Kulturë

I panjohuri i madh i letërsisë gjermane flet edhe shqip

“Ndaj fillo fol për kohën tënde, njeri/ shndërroje këtë në mendësi/ liria s’është gjë e vogël aspak/ ca borxh për të ia vlen me siguri”, kanë qenë disa prej vargjeve të interpretuara nga aktorja Melihate Qena me të cilët autori kërkon që të dëshmohet për kohën e ku trumbetohet rëndësia e lirisë. Janë shkruar nga shkrimtari gjerman Wolfgang Hilbig (1941-2007). Ndonëse është autor i më shumë se dhjetë veprave në prozë dhe tri në poezi, fitues i disa çmimeve me peshë në Gjermani, ai ka mbetur i panjohur nga audienca e huaj e po ashtu edhe nga ajo gjermane.

Por “I panjohuri i madh i letërsisë gjermane,” siç quhet ndryshe ky shkrimtar, tash i flet edhe lexuesit shqiptar.

Së fundi nga ky autor përkthyesja Ana Kove ka sjellë në shqip librin me poezi “Gjethet dhe hijet”, botuar nga “Poeteka”, i përuruar të mërkurën mbrëma në librarinë “Dukagjini”, ku përveç përthyeses Ana Kova, moderatores Blerinda Idrizi dhe aktores Melihate Qena, i pranishëm ishte edhe poeti, përkthyesi dhe njohësi i letërsisë shqipe dhe asaj gjermane, Primo Shllaku.

Kove fillimisht ka bërë një përmbledhje të jetës dhe veprës së këtij shkrimtari, shumë pak të njohur nga publiku i pranishëm në librari.

“Kritika mendon se jeta e një krijuesi është e pandarë nga vepra e tij, por sidomos te Hilbigu kjo është shumë evidente. Është produkti i vetëm letrar që krijoi letërsia lindore në Gjermani, që ashtu si tek ne në Shqipëri ishte letërsi e klasës punëtore dhe fshatarëve”, ka thënë Kove. Ajo ka thënë se Hilbig ndonëse ishte njëri ndër shkrimtarët e paktë të një letërsie të mirëfilltë, të krijuar në Gjermaninë Lindore, u refuzua nga ky vend, ndërsa shumicën e veprave ky shkrimtar nga klasa punëtore, autodidakt në veprimtarinë letrare, i botoi tek pas vitit 1985, kur shkoi të jetonte në Gjermaninë Perëndimore.

“Në fakt ai refuzonte të ishte pjesë e atij sistemi jo se s’ishte i aftë të mësonte, por refuzonte të ishte edhe ithtar i letërsisë së punëtorëve, fshatarëve apo dogmës dhe duke qenë i tillë Hilbig, në vendin ku lindi, u rrit, jetoi, punoi, nuk u botua, nuk u bë i njohur, ishte i refuzuar dhe shumë vonë vëllimi i tij i parë u botua nën rreptësinë e cezurës dhe nga grupet letrare të klasës punëtore përjashtohet si i pakuptueshëm”, ka thënë Kove, e cila edhe vetë është poete.

Te poetika, stili dhe figuracioni i poezisë së tij, shumica e studiuesve shohin një ngjashmëri midis Hilbigut dhe shkrimtarit tjetër gjerman Paul Celan.

“Nga kritika Hilbig është quajtur si vëllai binjak i poetit Paul Celan. Nëse flitet për letërsinë gjermane të pasluftës së Dytë Botërore, ajo sot njihet përmes këtyre dy poetëve, si poetët më modernë të letërsisë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kove.

Por, një ngjashmëri të tillë nuk e sheh studiuesi dhe kritiku Primo Shllaku. Sipas tij, poezia e Hilbingut ka një ëmbëlsi e cila nuk gjendet te Celani.

“Mund të them se si përshtypje e parë, por jo e pavëmendshme, Hilbing ndihet i mbështetur tek tradita gjermane e trishtimit, një lloj Sturm und Drang, por unë e dalloj nga Celani, sepse ai ka një poezi të mbushur me jaz, me zi e ngjyrë, me elegji. Ndërsa ky nuk e ka elegjializmin, i ndryshon menyja. Në çdo varg është ndryshe, herë është i ëmbël, herë është lirik, herë është i zi, herë është enigmatik, herë është i thartë, herë ironik”, ka shpjeguar Shllaku në rolin e kritikut.

Sipas tij, Hilbing e ka krijuar poezinë e tij për ta ushqyer veten dhe për të krijuar një botë ku mbizotërojnë ligjet poetike.

