Si prijës i një etape të re në fushën e gjuhësisë shqipe dhe etnografisë së shqiptarëve, është cilësuar albanologu i shquar Johann Georg von Hahn, në konferencën shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me rastin e 210-vjetorit të lindjes së tij.
Në fjalën e tij në hapje të konferencës, kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi, citohet të ketë thënë se “merita më e rëndësishme e Hahnit është se, megjithëse edhe vetë ishte diplomat e konsull, e ndau albanologjinë prej shkencës së dëshirës dhe e ktheu në shkencë të arsyes e të argumentit”.
“Veçantia tjetër e Hahnit është se, ndryshe prej paraardhësve, të cilët kishin qenë të detyruar që herët a vonë të merreshin edhe me shqipen, për shkak të domosdoshmërisë së krahasimeve në kuadër të helenistikës, romanistikës apo sllavistikës, ai iu kushtua përjashtimisht kësaj gjuhe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij”, citohet të ketë thënë Gjinushi. ASHSH-ja, të premten, një ditë pas konferencës gjithëditore, në rrjete sociale ka publikuar një përmbledhje nga punimet e saj.
“Hahni nuk u mjaftua me pohimin e argumenteve në favor të tezës së vazhdimësisë historike-gjenetike iliro-shqiptare. Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire, madje edhe pre-greke, që nuk mund të ishte tjetër veçse gjuha e pellazgëve”, citohet akademik Gjinushi.
Seit Mansaku ka folur për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe të autoktonisë së shqiptarëve në veprën e J. G. von Hahn “Studime shqiptare”, botuar në Vjenë në vitin 1954. Ai ka thënë se ky libër ka shërbyer si burim për studimet shqiptare në disa fusha nga studiuesit shqiptarë e të huaj. “Vepra e tij ishte hyrje në një etapë të re në fushën e gjuhësisë shqipe dhe etnografisë së shqiptarëve”, citohet të ketë thënë Mansaku.
“Brenga e J. G. von Hahnit për Shqipërinë dhe shqiptarët e kohës së tij”, ka qenë titulli i kumtesës së Emil Lafes, i cili ka rikujtuar se Hahni është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në një varg përfundimesh, sidomos për autoktoninë e shqiptarëve, që qëndrojnë edhe sot.
“Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790–1860) ka shkruar: ‘Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht, që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e shqiptarëve në të dyja dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet ‘konkuistador’ në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë”, citohet të ketë thënë Lafe.
Bardhyl Demiraj në kumtesën “Alfabeti origjinal i Dhaskal Todhrit në fokusin e analizave kulturore-epigrafike të Johan Georg von Hahn-it”, ka pasur për temë alfabetin origjinal të shqipes në disa dorëshkrime që i takojnë gjysmës së parë të shekullit XIX, të cilat Hahn-i i ka kërkuar, gjetur e siguruar gjatë qëndrimit të tij në Elbasan në vitin 1849.
Demiraj citohet të ketë thënë se Hahn-i alfabetin e njohur si i Dhaskal Todhrit e rroku në fokusin e një studimi të mirëfilltë epigrafik dhe etnokulturor, duke ua përcjellë atë rretheve shkencore intelektuale të kohës.
Anila Omari në kumtesën “Lashtësia e dialekteve të shqipes sipas J. G. von Hahnit dhe në studimet e mëvonshme albanologjike” ka theksuar se teza e Hahnit mbi lashtësinë e dialekteve të shqipes u rimor në kohën e sotme nga profesor Bahri Beci në një varg punimesh të tij ku dallohet artikulli i vitit 1982 “Lashtësia e dialekteve të shqipes”, dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve, si dhe dy punime monografike: “Dialekte të shqipes dhe historia e formimit të tyre” (2002), “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes”, 2019.
Seanca e dytë e konferencës është udhëhequr prej arkeologut Neritan Ceka, i cili është prezantuar me temën “Arkeologjia në periodizimin sipas Georg von Hahnit”.
Akademik Pëllumb Xhufi, në kumtesën “Malet e Bardha dhe variabli “parthin-alban” i Hahnit”, trajtoi aftësinë e albanologut për identifikimin etnik përmes gjuhës të malësorëve shqiptarë të rrezikuar nga asimilimi.