Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj nis me përballjen e gënjeshtrës me të vërtetën

Ceremonia hapëse ka qenë homazh për dramaturgun Haqif Mulliqi, derisa Festivali i Teatrove në Ferizaj në tërësi është dedikim për qytetarët e festë e 150-vjetorit të qytetit. Është bërë e ditur se mospërkrahja e organizimit nga Ministria e Kulturës ka shpërfaqur vullnet dhe solidaritet më të madh të artistëve e trupave teatrore. Shfaqja “Gënjeshtari”, nën regji të Ilir Bokshit, e ka hapur edicionin e 53-të të festivalit

Dyert e teatrit “Adriana” janë hapur edhe për një tjetër edicion të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Dekoret kanë qenë më të pakta sivjet para hyrjes, porse flamujt e ngjarjes kanë qenë të ngritur edhe më lart se edicionin e kaluar. Numri i të pranishmëve ka bërë të ditur se ngjarja po bëhet më e bujshme nga viti në vit. Para kioskës që mban shënimin “Biletaria” rendi ka nisur qysh një orë para kohës së paraparë për të filluar shfaqja. Në anën tjetër, parapërgatitjet për mbrëmjen muzikore e kanë shoqëruar publikun me muzikë derisa ka pritur në oborrin e teatrit.

Në natën hapëse, shfaqjes “Gënjeshtari” me autor shkrimtarin italian Carlo Goldon dhe regjisor Ilir Bokshin i ka paraprirë përkujtimi për dramaturgun Haqif Mulliqi. Ulësja e shënjuar me emrin e tij ka qenë një lloj mirënjohjeje për kontributin e tij për festivalin e teatrin. Në hapësirën e errtë të sallës së shfaqjeve të teatrit, një rreze drite ka ndriçuar veç atë. Në vend të heshtjes është nderuar me një minutë duartrokitje.

Është bërë traditë që shfaqja hapëse të jetë prodhim i institucionit nikoqir të festivalit. “Gënjeshtari” ka sjellë një copëz të Venecias në skenën e teatrit të qytetit. Ajo vjen si satirë për tiparet e shoqërisë, përkatësisht gënjeshtrës. Personazhi kryesor, Lelio, që luhet nga aktori Blin Sylejmani, bëhet subjekti trillues në krejt shfaqjen, gënjeshtrat e të cilit shtrijnë ndikimin në jetën e secilit. Porse ato dalin në pah dhe e vërteta triumfon.

Shfaqja hapet me një mbrëmje varkash në Venecia të Italisë. Pasi nis serenata, në ballkon shfaqen dy zonja: Rosaura dhe Beatrisa. Në ballkonin përballë janë dy zotërinj. Biseda midis tyre shpejt e shpërfaq thelbin e shfaqjes: gënjeshtarin dhe gënjeshtrën. Lelio pretendon se është një zotëri fisnik, markez i një kalaje. Shërbëtori i tij që e mbush me humor shfaqjen shpejt e merr rolin e zotërisë së tij, kur në skenë del dadoja e vajzave që luhet prej aktores Gresa Gashi.

Është Florindo ai që i këndonte, dërgonte letra e dhurata vajzës që donte – Rosaurës. Por ndihet i ndrojtur t’ia shprehë dashurinë. Lelio, që paraqitet si ai, gënjen e improvizon gënjeshtra aty për aty. Është shumë i zoti në këtë pjesë. Ajo i beson verbërisht derisa Lelio ndërton impresionimin dhe dashurinë e saj mbi përkushtimin e Florindos.

Trillimet e Lelios konsiderohen kryevepër nga shërbëtori i tij, Arlekini. Por sa nis t’ia bëjë me dije gënjeshtrat atij, ato pasohen tek ai sa simpatia e tij shfaqet në ballkon. Gënjeshtra veçse avancohet çdoherë. Aktori Sherif Bega, që luan shërbëtorin e Lelios, ka thënë se është më se kënaqësi të luajnë para publikut të tyre, i cili, sipas tij, di të shijojë shfaqjet. Për rolin ka thënë se është prej më të mirëve që ka pasur deri tash.

