Kulturë

“Heshtja e sirenave” zhurmon brenda piramidës së korrupsionit

“Heshtja e sirenave” ndërtohet prej një mozaiku dramash që zbulohen gradualisht, njësoj si zbulimi i skemave të korrupsionit

“Heshtja e sirenave” ndërtohet prej një mozaiku dramash që zbulohen gradualisht, njësoj si zbulimi i skemave të korrupsionit

Titulli është kontrapunkti i parë si thirrje për t’i ndezur sirenat në luftë kundër korrupsionit. Sirenat po ashtu lidhen me policinë, që është subjekt në filmin “Heshtja e sirenave” me skenar dhe regji të Gazmend Nelës, në garën zyrtare në edicionin e 16-të të “PriFilmFestit”. Ka ardhur premierë vendore, pas një rrugëtimi nëpër festivale botërore, korrupsioni është universal dhe në këtë formë përpiqet ta godasë edhe filmi. Personazhet i vë përballë tundimit të parasë e krejt bashkë frymojnë brenda piramidës së korrupsionit, teksa “Heshtja...” zhvendoset edhe në rrafshin etik

Në filmin “Heshtja e sirenave”, filozofia nis prej titullit e deri te zbërthimi i tematikës. Aty është prapavija e krijimit të një lëmshi ngjarjesh, që zanafillën e ka te një devijim i çastit. Kur puna pa nder për një moment vihet në binarë për t’i ndëshkuar të fuqishmit, rezulton me fundosjen e vetvetes. Një piramidë korrupsioni zbulohet gradualisht, ndërsa pozita e medieve aty është vegla për ta çorientuar vëmendjen nga kjo ngjarje. Kryepersonazhi vihet në misionin e pamundur: ta gjejë fajtorin duke qenë vetë ai. Dhe ajo që dihet është se i njëjti shkak i hesht sirenat dhe u jep jehonë. 

Kjo histori është zbuluar para publikut të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” në natën e katërt të edicionit të 16-të. Ulëset në sallën “Kino Armata” kanë qenë të gjitha të zëna për filmin që është dhënë premierë kombëtare të premten mbrëma. Paraprakisht filmi me skenar dhe regji të Gazmend Nelës kishte një rrugëtim ndërkombëtar, ku midis tjerash, rrëfimin e kishte shpalosur edhe në Brazil e në Gjermani. 

Premierë botërore qe dhënë nëntorin e kaluar në edicionin e 47-të të Festivalit të Filmit në São Paolo në kategorinë “New Filmmakers”. E ka gjetur rrugën për te publiku vendor, aty ku tema kuptohet e përjetohet më së miri. 

Rrëfimi hapet me një skenë të kryepersonazhit, që luhet nga aktori Sunaj Raça, duke ecur i zhveshur rrugës. Është veç një sekuencë e ndëshkimit të gjatë që përjeton Avniu. Shpejt zhvendoset me nisjen e një skeme korrupsioni. Aty është rrugëtimi i dy policëve të trafikut në rutinën e tyre të punës. Ryshfeti është një prej gjërave që është bërë normalitet. 

Synaj Raça në filmin “Heshtja e sirenave” 

Është edhe një lloj rebelimi i kryepersonazhit si shërbyes në pozitën, në të cilën është i angazhuar për 20 vjet, pa u graduar. Kthesa në jetën e tij vjen kur në një natë të zakonshme, ai me kolegun e tij hasin në një veturë që për pak i përplas. Shoferi është prokuror i krimeve të luftës, i dehur dhe bart një shumë të majme parash. 

Skema e korrupsionit është zinxhir. Kur kryepersonazhi –  lakmitar në para, mbase edhe për shkak të jetës së vështirë – vendos që këtë person të pushtetshëm ta vërë para ligjit duke e barazuar me çdokënd tjetër, i kushton me vendin e tij të punës. Suspendohet për gjashtë muaj. Komandanti i Policisë jep urdhër që prokurori të lirohet, ndërsa eprorët e tyre e shfrytëzojnë median si kanal për ta maskuar këtë pjesë. 

Paratë nuk deklarohen e as çështja e ndalimit të prokurorit nuk regjistrohet. Në kthimin e kryepersonazhit për të marrë gjësendet e tij, në objektin ku kamerat e sigurisë janë jashtë funksionit, e shfrytëzon rastin për të fituar avantazh. Vjedh një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara. 

Ajo çfarë vjen më në shprehje në këtë film është se bisedat e mendimet e tyre janë kundërthënëse. Jetojnë në vendin ku e zbatojnë atë, për të cilën janë kundër dhe zgjedhin rrugën më të lehtë të misionit të tyre në jetë. Ironia vjen kur personazhet nuk mund t’i denoncojnë rastet në institucionin që u është bërë shtëpi për dekada. 