“Hilbing e ekuilibron veten brenda vargut. Me siguri që konsumatori më i rreshkur i poezisë së tij ka qenë vetë ai. Poezia për të ka qenë ushqimi, ndoshta eliksiri me anë të së cilës ai e ka mbajtur veten gjallë pra duket sikur e ka prodhuar veten e tij, me e mbajtur veten e tij. Ka krijuar, ka shpikur, ka prodhuar një botë magjike, të magjepsur ku gjërat i thyejnë të gjitha ligjet e natyrës për të ndërtuar një ligjësi tjetër, ligjësinë e poetikës, ligjësinë e lirisë poetike dhe kjo është poezia e tij për mua”, ka thënë Shllaku.

Ndërkaq, me gjithë se Kove kishte përkthyer një libër poetik të Hilbigut, ajo ka theksuar se, përveç si poet, Hilbig njihet edhe si prozator shumë i suksesshëm dhe i cili letërsisë gjermane i ka sjellë disa nga veprat më të rëndësishme të kësaj periudhe.

“Në thelb Hilbig është edhe një prozator i shkëlqyer edhe pse zanafillën e ka si poet dhe emocionalitetin e tij e lexojmë përmes poezisë ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që shkruajnë prozë dhe ti i ndien poezitë brenda tyre”, ka thënë ajo, duke shtuar se “romani ‘Unë’ është një strukturë monolite në veten e parë me një agresion të paparë gjinorësh, sepse do të shkruante raporte spiunesh, por në prozën e gjatë ai nuk është poet, por në thelb është poet shumë i madh”.

Se ky shkrimtar nuk është edhe aq i njohur as për gjermanët e ka konfirmuar edhe Sebastian Leuschner nga sektori kulturor i Ambasadës Gjermane në Prishtinë. Në fjalimin e tij Leuschner ka thënë se ishte i gëzuar që kishte ardhur në Kosovë për ta njohur këtë shkrimtar gjerman, të cilin nuk e kishte njohur më parë.

“Unë mendoj se as njerëzit e vendit tim nuk është se e njohin aq shumë megjithëse ai ka marrë shumë çmime dhe ka qenë shumë i njohur. Instituti Goethe madje ka dalë edhe në perifrazimin si ‘i panjohuri i madh i letërsisë gjermane’. Paskam ardhur në Kosovë për të njohur letrarët e vendit tim dhe unë gëzohem shumë që këtu përmes ekspertëve do të mësoj edhe më shumë për këtë autor”, ka thënë duke qeshur Leuschner.

Primo Shllaku, i cili edhe vetë ka përkthyer nga gjermanishtja, ka vlerësuar mënyrën se si Kove e ka përkthyer veprën “Gjethet dhe hijet”.

“Gjuha që ka përdorur Ana është një gjuhë që ka ambicien për t’iu ofruar gjermanishtes, sepse për mua gjuha gjermane është më e bukur, më korrekte, më e saktë nga gjuhët e Evropës. Kur jemi te shqipja, ndonëse që të dyja janë gjuhë indoevropiane, shqipja ka tjetër strukturë, tjetër inxhinieri sintaksore dhe këtë kapërcim, që shpeshherë unë nuk e gjej të realizuar në tekstet e gjermanishtes, Ana e ka realizuar në mënyrë shumë të suksesshme. Pra, ka arritur të gjejë dhe zbulojë fjalët adekuate të gjermanishtes”, ka vlerësuar Shllaku.

Wolfgang Hilbig ka lindur në Meuselwitz, Gjermani. Më 1978 u transferua në Berlinin Lindor, ndërsa më 1985 u largua nga Gjermania Lindore dhe u transferua në Gjermaninë Perëndimore.

Ka botuar tri vepra me poezi: “Abwesenheit” (1979), “Die Versprengung” (1986) dhe “Bilder vom Erzwhlen” (2001), si dhe mbi dhjetë vepra në prozë: “Unterm Neomond” (1982), “Der Brief” (1985), “Die Territorien der Seele” (1986), “Das Provisorium” (2000), Sphinx (2019) e të tjera.

Hilbing ka fituar disa çmime si: çmimin “Hanau Brothers Grimm” (1983), çmimi “Ingeborg Bachmann” për Transmetimin, (1989), çmimin e Letërsisë në Brandenburg (1993), çmimin e “Fontane” (Akademia e Arteve e Berlinit) (1997) dhe çmimin e “Georg Buchner” (2002). Ka vdekur në qershor të vitit 2007.