Kundër Hitlerit dhe argatëve të tij, kundër Papës, kundër elitave hipokrite: Me rastin e vdekjes së dramaturgut të madh gjerman Rolf Hochhuth.
Rolf Hochhuth ishte vetëm 26-vjeçar kur shkroi dramën e parë, me të cilën u bë i njohur edhe përtej Gjermanisë. Më 1961 ai, tashmë 30-vjeçar, ia dërgoi dorëshkrimin një shtëpie botuese, e cila nuk qe e gatshme ta publikonte. Drama “Zëvendësi” prekte një temë delikate: oportunizmin e Papës Piu XII gjatë sundimit nazist, kur zëvendësi i hyjit të krishterë mbi tokë nuk tregoi guxim të kundërshtojë Adolf Hitlerin dhe të protestojë kundër shfarosjes së hebrenjve.
Më 1943 nën dritaret e Papës po deportoheshin hebrenj për në Auschwitz – dhe Papa heshti. Drama e Rolf Hochhuth (në gjermanisht: “Der Stellvertreter”) u botua dhe u inskenua tek në vitin 1963 dhe autori hyri menjëherë në historinë e dramaturgjisë dhe letërsisë gjermane si dhe të ballafaqimit gjerman me të kaluarën. Hochhuth ishte iluminist, polemizues, mrekullisht i padurueshëm, i pamposhtur.
Ai ishte kundërshtar i Adolf Hitlerit dhe argatëve të tij, kundërshtar i hipokrizisë së Papës dhe kundërshtar i elitave cinike gjermane. Në dramën “Zëvendësi” një këshilltar fiktiv i Papës thotë: “Kërcënojeni Hitlerin se do t’i detyroni gjysmë miliardë katolikë të dalin në protesta të krishtera nëse ai e vazhdon vrasjen masive!” Papa i dramës së Hochhuth është i pavendosur, i padenjë për postin e lartë, një oportunist i paaftë të tregojë një gjest njerëzor. Në shenjë proteste këshilltari i Papës vendos në gjoks një yll të Davidit për t’u dalluar si hebre dhe bashkë me hebrenjtë shkon në Auschwitz.
Në dramën “Zëvendësi” shefi i kishës katolike është një burrë i ligë. Hochhuth citonte nga një letër që ambasadori gjerman në Vatikan, Ernst von Weizsäcker, më 1943 ia dërgonte ministrisë së Jashtme në Berlin. Aty diplomati shkruante se përkundër presionit nga disa anë, Papa nuk ka pranuar të flasë mbi deportimin e hebrenjve. Kësisoj, shkruante Ernst von Weizsäcker, është likuiduar kjo çështje e pakëndshme për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Vatikanit.
Rolf Hochhuth tregoi guxim të madh pasi që vetëm 16 vite pas Luftës së Dytë Botërore hapi një temë për të cilën heshtnin gati të gjithë, në radhë të parë kisha katolike. Hochhuth ishte i bindur se po të kishte ndërhyrë Papa, shumë hebrenj do të kishin shpëtuar. Andaj dramaturgu kryengritës e quante Papën Piu bashkëfajtor për vrasjen masive të hebrenjve. Papa Piu vdiq në vitin 1958.
Drama “Zëvendësi” e Rolf Hochhuth shkaktoi tensione përtej skenës. Katolikët u tmerruan, qytetarët kritikë dolën në rrugë për të mbrojtur të drejtën e fjalës së lirë dhe të shprehjes artistike. Në një ditë shtatori të vitit 1963, sipas gazetës “Die Zeit”, trafiku në Basel të Zvicrës u bllokua, mijëra zviceranë protestonin kundër dramës së Hochhuth. Të tjerët brohorisnin: “Liri për artin”, “Kundër terrorit mendor të katolikëve”.
Në dramën e Hochhuth jezuiti dhe këshilltari Riecardo Fonata e lut Papën të bëjë diçka kundër Hitlerit. Por kreu i kishës thotë: “Këtë na e ndalon rezoni shtetëror. Ta denoncojmë si bandit zotin Hitler, jo, ai duhet të jetë i denjë për të negociuar. Vetëm Hitleri e mbron Europën. Dhe ai do të luftojë derisa të vdesë, sepse vrasësin nuk e pret falja. Megjithatë, perëndimi duhet ta tolerojë atë për aq kohë sa është i dobishëm në Lindje”. Hochhuth nuk fliste vetëm nga fantazia e tij si artist. Ai kishte lexuar me kujdes aktet e Vatikanit.
Hochhuth nuk i la rehat as politikanët gjermanë, për të cilët dyshohej se në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë shërbëtorë të Adolf Hitlerit. Në tregimin “Një dashuri në Gjermani” (botuar më 1978) Hochhuth arriti të dëshmojë se kryeministri i landit të Baden-Württembergut, Hans Karl Filbinger, gjatë Luftës së Dytë si gjykatës kishte shpallur dënime me vdekje dhe pas luftës kishte vazhduar të marrë vendime bazuar në ligjet naziste. Filbinger (sipas Hochhuth: “një jurist i tmerrshëm”) dha dorëheqje.
Hochhuth përjetoi fundin e luftës si 14-vjeçar. Ai ishte bir i një fabrikanti të këpucëve nga landi i Hessenit dhe në rininë e tij punoi si librar dhe lektor në një shtëpi botuese, pastaj, për një kohë, ishte dramaturgu të cilit ia kishte frikën gjithë Gjermania perëndimore. Aty ku të tjerët tërhiqeshin, Hochhuth vazhdonte të hulumtonte dhe të shikonte deri në fund të humnerës.
Hochhuth luftonte për të vërtetën pa bërë asnjë kompromis, nuk ishte i interesuar për duartrokitje, së paku jo nga pala e gabuar. Ai ishte autor eminent politik me talent për t’u zemëruar. Kritikët e kanë quajtur gazetar në mesin e dramaturgëve. Sepse po s’u zemërove, po qëndrove indiferent ndaj së keqes, s’mund të jesh as gazetar, as dramaturg (i mirë). “Si shkrimtar ti duhet të jesh zjarrvënës”. Edhe kjo njëra nga fjalitë e Hochhuth, këtij militanti të letërsisë së angazhuar. Rolf Hochhuth vdiq të mërkurën në moshën 89-vjeçare në Berlin.