Kulturë

Ilir Bajri në kërkim të përhershëm në universin muzikor

Kompleks është universi muzikor i maestros Ilir Bajri, dhe kjo hetohet edhe kur ai nuk flet për fenomene a tema të mëdha, por thjesht shpalos rrugëtimin e tij jetësor. Hyrja në botën e muzikës qe gati e paracaktuar, studimi i saj u determinua prej një dështimi dhe një përgjigjeje të shpejtë që ia dha babait të tij, por qasja në muzikë nuk është as rastësi e as e paracaktuar. Aty pianisti e kompozitori i shquar është në kërkim të vazhdueshëm dhe i pakompromis. Bajri flet për takimin, pianon e mësuesen e parë, për kompozitorin që e ngeli në vitin e parë por prej të cilin mori një mësim, për interpretimin në kafehane e në skenë, për koncertin në OKB, për eksperimentimin në muzikë e për shumëçka tjetër

Kërkues i pakompromis dhe i përhershëm, do të ishte përshkrimi i parë me pak fjalë i Ilir Bajrit në tentimin për zbërthimin e qasjes së tij të studimit të muzikës. Kur interpreton, është i tëri i zhytur në hapësirën e skenës. Është ndër ata që u ikën formaliteteve të koncerteve. Rrëfimi i tij çon te ky përfundim.

Muzikanti e kompozitori i njohur Ilir Bajri sot është ndër figurat më të njohura të muzikës në vend. Kur flitet për muzikën jazz, për shumëkënd është inspirim edhe sot. Këtë e thonë edhe jazz-muzikantët pasardhës të tij. Rruga e tij me muzikën e kompozimin është e tillë vetëm pse ai, maestro Bajri, kishte guxuar të eksperimentonte e të ndiqte dëshirat e tij.

Image
“Me fakultet vazhdoj me mbetë shumë i dëshpëruar, sepse kam ardhë me shumë vullnet dhe dëshirë të madhe për të mësuar, me bindjen që Universiteti do të jetë ajo periudha që do të jetë një kohë kur unë do të kalitem edhe më shumë”

Si fëmijë ishte introvert dhe gjithçka jashtë dhomës së tij ishte e sikletshme. Në një pikë edhe armiqësore. Veçantitë e tij edhe si fëmijë, tash kur shikohen në perspektivë janë shenjat e para të një personaliteti që gjurmon të renë edhe në muzikë. Bajri në asnjë rast s’e përfill standardin. Nëse shikohet jeta e tij artistike në retrospektivë, çdo kapitull veç sa e dëshmon këtë. I lindur në vitin 1969 në Pejë, Bajri deri në moshën 17-vjeçare kishte jetuar në qytetin e lindjes. Dhoma e tij e mbushur me libra ishte vendi i parë ku ka luajtur tingujt muzikorë. Po aty edhe ka studiuar. Edhe sot ndonëse pa lëvdata për sistemin arsimor në të cilin është shkolluar, rrëfimi i tij dëshmon se i pëlqen të mbetet përjetësisht nxënës autodidakt. Kureshtja e shtyn të mësojë përherë gjëra të reja.

Pianinoja, dhuratë para shtëpisë

“Tentimet e vazhdueshme për të dalë prej vetmisë dhe për t’u futur në shoqëri kanë qenë dështime vazhdimisht. Dhe jam kthyer në shtëpi shpesh i dëshpëruar prej mënyrës se si ne e trajtojmë njëri-tjetri”, ka rrëfyer Bajri në emisionin “Pro X” të KTV-së. Fati më i madh thotë të ketë qenë babai i tij, që e quan njeri të jashtëzakonshëm dhe shumë përkrahës ndaj tij. Në moshën 5-vjeçare ai e kishte nuhatur dëshirën e tij për muzikë dhe e kishte pyetur se në çfarë instrumenti do që të luajë. Përgjigjja e tij kishte qenë pianoja. Muaj më vonë, babai i tij, Adem Bajri, kishte shkuar në Beograd për ta blerë pianinon për të. Kur e kujton atë moment, muzikanti ende emocionohet njësoj. Ndonëse nga e kaluara dhe fëmijëria thotë se nuk mban shumë në mend, ky ishte një prej momenteve që e kujton qartë. Ashtu edhe emocioni i përsëritet.

“Kur e kam parë para shtëpisë atë kutinë e madhe të drurit, e cila e kishte formën e pianinos, si sot fëmijët që gëzohen për ‘PlayStation”, thotë jo pa emocione Bajri, kur kujton se luante në një dhomë plot me libra të babait, gjuhë të ndryshme. Ky thotë të ketë qenë një lloj “interneti” për të ku shuante kureshtjen tij dhe shkak më fort të qëndronte në shtëpi.

