Ka qenë 6 maji i vitit 2013 kur galeria “Qahili” në periferi të kryeqytetit hapi dyert për herë të parë për t’u bërë një vend i destinuar për frymimin e lirë të artit në Kosovë. Qysh nga ekspozita e parë, kjo galeri shtroi rrugën e promovimit të artistëve të ndryshëm që do të bëheshin pjesë e një tregimi të ri të artit në vend. Duke qenë se këtë vit shënoi 7-vjetorin e themelimit, galeria “Qahili” veçse numëron mbi 40 ekspozita artistike, e përveç emrave të njohur shqiptarë të artit, kjo hapësirë ekspozuese ka sjellë edhe vepra të artistëve të huaj.
E ekspozimi i veprave të tyre në Prishtinë e ka rritur edhe fondin e galerisë “Qahili”. Kjo hapësirë ekspozuese, ashtu sikurse shumë institucione të tjera publike e private, sivjet është gjetur përballë sfidave të vazhdimit të aktiviteteve në përputhje me situatën e krijuar për shkak të pandemisë. E me aktivitetin e fundit “Hijet e Bardha”, galeria “Qahili” i është kthyer gjurmimit të veprave në koleksionin e krijuar përgjatë viteve. Ani pse ekspozita e fundvitit nuk do të mund të mbledhë shumë njerëz si rëndom, e as artistët e huaj, ajo ka përdorur mundësinë që jep fuqia e artit: ka bërë tok veprat e artistëve ndërkombëtarë nga Rumania, Italia, Qiproja, ShBA-ja, Sllovenia, Austria, Kroacia e Turqia. Botë të ndryshme artistike të krijuara nga artistë që i ndan distanca gjeografike, por i bashkon dashuria për të shprehur botën artistike përmes kompozicioneve, ngjyrave e teknikave të ndryshme.
Megjithëse eventi përmbyllës i galerisë “Qahili” ka qenë i paraparë të organizohej në një mënyrë tjetër, Nita Qahili, që është bashkëpronare e kësaj galerie, ka thënë se u janë përshtatur rrethanave në të cilat janë ndodhur.
“Plani ka qenë krejt tjetër për ‘Hijet e bardha’, por po duhet t’u përshtatemi rrethanave. Pasi që nuk mundëm t’i mblidhnim artistët e huaj dhe nuk kemi shumë mundësi të mbledhim artistë të shumtë, vendosëm që t’i ekspozonim veprat e artistëve të huaj që janë pjesë e fundit të galerisë, disa prej të cilëve kanë marrë pjesë këtu me ekspozita personale dhe veprat e të cilëve janë pjesë e fondit të galerisë”, ka treguar Qahili për KOHËN, në ditën e hapjes së ekspozitës, të premten.
Në ekspozitën “Hijet e bardha” janë ekspozuar veprat e artistëve Costin Brateanu dhe Maria Balea nga Rumania, Piero Conestabo nga Italia, Ümit İnatçı dhe Senih Çavuşoğlu nga Qiproja, Joyce M. Conlon, Elizabeth Marran, Suzanne Kiraly Moss nga Amerika, Plamenko Cengiq nga Kroacia, Bernhard Hollemann nga Austria, Liz Bayerlein nga Gjermania dhe Sunay Senturk nga Turqia.
Nita Qahili ka thënë se u është dashur t’u përshtaten rrethanave edhe në ngjarjet e tjera që kanë organizuar gjatë vitit. Në fillim të pandemisë, galeria mbeti e mbyllur për ta zhvendosur aktivitetin e saj online. “Karantina me ngjyra” dhe “Artistët e vegjël” janë dy aktivitetet që u bënë vendtakim i punimeve artistike të të rriturve dhe të fëmijëve.

“Fillimisht nuk e dija as si do të reagojmë, as si do t’i zhvillojmë aktivitetet gjatë gjithë kohës sa do të zgjatë pandemia dhe se si do të ndërrojnë sjelljet e njerëzve pasi që tamam qysh ndërrohen sjelljet e njerëzve kur nis një rutinë tjetër”, ka thënë Qahili. Galeria në periferi të kryeqytetit në fillim të qershorit hapi ekspozitën e titulluar “Bletari” të bletarit artist Kamer Gjikokaj, kurse në fillim të korrikut hapi ekspozitën kolektive të studentëve, e titulluar “Vija e gjelbërt”, për të vazhduar me ekspozitën “Recetë kuzhine” të artistit Arianit Beqiri.
“Fillimisht nuk kemi pasur plane se si do të bëhen ekspozitat, por krijoheshin rrethanat dhe pastaj i organizonim”, ka thënë Qahili.
‘Hijet e bardha’ është njëri nga aktivitetet kolektive që është simbolik për galerinë “Qahili”. Ekspozitat kolektive në kuadër të aktivitetit ‘Hijet e Bardha’, që u mbajtën në vitet 2013, 2014, 2016 dhe 2018, mblodhën mbi 300 pjesëmarrës. Aktiviteti që mbahet tradicionalisht në fundvit synon që çdoherë të jetë ndryshe, e për qëllim tjetër e ka që ta festojë kreativitetin dhe karrierën e artistëve që marrin pjesë dhe ta përdorin artin si një lloj terapie.
“Festat e fundvitit, unë dhe familja i duam shumë pasi që më herët ka pasur gjithmonë borë dhe kur ke dalë nuk është që ke parë hije dhe gjithçka ka qenë tepër bukur, dhe kur ke ecur ajo bardhësia të ka qetësuar dhe ta ka dhënë njëfarë pozitiviteti. Donim ta lidhnim anën pozitive dhe ta merrnim si simbolikë me ngjyrën e bardhë që bashkë në galeri të festojmë”, ka thënë Qahili.
Ekspozita “Hijet e bardha” do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shkurt.