje e një borgjezie të re që u lind në Shkodër. Ajo duhej ta shprehte fuqinë e vet ekonomike, por edhe formimin kulturor”, kishte thënë ai.

“Kafja e Madhe” ishte një ndërtim me karakter shoqëror i periudhës kur u ndërtua. Kati i parë ka shërbyer si lokal, ndërsa kati i sipërm hotel. Kafja është pjesë e atij kompleksi ndërtimesh që mbushin rrugën e pjacës të projektuara po ashtu nga Idromeno. Te “Kafja e Madhe” vërehet një gërshetim i traditës së ndërtimit të godinave qytetare me stile të ndryshme, veçanërisht të fasadave. Sipas arkitektëve, është i dukshëm në këtë drejtim, ndikimi i arkitekturës së qyteteve të përparuara të Mesdheut. “Kafja e Madhe” ishte në ato vite shprehja tipike e zhvillimit të kapitalizmit në fushën e tregtisë dhe veçanërisht në atë të hotelerisë. Shkodra e asaj kohe nëpërmjet kësaj ndërtese, tregonte luksin e kohën, ku përfshihej argëtimi, teatri, muzika dhe ballot elegante. Deri në vitet e komunizmit ishin ndërruar disa pronarë. Ndërtuesit, familja Ashiku e kishin shitur atë. Por në komunizëm ishte nacionalizuar si pronë. E në vitet ’90 u ishte kthyer pronarëve për të funksionuar për një kohë jo të gjatë, shkaku i mosmarrëveshjeve rreth ndarjes së pasurisë.

Image