Kulturë

“Gënjeshtari” përballë të vërtetës së domosdoshme

Komedia e vitit 1750 i flet të sotmes dhe këtë e bën nga Venecia. Shfaqja “Gënjeshtari” me tekst të Carlo Goldonit, nën regji të Ilir Bokshit, ka ardhur premierë në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Lelio, i biri i tregtarit Pantalone, një venecian që ka kaluar disa vjet në Romë e larg shtëpisë, kthehet në Venecia ku e fillon dramën plot gënjeshtra e mashtrime. Në esencë, është demaskimi i mashtrimit dhe një thirrje për kërkimin e domosdoshëm të së vërtetës

“Gënjeshtari” me tekst të Carlo Goldonit e çon publikun në Venecia dhe nëpërmjet një drame të shekullit XVIII i flet të sotmes. Janë tema universale që trajtohen në shfaqjen nën regji të Ilir Bokshit, e dhënë premierë të martën mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Si komedi satirizon normat dhe zakonet shoqërore të kohës, derisa eksploron temat e së vërtetës, dashurisë dhe identitetit. Drama ndjek historinë e Lelios të luajtur prej Blin Manit, një i ri venecian, gënjeshtar patologjik. Nëpërmjet dramës, gënjeshtrat e Lelios dhe natyra e tij mashtruese e çojnë atë në prag të zbulimit. Me gënjeshtrat e radhës synon të dalë prej këtyre situatave. Ato bëhen gjithnjë e më tërheqëse dhe ai gjendet në një lëmsh të krijuar nga vetë ai. Gënjeshtrat e Lelios po ashtu shërbejnë si një reflektim i shoqërisë në të cilën jeton. Në Venecia, ku pamja është gjithçka, nuk është e pashmangshme që njerëzit të gënjejnë për të mbajtur statusin e tyre shoqëror. Shfaqja nuk vjen veç si reflektim i shoqërisë veneciane të asaj kohe. I shkon për shtati edhe gjendjes së përgjithshme në botë, sa u përket të vërtetës, identitetit dhe hierarkive shoqërore.

Përshkrimi i Lelios është humoristik dhe thelbësor. Ai është një personazh i lehtë për t’u dashuruar edhe pse ka mangësi, ndërsa lufta e tij për të naviguar peizazhin shoqëror të Venecias është e njohur edhe në kohët moderne. Temat e dramës së dashurisë dhe identitetit gjithashtu eksplorohen nëpërmjet lidhjeve të Lelios me dy vajzat për të cilat ai i bën krejt ato trillime: Rosaura (Dardane Mehmeti) dhe Beatrisa (Edona Berisha-Bekteshi).

Jo vetëm që ishte hera e parë për Bokshin të inskenojë një shfaqje në Ferizaj, por premiera e shfaqjes “Gënjeshtari” ishte e para për këtë vit në teatrin “Adriana”.

“Provat kanë shkuar bukur lehtë, mirë, rehat kemi kaluar. Unë me këtë ekip jam takuar për herë të parë. Është hera e parë edhe për mua që punoj në Ferizaj. Ai ballafaqimi i parë u kalua lehtë pas javës së parë dhe të dytë, pastaj punuan drejt, mirë dhe lehtë”, ka thënë Bokshi.

Image

Rosaura dhe Beatrisa janë vajzat e doktorit më me nam në Venecia, doktor Balanzonit. Ato kalojnë kohë në ballkon duke soditur Venecian ku u bie në sy Lelio. Vajzat mahnitën me të. Edhe më kur paraqitet si biri i një kalorësi. Ndërrimi i identitetit, të pavërtetat për statusin e tij martesor e fusin atë në telashe gjithnjë e më të thella me vajzat, babanë e tyre dhe babanë e tij Pantalone. Në fund, zbulohet se gjatë qëndrimit në Romë ai u martua me një zonjë romake, Kleonice Anselmi. Niset për të shkuar tek ajo, duke i lënë Rosaurën dhe Beatricen të lira për t’u martuar me Florindon (Jajush Ramadani) dhe Otavio (Milot Salihu). Shërbëtorja e familjes së doktorit, Kolumbina (Gresë Gashi) bashkohet me Brigelën (Dashuri Rexhepi).

Skena e fundit, zbulimi i të vërtetave, kthehet në njëfarë çlirimi dhe ky është efekti i katarsitit të kësaj komedie. Duartrokitjet e publikut kthyen disa herë kastën në skenë. Regjisori ka thënë se kjo ka qenë një lloj përgjigjeje ndaj punës së tyre.

“Është punë e jona edhe jemi profesionistë, jemi mësuar të prodhojmë shfaqje dhe të mirëpresim duartrokitjet e publikut. Sonte më janë dukur pak më të veçanta, sepse zgjati më shumë duartrokitja, më duket se e mirëpritën shfaqjen dhe u ka pëlqyer", ka thënë Bokshi.

