Pavarësimi financiar i institucioneve të kulturës ka kohë që pretendohet. Sivjet kanë edhe kodet e veta në Ligjin mbi ndarjen e buxhetit të këtij viti. Por, përdorimi i tyre ende mbetet sfidë. Institucionet nuk kanë marrë ndonjë njoftim se kur do të mund të shfrytëzojnë kodet për pagesat që bëjnë
Janë tri gjetje arkeologjike për të cilat është lajmëruar Instituti Arkeologjik i Kosovës gjatë vitit të kaluar. Kanë realizuar vizitat në terren dhe kanë ardhur në përfundim se duhen marrë. Një kapak sarkofagu, një sarkofag dhe një pitos, kanë mbetur në terren. I pari në Topliçan të Lipjanit, sarkofagu në Krivenik afër Hanit të Elezit e pitosi në fshatin Bllatë të Kamenicës. Që të tria gjetjet arkeologjike datojnë qysh në antikitet. Por Instituti Arkeologjik ka mbetur pa i tërhequr shkaku i pamundësisë së shfrytëzimit të buxhetit.
Probleme me shfrytëzimin e buxhetit nuk kanë vetëm institucionet e trashëgimisë kulturore por edhe ato të kulturës.
Kupon fiskal, kontratë, konfirmim i qarkullimit bankar e fatura e rregullt, janë dokumentet që i duhen furnizuesit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës kur blen një rekuizitë për shfaqje.
Pavarësimi financiar i institucioneve të kulturës ka kohë që pretendohet. Sivjet kanë edhe kodet e veta në Ligjin mbi ndarjen e buxhetit të këtij viti. Por përdorimi i tyre ende mbetet sfidë. Institucionet nuk kanë marrë ndonjë njoftim se kur do të mund të shfrytëzojnë kodet për pagesat që bëjnë.
Deri në vitin 2018, janë përdorur xhirollogari në bankat komerciale. Por, ato janë mbyllur në qershor të atij viti, shkaku i Raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, pasi auditorët kishin konstatuar se bëhet fjalë për llogari të cilat nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit.
Për pasojë, të gjitha pagesat për shërbimet që u janë bërë gjashtë institucioneve qendrore të kulturës dhe tri të tjera të trashëgimisë kulturore, janë kryer nga Divizioni i Financave në Ministrinë e Kulturës. Shkaku i vëllimit të punës, pagesat janë vonuar shumë.
“Asnjëherë, nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtare asnjëherë për funksionalizimin e kodeve. Vetëm një e-mail e kemi marrë për përgatitjen e planit të rrjedhjes së parasë pa na udhëzuar se si do të funksionojmë”, ka thënë balerini Kreshnik Musolli, i cili është ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Ai ka përmendur se ende nuk janë kryer obligimet e projektit të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Si udhëheqës në detyrë i BKK-së ka thënë se nuk e ka të qartë se si ka mundësi që të kalojë një muaj e gjysmë e këtij viti, e ende të ngelin borxhe të viti të kaluar.
“Mënyra se si bëhet pagesat tash është shumë e rëndë, shkaku i përgatitjes së dokumentacionit e më pas edhe vonesat. Nuk kanë faj zyrtarët në Ministrinë e Kulturës, pasi ka shumë lëndë”, ka thënë ai.
Për të bërë pagesën e një shërbimi, pos dokumenteve që duhet mbledhur, lënda kalon nëpër tre zyrtarë: zotues, certifikues e shpenzues. Asnjë të tillë nuk e kanë institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, javën e kaluar në kuadër të debateve që ka organizuar Kohavisioni për programet kulturore të partive politike të Kosovës, e ka paraqitur si të arritur futjen e kodeve buxhetore të institucioneve në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti. Por, ajo nuk ka dhënë ndonjë sqarim sa i përket mënyrës së shfrytëzimit të tyre. Një përgjigje e ka pasur zëvendësi i saj, Engelbert Zefaj.
“Janë trajnuar zyrtarët”, ka thënë ai duke iu referuar një trajnimi që kanë mbajtur disa prej financierëve të institucioneve vitin e kaluar. Por zgjidhje nuk është bërë.
Ndonjë afat se kur mund t’i shfrytëzojnë kodet buxhetore nuk e di as drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha. Ai ka thënë se aktualisht e kanë të pamundur të funksionojnë sa u përket pagesave ndaj shërbimeve që marrin. Ka përmendur se duhet t’i kenë tre zyrtarë të tjerë administrativë që t’i realizojnë pagesat.
“Kam biseduar me drejtuesit e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që t’i kemi tre zyrtarë të përbashkët, në mënyrë që të mund të funksionojmë”, ka thënë Rexha. Këtë e ka përmendur duke aluduar se punësimi i zyrtarëve të rinj del të jetë i pamundur.
“Kështu si jemi, e kemi të pamundur të veprojmë”, ka thënë ai. Është ankuar edhe për mosmiratimin e një rregulloreje të re sa u përket shpenzimeve që krijohen nga puna në terren. Sa i përket Rregullores me të cilën është punuar deri në vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte konstatuar se ajo Rregullore ishte shfuqizuar nga Qeveria e Kosovës.
“Ne na duhet edhe miratimi i Rregullores për shpenzimet e terrenit”, ka thënë Rexha.
Një situatë e pazakontë kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Tri institucione së bashku nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje për tërheqjen e pitosit nga Komuna e Kamenicës.
Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Kamenicës s’e kishin një zgjidhje se si të futen në punë mjetet e nevojshme për tërheqjen e pitosit antik, i cili tash e pesë muaj kishte mbetur aty ku u gjet: në arat e fshatit Bllatë të qytetit lindor. Komuna ia kishte ndarë IAK-së 450 eurot e nevojshme për tërheqjen e artefaktit 1 700 vjet të vjetër, por IAK-ja thoshte se s’mund t’i shfrytëzojë.
“Ne i kemi ndarë mjetet. Kemi kërkuar mundësi që t’ia japim IAK-ut. Ata na kanë thënë se nuk kanë si t’i pranojnë. Të them të drejtën, më duket situatë absurde”, kishte thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Kamenicë, Arianit Ibrahimi. Madje kjo komunë kishte shkuar edhe përtej kësaj. Ka ndarë për sivjet 20 mijë euro për Institutin Arkeologjik të Kosovës, me qëllim që të punohet në zbardhen e trashëgimisë arkeologjike të Komunës.