Filmi ndërtohet prej një mozaiku dramash që zbulohen gradualisht. Regjisori dhe skenaristi i filmit “Heshtja e sirenave”, Gazmend Nela, ka thënë se ky ka qenë koncepti për filmin që në fillim. 
“Sa herë filloj të ndërtoj një film, gjithmonë mendoj se çfarë filmi do të doja të shihja dhe zakonisht ata filma janë ata që nuk japin shumë informacione, por më japin pika të caktuara që unë t’i bëj bashkë dhe të krijoj mozaikun apo idenë time rreth filmit. Këtë jam munduar ta bëj me këtë film”, ka thënë regjisori Nela. 

Ai ka thënë se ideja ka qenë që aktorët të kenë paraqitje sa më të natyrshme në rol pasi donte që gjithçka të paraqitej në mënyrë të thjeshtë. 

“Jo vetëm në film, por besoj se në çdo formë arti, thjeshtësia, të cilën nuk e di a e kam arritur, është shumë e vështirë. Është një personazh, një polic i rëndomtë, por i cili në një moment të caktuar ndodhet në një moment, në rrethana të jashtëzakonshme, provokohet. Sado e thjeshtë, është aq e vështirë të arrihet. Për mua, filmi nuk mbaron me këtë, mbaron kur e sheh shikuesi, jo vetëm kur kryhet puna”, ka thënë Nela. 

Misioni për gjetjen e parave është përplot drama. Kryepersonazhit i vihen pas dy persona që i bëjnë presion dhe e torturojnë. Kupton se janë të angazhuar nga kryetari i Komunës, që është vëllai i bashkëshortes së tij. Ai i kishte dhënë ryshfet prokurorit të krimeve të luftës për ta mundësuar mbylljen e çështjes së tij. Zbulohet më pas se pos kryepersonazhit, edhe dy të tjerë kanë qenë të përfshirë në këtë vjedhje. Gëzimi, kolegu më i afërt i tij del të jetë edhe i dashuri i vajzës së tij. 
Aktori Allmir Suhodolli, që e luan rolin, e ka theksuar kërkesën regjisoriale që personazhi të sillet sa më natyrshëm. 

“Çdo rol që e marrim, sfidat janë të njëjta, por çfarë e dallon rolin prej rolit është rrëfimi të cilin e përcjell. Çfarë vlen të veçohet është që nuk kemi mbajtur shumë prova. Ka qenë zgjedhje e regjisorit që ne ta kemi natyralitetin në skena dhe besoj që ka funksionuar mirë. Rolin e kemi ndërtuar vetë, normalisht kemi pasur shumë diskutime”, ka thënë aktori Suhodolli. 

Ka thënë se duke qenë që tema e filmit nuk është e panjohur, kjo e ka bërë më të lehtë procesin e punës. 

“Më është dashur të konsultohem shumë me regjisorin, sepse ka pështjellime e nënshtresa një pas një. Duket shumë e thjeshtë, por ka plot komplikime e kthesa të ndryshme që jemi munduar t’i mbajmë sa më fshehtë deri në fund. Me shumë diskutime me regjisorin, kemi arritur ta përmbledhim deri në këtë pikë dhe besoj që të gjithë jemi të kënaqur me rezultatin. Procesi ka qenë shumë i mirë, pos se ka qenë shumë ftohtë”, ka thënë ai. 

Pjesë e kastës së filmit janë edhe Armenis Nokshiqi, Kumrije Hoxha, Rina Krasniqi e Basri Lushtaku. 
Ky i fundit ka rolin e një polici të ndershëm që mundohet t’i japë kah të drejtë punës profesionale të kryepersonazhit. 

“Roli im është i një polici që i përkushtohet rendit dhe ligjit siç duhet. Nuk është prej atyre njerëzve të korruptuar, edhe pse ndoshta ndërdija e tij kur sheh gjithë ato para, e kap ajo adrenalina për të rrëmbyer ndonjë, por mbi të gjitha, duhet të kuptohet një gjë që edhe policia edhe të gjithë janë njerëz që nganjëherë kanë cytje të tilla që mund t’i bëjë të korruptohen. E tillë është paraja”, ka thënë aktori Basri Lushtaku. 

Ka thënë se impakti i filmit më shumë sesa një rrëfim, është shpalosja e një problematike. 

“Mendoj se ne duhet t’i kushtojmë më tepër rëndësi artit dhe kulturës, sepse përmes tyre shpërfaqen shumë mangësi e punë që bëhen, sepse kuptojmë edhe ndonjë problematikë, kuptojmë shoqërinë tonë. Temat që prekim ne si kineastë janë të shumta, hapim edhe tema që kanë pikëpyetjet e veta se a është ashtu apo jo. Por kur e sheh për shembull Policinë tonë që është një prej më pak të korruptuarave, e kemi një Polici shumë të ndershme dhe unë mburrem me ta dhe atë që kanë mbërritur deri në këto vite”, ka thënë ai.