Festivali i artit në hapësirë publike “Hapu” ka mbyllur edicionin e tij të tetë me performancë të mbajtur në “Taukbashçe” nga “Haveit” e më pas edhe më koncertin “Krejt super” në teatrin “Oda”.
Derisa në kryeqytet kishte filluar të binte muzgu dhe shumë njerëz kishin dalë të ecnin nëpër natyrën e pastër dhe plot gjelbërim të parkut “Taubashçe”, vëmendjen e gjithsecilit e mori tavolina e vendosur në mes të livadhit.
Ishte një tavolinë buke me katër karrige secilin kënd. Mbi tavolinë ishte hedhur një mbulesë e bardhë, në të cilën pas pak filluan të rëndonin gjësende nga kuzhina.
“Haveit”, kolektiv tashmë i njohur për performancat sensibilizuese, rikthyen për publikun edhe një herë performancën e titulluar “Jepi me gojë” të cilën së pari e kishin performuar më 2014.
Skena nisi atëherë kur katër vajzat e ulura rreth tavolinës filluan të drekonin. E gjithë performanca zhvillohej në qetësi, ku zhurma e vetme ishte ajo e lugëve, pjatave dhe gotave. Por ky aktrim, i bërë krejt në heshtje ishte një protestë për shprehitë e darkimit të familjeve shqiptare.
Derisa dy nga vajzat po hanin pa u ndalur, dy të tjerat nuk pranonin as ta preknin ushqimin, gjë që çoi deri te ushqyerja e tyre më zor.
Në fund, atëherë kur performanca kishte tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët ishin ofruar të shihnin se ç’po ndodhte, dy nga vajzat të cilat portretizonin dhunueset, hodhën nga goja lëngun të cilin sapo kishin filluar ta pinin dhe u nisën të iknin nga vendi i ngjarjes, duke e lënë tavolinën plot tollovi. Hana Qena, një anëtaret e kolektivit, ka thënë se performanca ka të bëjë me traditën familjare, ku zakonisht fëmijët detyrohen të ushqehen më shumë apo të kenë një sjellje të caktuar për shkak të kërkesave të prindërve.
Motivi për të krijuar një performancë të tillë, Qena ka thënë se ju ka ardhur nga realiteti, nga jeta monotone e mjedisi i ftohtë familjar me të cilin ishte përballur një mik i tyre, i cili ishte homoseksual.
“Jemi inspiruar nga një shok i yni i cili është gej dhe ka ikur nga Kosova për shkak të paragjykimeve dhe faktit se nuk ka mundur ta bëjë jetën që dëshiron. Ai përshkruan një jetë familjare në një ambient steril, dashurinë e tij dhe pamundësinë për të folur me prindërit e tij për atë ndjenjë elementare”, ka shpjeguar Hoxha.
Lidhur me performimin në ambient të hapur, anëtarja tjetër e grupi “Haveit”, Lola Syla, ka thënë se kjo është bërë me qëllim që ajo të bie në sy edhe të atyre që nuk e përcjellin artin.
“Ne gjithmonë kemi dashur të bëjmë performanca në hapësirë, sepse mendojmë që është më sfiduese dhe përballesh me njerëz të cilët jo domosdoshmërish pëlqejnë artin modern dhe performanca të tilla”, ka shtuar Syla.
Pas “Jepi me gojë”, “Hapu” ka organizuar edhe një koncert i cili do të shënonte edhe mbylljen e Festivalit për sivjet. “Krejt super” ishte ngjarja e cila kishte grumbulluar artistë të ndryshëm si “SYTË”, “La Fazani”, “Zweda”, “Sahati” dhe Oda Haliti.
I pari që doli në skenë ishte “Sahati” së bashku me Andi Sadikun në kitarë, Elion Cucin në bas dhe Lum Veselin në bateri. 18-vjeçarja nga Prishtina e cila tani jeton në Kanada këndoi këngët si: “Anything”, “Ego2go”, “Natën”, Rinisë” etj.
Të gjitha këngët ishin shkruar nga vetë “Sahati” dhe në përgjithësi ato flisnin për jetën e përditshmërisë, periudhën gjatë karantinimit, si dhe për brengat e ndryshme të rinisë kosovare.
“Kjo është një eksperiencë shumë e mirë, sepse në disa këngë më ka ndihmuar edhe grupi ‘SYTË’ dhe si artiste inspirohem nga njerëz si Genc Saliu, ‘La Fazani’, ‘Gjurmët’...”, ka thënë ajo.
Menjëherë pas saj skenën e zuri grupi “Zwada” i përbërë nga Suada Abazi (vokal/ kitarë), Orges Kurtaj (bas kitarë), Andi Sadiku (kitarë) dhe Lum Veseli (bateri).
Kënga “Blondie” u duk që ishte e preferuara e publikut, sepse ajo bëri që afër skenës të ofroheshin edhe grupmoshat më të vjetra dhe madje artistja mundi edhe ta këndojë refrenin pa ndihmën e instrumenteve, por vetëm me zërin kumbues të publikut.
“Zwada” këndoi këngë si “Take it”, “Lady's eyes”, “Lets pretend”, “Where is my mind” e të tjera. Nuk u ndal me kaq. Për publikun interpretoi dhe këngën e saj në shqip “Falma Hanën”.
Por “La Fazani” ishte ai i cili e shteroi pothuajse energjinë e gjithsecilit. Ishte kënga “Light my Mustafa”, një remix i këngës së Muharrem Qenës, në të cilën miksohej e shkrihej në një orientalja e modernia, ajo e cila e bëri publikun të kërcente e këndonte pa pushim e madje edhe të qeshte dashamirësisht me mimikat karizmatike të këngëtarit.
my Mustafa është një ‘mashup’ që e kam kombinuar nga Muharrem Qena ‘Mustafa’ me atë të ‘The Doors’, ‘Light my fire’ dhe Eminem ‘Without me’. Kjo këngë ka dalë në kohë të pandemisë, atëherë kur nuk kishim çfarë të bënim dhe bënim gjëra të tilla”, ka thënë artisti Arbër Salihu, i njohur si “La Fazani”.
Pas “La Fazanit” në skenë u ngjit grupi “SYTË”. Vokalistja Nita Kaja u sigurua që publiku të mos pushonte asnjëherë, duke e argëtuar atë jo vetëm me muzikë, por edhe me vallëzime e lëvizje të shumta artistike të cilat i bënte me trupin e saj.
Megjithatë, në fund, publiku u la paksa i mërzitur kur vokalistja e grupit paralajmëroi për një pushim të gjatë që do të bënte si pasojë se ajo së bashku më Drin Tashin do të shpërnguleshin në Amerikë.
“Njëra nga themelueset e grupit ‘SYTË’ është Nita, e cila ndonëse ka lindur dhe është rritur në Amerikë ka pesë vjet që jeton në Prishtinë dhe tani ka ardhur koha që të kthehet në Amerikë dhe atje të vazhdojë karrierën muzikore”, ka thënë Drin Tashi, anëtar i grupit
E fundit, për ta ndezur edhe më shumë atmosferën, me miksimet e saj doli Oda Haliti, e cila e mbajti publikun duke kërcyer deri në orët e vona pas mesnatës.