Mësuesja që ia hapi dyert

Kur flet për muzikën, zhvillimin e tij në këtë fushë ia atribuon mësueses së tij të muzikës, Shyqrije Ymeri, e cila ishte mike e nënës së tij dhe ia mbante orët e mësimit Bajrit në shtëpi. Atë e përshkruan si mësuesen më të mirë të jetës së tij.

Image
“Ambienti i koncertit është pak stresues dhe pak kufizues edhe pse kushtet mund të jenë ideale dhe njerëzit mund të jenë duke të dëgjuar. Ai rigjiditet i asaj situate di të më kufizojë”

“Ajo ma ka ofruar botën e muzikës në një mënyrë shumë të butë dhe stimuluese. Ajo kurrë nuk më ka detyruar të bëj diçka. Tërë kohën e ka kaluar duke u munduar të më kuptojë se çfarë më pëlqen mua që të m’i ofrojë pastaj pikërisht ato”, ka rrëfyer Bajri. Këtë butësi thotë se nuk e kishte gjetur më vonë, por për të ishte fat që kishte nisur mësimin me një qasje stimuluese. Gjatë shkollës së mesme, Bajri kishte dalë pak nga natyra e introvertit dhe muzika kishte mbetur më nën hije. Aty kishte filluar rebelizmi i tij ndaj “sistemit” të shkollimit dhe shoqërisë. Por dëshira për teknologjinë dhe matematikën e udhëhiqte gjatë këtyre viteve. Aty Bajri “zhvishet” nga titulli i nxënësit të shkëlqyeshëm dhe shoqërimi me nxënësit më të dobët e bëri të mos e ketë fort të qartë se çfarë do të studiojë.

Braktisja e ndërtimtarisë, student i muzikës

Zgjodhi ndërtimtarinë, dhe konflikti me njërin nga profesorët e bëri që ta braktisë tërësisht fakultetin. Kjo ia skuq pak fytyrën edhe gati tri dekada pas.

“Më vinte marre të shkoj dhe t’i them babës se e lashë fakultetin. Ai më ka përkrahur në gjithçka. Kur i tregova dhe më pyeti: ‘Çfarë do të bësh’, si pa planifikim më ka dalë nga goja: ‘Muzikë’”, ka rrëfyer Bajri. Por Bajri ra në provimin pranues në Fakultetin e Muzikës. Njëri nga profesorët i kishte thënë: “Është mirë ta shikosh një fakultet tjetër, nuk janë të gjithë për muzikë”. Kjo veçse ia kishte shtuar vullnetin që gjatë tërë verës të përgatitej për t’u bërë student i muzikës. Koha e studimeve ishte një kapitull i konflikteve të reja.

“Me fakultet vazhdoj me mbetë shumë i dëshpëruar, sepse kam ardhë me shumë vullnet dhe dëshirë të madhe për të mësuar, me bindjen që Universiteti do të jetë ajo periudha që do të jetë një kohë kur unë do të kalitem edhe më shumë”, ka treguar ai. Më pas e kishte përcjellë një vobektësi e padurueshme e marrëdhënieve, të cilat Bajri i quan rigjide dhe johumane. Kjo e kishte bërë Bajrin më shumë autodidakt sesa student të disiplinuar. Dhe kësaj edhe ia kishte parë hairin. Ai hulumtim dhe nevoja për të kompensuar mungesën e librave për muzikën në Fakultet e kishte shtyrë që të mësojë më shumë me vullnet e dëshirë personale. Kjo për Bajrin nënkuptonte edhe lirinë për të eksperimentuar më shumë me vegla dhe me të shprehurit.

Mësimi nga humbja e vitit të parë

“Kjo më ka dërguar në rrugë të ndryshme disa prej të cilave kanë dalë shumë të frytshme në atë procesin e pjekjes”, ka theksuar ai. Kur flet për rrugëtimin e tij akademik, e kujton se vitin e parë e kishte humbur. Por kjo i kishte ndihmuar të transformohej për të mirë. Këtë ia atribuon kompozitorit Vinçenc Gjini, të cilin e quan si profesorin më të mirë që ka pasur dhe i cili ka qenë ndër të rrallët që kishte pasur libër profesional.

“Aty e kam kuptuar sa e rëndësishme është më të ngel dikush dhe më të ofru miqësi dhe sinqeritet. Mos më të mashtru, mos më të rrejt”, ka rrëfyer tutje Bajri.

Jazz-muzikanti periudhën e studimeve e kujton si ditë të ngarkuara me muzikë. Ai kishte qenë edhe bashkëpunëtor i jashtëm i Korit profesionist të RTP-së. Kjo kishte qenë një përvojë e veçantë për të. Më pas kishte luajtur edhe me Orkestrën e Radiotelevizionit të Prishtinës. Ilir Bajri ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme si solist apo me artistë të tjerë në Itali, Spanjë dhe ShBA. Si kompozitor, ai krijon muzikë për teatër dhe film. Bajri është aktiv në sferën e filmit dhe videoproduksionit që nga viti 1994, veçanërisht në fushën e animacionit kompjuterik.

