Kulturë

“Julijana” – zëri kumbues i vlerave artistike e njerëzore

“A e njihni këtë zë?”, është pyetja që i drejtohet publikut para që t’i prezantohet një nga historitë më të pazakonta. Bëhet fjalë për një alamet zëri që kishte depërtuar në skenat më të njohura botërore. Ishte një nga mexosopranot më të mëdha të shekullit XX në Serbi. Imazhet e saj të përcjella me zërin e Julijana Anastasijeviq ndezën të mërkurën mbrëma ekranin në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, për të hapur kështu edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Filmi me titullin “Julijana” sjell në Kosovë një pasqyrë të jetës së mexosopranos, e cila hyri vrullshëm në skenë e kur u tërhoq prej saj dëshmoi deri në fund së është artiste e humaniste e vërtetë.

E lindur në Nish në vitin 1934, e bija e pianistes nga Vjena dhe majorit të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, solistja e Operës së Beogradit, Julijana Anastasijeviq pasi që me zërin e saj të mëndafshtë kishte lënë nam në skenat më të njohura, pas kërkesave të miqve të saj në Kosovë më 1983 mori udhën për në Prishtinë. Që nga ky vit, Fakulteti i Arteve u bë “shtëpia” e saj. Në Prishtinë, ligjëroi solokëndim, lëvizje skenike dhe diksion. E prej saj morën mësim shumë muzikantë e aktorë. Gjatë qëndrimit këtu refuzoi të drejtën për banesë pa pagesë, që asokohe ofrohej nga Akademia dhe vendosi të jetojë me qira në shtëpinë modeste të mikut të saj shqiptar në Fushë-Kosovë.

Gjithçka nisi të lëkundej në fillim të viteve të ’90 me ardhjen e Milosheviqit në pushtet dhe përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale. Shpejt u dha urdhri që në Akademinë e Arteve të pranoheshin vetëm studentët serbë, pavarësisht talentit. Julijana, e cila asokohe ishte prodekane e kundërshtoi fuqishëm këtë.

“Studentët janë studentë, jo shqiptarë e serbë”, qe qasja e saj.