Për dramën e vitit 1750, Bokshi ka thënë se është inskenuar për herë të parë në Kosovë me përkthim të Shkëlzen Berishës. Vepra më kulmore e autorit vinecian Carlo Goldon (1707 – 1773), “Shërbëtori i dy zotërinjve”, ishte inskenuar vite më parë në Prizren.

“Është përkthyer enkas për shfaqjen tonë teksti. Në Kosovë është hera e parë që bëhet ky tekst dhe ky autor është bërë në teatrin e Prizrenit me një tekst tjetër që quhet ‘Shërbëtori i dy zotërinjve’, që më duket se është teksti më kulmor i Carlo Goldonit, por ne kemi tentuar që me këtë tekstin e dytë që e ka ai të bëjmë diçka dhe të befasojmë artdashësit. T’i befasojmë me një shfaqje dhe me një tekst të këndshëm”, ka thënë Bokshi. Kasta e aktorëve të shfaqjes erdhi në përbërje të Mevlan Saraçit, Dardane Mehmetit, Edona Berisha-Bekteshit, Gresë Gashit, Milot Salihut, Jajush Ramadanit, Arban Marevcit, Sherif Begas, Ali Krasniqit dhe Ali Krasniqit. Aktori në rolin kryesor, Blin Mani, për krejt procesin që nga provat e deri të premiera ka thënë se ka shkuar lehtë e në atmosferë relaksuese.

“Mirë shumë kemi kaluar sonte dhe e konstatuam që nëse punohet dy muaj është mënyra më e mirë për një shfaqje, jemi të lumtur me produktin. Unë jam shumë i lumtur, është hera e parë që po punoj me Bokshin. Kanë qenë dy muaj prova me komedi e të hareshme. Provat kanë qenë të lehta. Ndoshta fizikisht kemi pasur ndeshje, se edhe vepra e vjetër, por jemi kënaqur. Është mirë me u lodhë dhe me u kënaqë në të njëjtën kohë”, ka thënë Mani.

Aktori Dashuri Rexhepi, i cili në shfaqjen “Gënjeshtari” vjen në rolin e Brigelës, ka thënë se për shfaqjen i kanë kaluar dy muaj prova, në mënyrë që para publikut të paraqitet më e mira.

“Është e vërtetë që kemi punuar shumë gjatë. I tërë procesi ka zgjatur dy muaj. Zakonisht provat për një shfaqje përfundojnë brenda një muaji, një muaj e gjysmë më së shumti, mirëpo ne kemi punuar dalëngadalë me regjisorin, me bashkëpunëtorët, me aktorë, me të gjithë e kemi sjellë këtë premierë. Është e vërtetë që është shfaqje e vjetër, mirëpo me adaptime e sollëm këtë rezultat që sapo u pa”, ka thënë Rexhepi.

Për më shumë se një orë e njëzet minuta salla e teatrit gumëzhinte nga të qeshurat e publikut.

Rexhep Maloku, gazetar i KOHËS, pjesë e audiencës në premierën e “Gënjeshtarit”, ka thënë se mbi të gjitha kjo ishte një shfaqje “që spikati se njohja dhe dokumentimi i së vërtetës vazhdon të mbetet sfida më e madhe”.

“Madje edhe atëherë kur pretendohet se ka një hierarki të qartë dhe meritore vlerash e morali, si në rastin e shtresave të ndryshme shoqërore të Bolonjës së asaj kohe, por që në pjesën më të madhe të kohës, pikërisht këta njerëz profesionesh e rangjesh të ndryshme ranë në grackën e një gënjeshtari që nuk njihte asnjë autoritet moral e institucional, duke përfituar me përdorimin e dashurisë së rreme si instrument. Prapëseprapë në fund fitoi dashuria dhe u demaskua gënjeshtra”, ka thënë Maloku.

Përshtatja e dramës së Goldonit edhe me zhvillimet e ditëve të sotme është ajo që i ka bërë përshtypje atij.

“Më pëlqeu që megjithatë në fund fitoi e vërteta, por duke na e përkujtuar me vaj e gaz se përherë duhet të vrasim mendjen për përpjekjet për instrumentalizimin e autoriteteve morale e shoqërore për qëllime të liga. Sidomos në kohën tonë kur instrumentet janë të shumta shkaku i zhvillimit të mjeteve të ndryshme teknologjike, dhe kur po përballemi me post të vërtetën, që po sfidon edhe botën akademike e shkencore”, ka thënë Maloku.

Kompozitor i pikave muzikore në shfaqje është Memli Kelmendi. Ndërsa kostumet me ngjyra karakteristike për çdonjërin personazh janë realizuar nga kostumografia Njomëza Luci. Repriza e parë e shfaqjes “Gënjeshtari” u dha një ditë pas premierës.

 

Image