Koncerti i dhjetorit të 1998-s në OKB

Në mendjen e tij ka mbetur koncerti i dhjetorit të vitit 1998, ku me ftesë të aktores Vanessa Redgrave kishte interpretuar në New York në Kombet e Bashkuara, në 50-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Aty Bajri kishte luajtur veprën “Simply Beautiful” në piano.

“Akoma më duket si ëndërr i gjithë ai moment dhe kurrë nuk e di se si ka ndodhur. E kam pritur Vitin e Ri të ‘99-ës” në New York dhe mandej jam kthyer në Kosovë si refugjat. Gjithë ato vite kanë qenë film më vete”, ka shpjeguar tutje ai në emisionin “Pro X” të KTV-së.

Bajri koncertet solistike i ka shumë të rralla. Me koncertin “Introspective” në “Peja Jazz Week” ai kishte zbërthyer universin e tij muzikor me një koncert recital në dhjetor të vitit 2020. Koncertin e mbajti në vendlindje me distancë pas tetë vjetësh.

Bajri për këtë ka një përgjigje të prerë. “Unë bëj hajgare, them jam më shumë muzikant i kafes”, thotë Bajri, i cili është aktiv në mbrëmje të tilla muzikore. Dhe mes të luajturit në kafene dhe në koncert thotë se e ka ndjesinë e vet, të cilat personazhi kryesor i jazzit në Kosovë i përjeton si shumë të veçanta.
“Ambienti i koncertit është pak stresues dhe pak kufizues edhe pse kushtet mund të jenë ideale dhe njerëzit mund të jenë duke të dëgjuar. Ai rigjiditet i asaj situate di të më kufizojë”, është shprehur Bajri. Thekson se është sfidë më vete edhe të performuarit në kafene. Por kur zhurma pushon për t’ia lënë vendin muzikës, për Bajrin është një prej përjetimeve më të bukura teksa luan.

“Nëse ti luan diçka dhe njerëzit që vetëm janë duke kaluar mirë, ndalën dhe të dëgjojnë, atëherë diçka je duke bërë mirë”, thekson tutje ai.

Takim me Marshallin, dekada e Festivalit

Në vitin 2002, takimi me jazz-bateristin e njohur amerikan Eddie Marshall (13 prill, 1938 – 7 shtator, 2011) dhe interpretimi me të në Prishtinë ia mbushin mendjen për të bërë hapa tutje për një festival të jazzit në kryeqytetin kosovar. Megjithatë, gjithçka u realizua për shkak të insistimit të tij dhe inkurajimit pasi që Bajri ia kishte shpalosur idenë e tij. Festivali për dhjetë edicione ka mbledhur mbi 200 artistë të njohur të jazzit dhe janë realizuar rreth 70 mbrëmje muzikore e shumë punëtori. Kur flet për festivalin, Bajri e ka fort të kuruar modestinë. Thotë se ai është rezultat i miqve dhe përkrahësve të tij.

“Në vitin 2005 më shumë me guxim dhe kokëfortësi e kam nisur festivalin pa pasur idenë as se si bëhet dhe sa shumë punë duhet”, ka shpjeguar Bajri. Suksesin e një dekade të jazz-festivalit e mat me mundësinë që u ka dhënë ky të rinjve për krijimin e një platforme që është një mundësi për të eksperimentuar dhe për të pasur mundësinë që ta shprehin veten në forma të ndryshme.

Muzikanti Ilir Bajri viteve të fundit i ka hyrë punës së programimit. Ka mësuar goxha. Njeh kode e gjëra thelbësore brenda gjuhëve programuese. Është autodidakt në këtë drejtim. Aty ka bërë bashkë muzikën e teknologjinë duke nxjerrë instrumente virtuale. Një numër të tyre i ka publikuar “online” që janë pjesë platformës së domenit publik ku mund të merren falas. Fillimisht kishte qenë i kënaqur nëse maksimalisht 30 njerëz do t’i përdornin ato. Pesë vjet më vonë ato janë popullarizuar shumë, duke u publikuar edhe në revistat kryesore të instrumenteve virtuale në Evropë dhe në botë.

“Mbi 100 mijë shkarkime kanë ndodhur dy vjetët e fundit. Jam motivuar që të punoj edhe më shumë që të krijoj instrumente të reja”, ka treguar Bajri. Synim i mëtejmë është që degë të tilla të integrohen edhe në shkolla. Planifikon edhe krijimin e një ansambli të qytetit më eksperimental. Kërkimi mbetet fusha me të cilën dëshiron të ndërhyjë në shumë aspekte të muzikës.