Thellë brenda shpellës Cova de les Dones në Valencia të Spanjës, arkeologët kanë gjetur një faltore romake që daton rreth shekullit të parë të erës sonë.
Një ekip kërkimor nga Universiteti i Alicantes dhe Universiteti i Saragozës zbuluan rreth pesëmbëdhjetë mbishkrime romake të vendosura në më shumë se 200 metra nga hyrja e shpellës. Krahas mbishkrimeve, një monedhë që daton nga mbretërimi i perandorit Claudius u gjet e fshehur në një çarje në tavan pranë një stalaktite. Ekipi u drejtua nga Aitor Ruiz-Redondo, profesor i parahistorisë në Universitetin e Saragozës dhe studiues në Institutin Universitar të Kërkimit në Shkencat Mjedisore të Aragonit.
“Mbishkrimet dhe monedha japin prova të pakundërshtueshme se faltorja vazhdoi të përdoret nga romakët”, ka thënë Ruiz-Redondo. “Ky zbulim konfirmon vazhdimësinë e përdorimit ritual të vendit gjatë periudhave të ndryshme historike”.
Shpella Cova de les Dones është njohur si një faltore që nga viti 1960 për shkak të zbulimit të materialeve të bollshme të epokës së hekurit, kryesisht qeramika. Përderisa përdorimi i tij gjatë kohës parahistorike dhe epokës së hekurit ishte i dokumentuar mirë, dëshmitë arkeologjike të përdorimit të tij gjatë periudhës romake ishin të pakta deri tani. Gjetjet e reja sugjerojnë se vendi u përdor për qëllime fetare rreth shekullit të parë të erës sonë.
Shpella është gjithashtu e njohur për artin e saj shkëmbor paleolitik. Në vitin 2023, një studim i botuar në revistën britanike “Antiquity” raportonte ekzistencën e më shumë se njëqind motiveve të artit shkëmbor gati 24 mijë vjet të vjetra. Kjo e bën Cova de les Dones vendin më të madh të artit shkëmbor paleolitik në Iberikun lindor dhe një nga vendet më të rëndësishme paleolitike rreth Detit Mesdhe.
“Pavarësisht nga përparimi i bërë, puna në Cova de les Dones është ende në fazat e para”, ka theksuar ekipi kërkimor. “Vetëm rreth 20 për qind e zonës së dekoruar paleolitike është studiuar në detaje, duke treguar se shpella mban ende shumë sekrete”.
Zbulimi ka implikime për të kuptuar ndërveprimin midis Gadishullit Iberik dhe qytetërimit romak në rajon.
Studimi arkeologjik në Cova de les Dones synon të analizojë faltoren shkëmbore brenda kontekstit të saj historik. Ekipi kërkimor përfshin gjithashtu Dr. Virginia Barciela González, profesoreshë e parahistorisë në Universitetin e Alicantes dhe anëtare e Institutit Kërkimor Universitar të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Historike dhe Dr. Ximo Martorell Briz, arkeolog në Shërbimin e Kulturës Territoriale të Valencias dhe bashkëpunëtor nderi i Zonës Parahistorike të Universitetit të Alicante.
Analiza epigrafike po kryhet në bashkëpunim me Víctor Sabaté Vidal, specialist epigrafie dhe profesor i arkeologjisë në “Universitat de València”. Rikuperimi dhe nxjerrja e monedhës romake u krye nga Trinidad Pasíes Oviedo, kryetar i departamentit të restaurimit në “Museo de Prehistoria de Valencia” dhe Carles Ferrer, kurator i të njëjtit institucion.
Teknikët nga “Dirección General de Patrimonio Cultural” kanë vizituar hapësirën dhe kanë konfirmuar vërtetësinë dhe rëndësinë e zbulimit, “Derisa kërkimet përparojnë, zbulimet e reja pritet të japin kuptim më të thellë të domethënies simbolike dhe fetare të faltores nëntokësore Cova de les Dones”, kanë thënë studiuesit.