Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” po vazhdon që fëmijëve në Kosovë t’ua japë mundësinë për të votuar për fituesin e çmimit “EFA Young Audience Award”. Këtë vit triumfoi filmi nën regji të Johanne Helgeland, që vë në pah guximin brenda fëmijëve
Dhjetëra fëmijë nga vende të ndryshme të Evropës kanë votuar online për fituesin e çmimit “EFA Young Audience Award”. Në ceremoninë që u transmetua online, fëmijët zgjodhën fitues filmin “The Crossing”, nën regji të Johanne Helgeland, që shpalos aventurat e 10-vjeçares Gerda dhe vëllait të saj Otto. Sipas Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ngjarja e tillë nxit te fëmijët dashurinë për kinematografinë, si dhe përçon ndjenjën se janë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre të tjerë evropianë. Pjesë e këtij edicioni të dhjetë ishin 28 fëmijë nga Kosova.
Organizata “European Film Academy” është një grup filmbërësish evropianë, që kanë për qëllim promovimin e filmave nga Kontinenti i Vjetër, por edhe nxitjen e interesimit të filmbërësve. Po ashtu, “European Film Academy” organizon ngjarjen e përvitshme “European Film Awards”, themeluar në vitin 1988 nga filmbërësi suedez Ingmar Bergman, që mbahet zakonisht në dhjetor, ku ndahen çmime në 19 kategori të ndryshme. Pjesë e garës zyrtare është edhe kategoria “EFA Young Audience Award 2020”, fituesi i së cilës shpallet më herët, në muajin prill. Si çdo vit, çdokush nga mosha 12-14-vjeçare ka qenë i mirëpritur t’i bashkohet jurisë ndërkombëtare.
Viteve të kaluara, dhjetëra fëmijë mblidheshin në “DokuKino” dhe pasi shikonin filmat garues e diskutonin për ta, votonin për të preferuarin e tyre. Vitin e kaluar, por edhe këtë vit, “European Film Academy”, për shkak të krizës me koronavirus, ka marrë vendim për të votuar online. Fëmijëve nga Kosova tash e tetë vjet u ofrohet kjo mundësi, falë bashkëpunimit të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy).
Nora Fetoshi, zyrtare për komunikim me media në “DokuFest”, ka thënë se Kosovën, përkatësisht Prizrenin, edhe këtë vit do ta përfaqësojë “DokuFesti”. Rreth 40 shtet evropiane, përfshirë edhe Kosovën, janë pjesë e kësaj ngjarjeje.
Fetoshi ka treguar se këtë vit pjesëmarrëse janë rreth 40 shtete. Ka shtuar se për “DokuFest-in”, bashkëpunimi me Akademinë Evropiane të Filmit është një ndër bashkëpunimet më të rëndësishme.
“Fakti që ky bashkëpunim involvon fëmijët, audiencën e ardhshme të artit të kinemasë, është shumë i rëndësishëm për punën dhe vizionin e ‘DokuFest-it’”, ka thënë ajo.
Fëmijëve u është krijuar llogari e veçantë dhe prej platformës online kanë pasur mundësinë t’i shohin të tre filmat dhe të votojnë për të njëjtit.
“Fillimisht presim që fëmijët të interesohen më shumë për filmin dhe kinemanë, të mësojnë se si vlerësohet një film, në çka duhet vëmendje e shtuar etj. Duke qenë pjesë e këtij programi pan-evropian, të marrin ndjenjën e përkatësisë së familjes së madhe evropiane, sikurse moshatarët e tyre gjithandej kontinentit”, ka thënë Fetoshi.
Një ditë, pak para Krishtlindjeve në vitin 1942, prindërit e Gerdas dhe Ottos, të cilët janë në pjesë e lëvizjes norvegjeze të rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, arrestohen. Fëmijët e tyre mbesin vetëm. Pas arrestimit, ata zbulojnë se dy fëmijë hebrenj, Sara dhe Danieli, janë fshehur në një dollap të fshehtë në bodrumin e tyre në shtëpi.
Gerda dhe Otto marrin rrugën që ta përfundojnë atë që prindërit e tyre e filluan: të ndihmojnë Sarën dhe Danielin të largohen nga nazistët, të kalojnë kufirin për në Suedinë neutrale, në mënyrë që të ribashkohen me prindërit e tyre. E ky film që vë në pah besimin, besnikërinë dhe guximin e madh që mund ta gjesh te fëmijët e vegjël, ka marrë zemrat e publikut.
Regjisorja nga Norvegjia, Johanne Helgeland, përmes një video-lidhjeje, gjersa ka falënderuar ekipin punues, ka theksuar rëndësinë që kanë filmat për fëmijë.
“Mendoj se të tre filmat na tregojnë sa kemi nevojë për filma që shfaqin dhembshuri dhe pasion, dhe se filmat për fëmijë kanë shumë rëndësi, pasi ata janë e ardhmja”, ka thënë ajo.
Në garë, përveç “The Crossing”, ishin edhe “Pinokio”, nën regji të Matteo Garrone, dhe “WolfWalkers”, nën regji të Tomm Moore, e Ross Stewart.
“Pinokio”, nën regji të Matteo Garrones, është produksion i Italisë dhe Francës. Për 125 minuta, filmi sjell një realizim të ri të klasikut që është shumë i dashur për fëmijët. Marangozi Geppetto prej druri skalit kukullën dhe e pagëzon me emrin Pinokio. Kukulla nis të flasë dhe ecë, por nuk i ndal as sherret.
"Pasi mashtrohet lehtë, ai kalon nga një fatkeqësi në tjetrën, rrëmbehet dhe ndiqet nga banditë në një botë fantastike me plot krijesa imagjinare. Mikja e tij e vërtetë, zana me flokët ngjyrë të kaltër, përpiqet t’ia bëjë të qartë se ëndrra e tij – të bëhet një djalë i vërtetë – nuk mund të bëhet kurrë realitet, përderisa Pinokio nuk e ndryshon mënyrën e sjelljes”, është përshkrimi që i bëhet filmit.
E “Wolfwalkers” të shpie në një kohë kur ekzistonin magjitë. Atëherë gjuetarja e vogël Robyn Goodfellowe udhëton në Irlandë së bashku me babanë e saj për ta zhdukur tufën e fundit të ujqve. Gjersa ajo eksploron vendin miqësohet me një vajzë me shpirt të lirë, Mebh, anëtare e një fisi misterioz, që thuhet se ka aftësinë të shndërrohet në ujk natën.
“Gjersa së bashku kërkojnë për nënën e zhdukur të Mebhit, Robyn zbulon një sekret që e bën edhe më shumë të zhytet në botën e magjepsur të ujqërve, duke rrezikuar që të shndërrohet në gjallesën që babai i saj e ka për detyrë ta shkatërrojë”, është përshkrimi që i bëhet këtij filmi 103-minutësh të animuar.
Vitin e kaluar në garë ishin “My Extraordinary Summer With Tess”, nën regji të Steven Wouterlood, “Rocca Changes The World”, nën regji të Katja Benrath, dhe fituesi i atij viti My Brother Chases Dinosaurs”, nën regji të Stefano Cipani.