“Roli im është Arlekini, shërbëtori i Lelios, rolit kryesor. Unë jam ai që i di të gjitha dallaveret, gënjeshtrat e tij. Të vetmit person që i beson është Arlekini, një rol shumë i lezetshëm, shumë i mirë. Në momentin që e kam lexuar tekstin kam thënë që shpresoj të jetë ky rol i imi. E kam shijuar gjithë procesin, është ndër rolet më të mirat që kam pasur, ndoshta edhe që kam realizuar deri tash”, ka thënë aktori Bega derisa ka shtuar se Ferizaj i ka shikuesit më të mirë dhe se interpretojnë me kënaqësi çdoherë aty.

“Edhe jashtë festivalit, sa herë që kemi shfaqje, salla është e mbushur edhe në repriza. Është ndjenjë shumë e mirë, sidomos për aktorët kur në fund duartrokitesh aq fort saqë e harron lodhjen, të nxehtin, procesin që ka zgjatur gati dy muaj me sfidat e tij, por kur ke një audiencë kaq të mirë i harron të gjitha”, ka thënë aktori.

Beatrisa dhe Rosaura janë rolet në shfaqje të cilat bëhen qëllimi kryesor i të gjitha gënjeshtrave. Donotarios së dashuruar në Beatrisën i jepen informata të rreme që prekin moralin e vajzave. Ato e fusin në sherr me babanë e tyre, Pantalone. Aty fillojnë polemikat për martesë.

Image
Çdo shfaqje teatrale e pason mbrëmja muzikore, ku në natën hapëse ka interpretuar kantautori Shpat Deda

Aktori Mevlan Saraçi, i cili luan rolin e Pantalones, ka thënë se reagimet e publikut ishin në saktësinë maksimale. Ai ka theksuar vështirësitë e procesit të sjelljes së shfaqjes në skenën e Teatrit në Ferizaj.

“Atmosfera e skenografisë, që jemi munduar të sjellim një Venecia në skenën e teatrit ‘Adriana’ ishte një obligim shtesë pasi të bësh një Venecia nga Italia dhe ta sjellësh në Ferizaj është goxha problem, pastaj tekstet e Goldon janë komedi, është një shkrimtar shumë i madh, komediograf prej më të mëdhenjve në botë. Ne i kemi qëndruar besnik edhe tekstit natyrisht, por edhe regjisë së Bokshit që për mua është prej regjisorëve më të mëdhenj që kemi”, ka thënë aktori Mevlan Saraçi derisa ka thënë se ndonëse shfaqja është dhënë më parë, në festival vjen me motive edhe më të fuqishme.

“Shfaqja u prit shumë mirë dhe kjo është shumë kënaqësi për ne aktorët. Ka qenë proces shumë i gjatë dhe është dhënë shtatë apo tetë herë, mirëpo në festival gjithmonë është një motiv tjetër, plus që dihet se shfaqjet janë në garë, këto na kanë motivuar edhe më shumë. Prania e publikut, reagimi i tyre na ka bërë të fluturojmë në skenë”, ka thënë ai.

Përmbajtja e poemës që Florindo i ka dërguar Rosaurës nxjerr në pah të gjitha gënjeshtrat e Lelios krejt papritur. Ky i pari gjen kurajën të shprehë dashurinë dhe të tregojë se krejt dhuratat ishin prej tij. Mesazhi në fund vjen me porosinë për të mos gënjyer kurrë derisa krejt aktorët bëhen bashkë në skenë me këngë. “Gënjeshtari” e pati premierën në prill të këtij viti në teatrin e qytetit “Adriana”.

Programi i festivalit sivjet përfshin nëntë shfaqje në garë dhe një jashtë garës. Do të shfaqen edhe “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelajt, “Antigonat” me regji të Erson Zymberit, “Udhëtimi i gjatë drejt natës” me regji të Iliriana Arifit, “E vërteta” me regji të Agon Myftarit, “Gadjo” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt. Gjithashtu programin e pasurojnë edhe shfaqja “Sober” me regji të Butrint Bashës, “Krokodili” me regji të Agon Myftarit, “Tatuazhi i trëndafilit” me regji të Zana Hoxhës dhe “Unë jam vetë grua” me regji të Kushtrim Koliqit që do të jetë jashtë garës.

