Të dielën mbrëma Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Risi për publikun ka qenë premiera botërore e veprës “Simfonia epike” e kompozitorit shqiptar Fatos Qerimaj. Kurse me soliste pianisten Anila Aliun, publiku ka përjetuar edhe veprën e francezit Maurice Ravel. Koncerti i 12-të i këtij sezoni për institucionin e muzikës klasike ka nisur me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven
Madhështia e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës është e padiskutueshme, pavarësisht kushteve në të cilat interpreton. Me orkestër e solistë në lojë, të dielën mbrëma është dhënë premiera botërore e veprës “Simfonia epike” e kompozitorit shqiptar Fatos Qerimaj në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Tashmë nuk është e rrallë që institucioni i muzikës klasike të befasojë me programin e tyre. Koncerti i së dielës mbrëma ka ngjallur interesim të madh për të parë paraqitjet e radhës të Orkestrës së Filharmonisë.
Hapësira ka qenë plot derisa publiku e ka rrethuar skenën nga të dy anët e saj. Shumë nga ta e kanë ndjekur koncertin nga pjesa sipër sallës që rrethohet nga korridoret e Pallatit të Rinisë. Që para nisjes së koncertit është dëshmuar se salla koncertale është më se e nevojshme. Interesimi i madh për të ndjekur këtë koncert ka bërë që rendet e karrigeve të zgjaten deri te skajet më të largëta nga skena. Tjetër telashe kanë qenë rrjedhjet e shiut në njërën pjesë të sallës, që viheshin edhe më shumë në pah gjatë notave më të ulëta të interpretimit.
Formacioni i Orkestrës ka qenë gati për të hapur një tjetër kapitull në aktivitetin e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Gridi Krajës. Vepra e Qerimajt ka qenë tejet dinamike, ku janë bashkuar në interpretim harkorët, frymorët e instrumentet me goditje. Kur në zhytje tingujsh është gjetur harmonia, lehtë janë dëgjuar tingujt harmonikë të ksilofonit, që sikur kanë ndërhyrë për të ndërprerë “luftën midis instrumenteve”.
E shtrirë në katër kohë, te e fundit pos instrumenteve, futet në lojë edhe teksti i Robert Wiltonit, interpretuar nga altoja Diellza Sylejmani.
“Toka ku gjallëron e shkuara” bashkë me “Andante” e “Scherzo” kanë bashkuar në lojë paralele krejt instrumentet në mënyrën më madhështore të mundur.
Për autorin e saj, kompozitorin Fatos Qerimaj, ka qenë më se e përshtatshme që premiera të jepet në Prishtinë, për shkak të intonacioneve veriore që ka përdorur. Ai është shprehur se Prishtina i ka ofruar komoditet për realizimin e veprës duke e vlerësuar edhe si mundësi të mirë bashkëpunimin me Filharmoninë e Kosovës.
“Orkestra Simfonike ka intonacionet e instrumenteve të çiftelisë, lahutës e të bilbilave. Kjo bëri që të ketë një ndërthurje shumë të mirë në orkestracione, në përgjithësi, në tingullin e orkestrës. E gjitha është një vepër që kujton një të shkuar. Vetë përmbajtja e saj është një muzikë epike dhe lirike, kështu që kontrastet në vepër janë të pranueshme”, ka thënë Qerimaj.
Solistja Diellza Sylejmani, e cila ka interpretuar në kohën e katërt, është shprehur e lumtur me pjesëmarrjen e saj, derisa për veprën ka thënë se është gërshetim i elementeve kombëtare.
“Për mua ishte kënaqësi e madhe, edhe nder gjithashtu, që të interpretoj njërën nga kohët e veprës së kompozitorit Fatos Qerimaj. Kjo vepër e shkruar në periudhën e pandemisë, si duket ka shprehur të gjitha ndjenjat që ai ka pasur gjatë asaj periudhe. Te pjesa ime fillon e këndon për tokën, malet, shqiponjat, për këto që i karakterizojnë Kosovën e Shqipërinë”, është shprehur Sylejmani.

Megjithatë, programi është zgjeruar më tej me uverturën “Coriolan” e kompozitorit gjerman Ludëig van Beethoven. Ka qenë vepër dinamike në interpretim ku sa shkon e gjen harmoninë ndër tinguj mes diversitetit të instrumenteve, ku më së shumti dominojnë harkorët. Mjeshtërisht është interpretuar edhe Koncerti për piano në G-dur i kompozitorit francez Maurice Ravel. Orkestrës i është bashkuar pianistja Anila Aliu për të nxjerrë tingujt magjikë.
Duartrokitjet e gjata e kanë kthyer pianisten Anila Aliu në interpretim të një tjetër vepre në shenjë falënderimi. Ajo ka thënë se ky ka qenë ndër koncertet më të veçanta për të.
“Është gjithmonë nder të performoj me Filharmoninë dhe duke qenë ndër koncertet më të veçanta. Kam interpretuar edhe një herë për publikun, për dashamirët e artit e para profesorëve. Koncerti për piano dhe orkestër ka qenë nga kompozitori Ravel. Pas shumë duartrokitjeve të publikut vendosa të luaja edhe një vepër që ka qenë ‘Malaguena’, një suitë spanjolle për të falënderuar publikun që kanë ardhur dhe për duartrokitjet e ngritjet e tyre në këmbë”, ka thënë Aliu pas interpretimit të veprës së spanjollit Ernesto Lecuona. Ajo gjatë muajit tetor ishte në një turne prej katër koncertesh në Meksikë. Madje, prej atje kishte bërë thirrje që të njihet edhe shteti i saj, Republika e Kosovës.
Koncerti i së dielës ka qenë tjetër dëshmi për një hapësirë ku denjësisht do të mbaheshin koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Kryetari i Komunës së Prishtinës ka thënë se përkundër kushteve të rënda, performancat e Filharmonisë janë të jashtëzakonshme. Sipas tij, zgjidhja e problemit është çështje kohe pasi me sallë do të bëhet ky institucion brenda dy vjetësh.
“’Gërmia’ është veç një pjesë e procesit të transformimit në galeri të qytetit, edhe sallat koncertale për Orkestrën, kështu që është veç çështje kohe. Në të njëjtën kohë është edhe salla për balet dhe operë, edhe ajo është në proces të plotë të fokusit ndërkombëtar. Pra, ndodhin dy gjëra të mëdha që brenda dy vjetëve besoj se do të kemi hapësirë që u takojnë këtyre talenteve tanë që janë të mrekullueshëm”, ka thënë Rama, derisa koncertin e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm. Koncertet e zakonshme të Filharmonisë së Kosovës janë çdoherë prej atyre që tentojnë të sjellin gërshetim kulturash e ngjyrime të ndryshme në vepra.