Pos programit qendror do të mbahen edhe panele diskutimi. Të hënën është zhvilluar ai me temën “Qëndrueshmëria financiare e Festivalit të Teatrove – Ferizaj” me panelistë nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani dhe drejtorin e Festivalit të Teatrove, Besim Ugzmajli. Një diskutim i kushtohet dramës ku do të flasë Zymber Kelmendi, ndërsa për regjinë do të flasë Agon Myftari.

Çdo shfaqje teatrale e pason mbrëmja muzikore ku në natën hapëse ka interpretuar kantautori Shpat Deda. Në kuadër të programit do të interpretojnë gjithashtu grupi “La Fazani”, Mentor Haziri, Erëza Çerkini, Edona Reshitaj, Nita Latifi, Shpend Hysaj, bendi “Zwada” e “Daff’n’ Dudes”.

Udhëheqësi artistik i Teatrit të Ferizajt dhe Festivalit të Teatrove, Besim Ugzmajli, ka thënë se festivali është bashkudhëtim i historisë së përgjithshme, duke e vlerësuar ngjarjen si një e treta e saj. Ka thënë se dekada e fundit e organizimit të ngjarjes është hapur me shfaqjet e institucionit nikoqir.

“Ne përpiqemi çdo vit që përveç kualitetit të shfaqjeve të kemi një lloj diversiteti të zhanreve që publiku që vjen në festival të ketë mundësi të shohë shprehje të ndryshme teatrore. Sa i përket shfaqjes startuese, ka gati dhjetë vitet e fundit që kemi krijuar një lloj shprehie që ne si nikoqirë të fillojmë me shfaqjen tonë, është në kuadër të mënyrës se si e organizojmë festivalin. Kemi pasur edhe shfaqje të tjera, kemi konsideruar që ‘Gënjeshtari’ është produkti më adekuat për të krijuar këtë diverisitet”, ka thënë Ugzmajli.

Sivjet përplasjet e stafit organizativ të një prej ngjarjeve më me traditë me Ministrinë e Kulturës kanë qenë të bujshme, për shkak të mospërkrahjes nga ky institucion.

“Festivali ka mbijetuar 53 vjet, meqë ka mbijetuar momente sigurt më të vështira si kjo e këtij viti për mosfinancim, sigurisht se ka qenë një lloj motivi për ta kuptuar secili që ky festival nuk shuhet dhe organizohet patjetër, pavarësisht rrethanave, është motiv shtesë. Asnjëherë nuk është në pikëpyetje organizimi, por shpeshherë kualiteti dhe synimet tona përtej kësaj se çfarë do të shihni për këto nëntë net. Kemi aspirata, programe, planifikime jashtëzakonisht të rëndësishme që kemi konsideruar se do të jenë pjesë e këtij festivali”, ka thënë regjisori Ugzmajli.

Prezantimi hyrës vjet i festivalit ka qenë ironi për mospjesëmarrjen e krerëve shtetërorë në ceremoninë hapëse të tij. Ishin thirrur emrat e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Mungesa e tyre ngjau edhe sivjet në ngjarje.

Rrugëtimi i 53-të me radhë i festivalit mbyllet më 4 shtator, kur do të ndahet Çmimi për shfaqjen më të mirë, Çmimi për aktorin më të mirë në rolin kryesor dhe atë në rolin dytësor, Çmimi për kostumografinë më të mirë dhe ai për skenografinë më të mirë.

Ata do të vlerësohen prej regjisorëve: Mentor Zymberaj e Ilirjan Himaj dhe skenaristes Getoarbë Mulliqi.

Festivali i Teatrove nisi në vitin 1970 dhe përgjatë kësaj periudhe u organizua edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Është prej festivaleve më të vjetra në vend. Madje edhe në rajon rrallë gjendet një organizim i tillë për teatrin, i cili i ka mbijetuar kohës. Vit pas viti ka bërë bashkë në një vend publik e artdashës.